MENU
klinika

Çfarë parashikon statuti i demokratëve

Kush e merr drejtimin e PD-së?

21.03.2022 - 19:17

Lulzim Basha ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të Partisë Demokratike, pas 8 vitesh në krye të selisë blu.

Humbja në zgjedhjet e 6 marsit, si dhe thirrja e deputetëve bëri që Basha të bëjë një hap pas. Gjatë fjalës së tij në mbledhjen me strukturat e PD-së, Basha tha se do të dorëhiqej për t’i dhënë mundësi ringritjes së Partisë Demokratike.

Kush do e drejtojë tani Partinë Demokratike?

Statuti i Partisë Demokratike parashikon që pas dorëheqjes së kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar i cili komandon një prej nënkryetarëve që do drejtojë partinë.

“Kryetari i Partisë gjatë veprimtarisë së tij të përditshme i cakton detyra dhe fusha të caktuara përgjegjësie Nënkryetarëve të Partisë. Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi, duke përfshirë rastet e dorëheqjes nga detyra të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri” – thuhet në një prej neneve të Statutit të PD-së.

Duke qenë se dy nënkryetarë Agron Gjekmarkaj dhe Grida Duma dhanë dorëheqjen nga posti i tyre, dy nënkryetarët aktualë Enkelejd Alibeaj dhe Jorida Tabaku do të marrin drejtimin e saj të komanduar nga Sekretari i Përgjithshem Gazment Bardhi.