Bëhen publike disa dokumente nga Arkivi Qendror i Shtetit (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSH-së), ku ndodhet një dosje voluminoze me materiale arkivore të cilat mbajnë siglën ‘Tepër sekret’, të cilat i përkasin periudhës së viteve 1981-1982, me raporte, relacione, dëshmi, informacione, proçes-verbale të mbledhjeve të Byrosë Politike dhe sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së, etj., duke filluar nga ajo që u mbajt për të shqyrtuar dhe analizuar autokritikën e ish-kryeministrit Mehmet Shehu në dhjetorin e vitit 1981, për shkak se kishte lejuar fejesën e djalit të tij, Skënderit, “me një vajzë e cila në rrethin e saj familjar kishte disa të arratisur politikë”, mbledhja maratonë e Byrosë Politike e pasdites së 17 dhjetorit të tij viti që vazhdoi deri në orët e vona të asaj nate, ku u shqyrtua ai problem me debatet dhe diskutimet e të gjithëve anëtarëve që “kryqëzuan” ish-kryeministrin Shehu, mbledhja e paradites së 18 dhjetorit, pas lajmit se kryeministri Mehmet Shehu kishte vrarë veten, mbledhja maratonë e Sekretariatit të Komitetit Qendror të PPSH-së e datës 20 shtator të vitit 1982, me temë: “Analiza e gabimeve të rënda të Kadri Hazbiut, të kryera gjatë periudhës kur ai ishte zv/ministër dhe ministër i Punëve të Brendshme”, ku Enver Hoxha nisi fillimisht akuzat ndaj Kadri Hazbiut, duke e joshur atë si “besnik i Partisë”, (në mënyrë që ai “t’ja hapte zëmrën Partisë”, duke folur kundër ish-kryeministrit Mehmet Shehu), ku që në fillim të fjalës së tij, Enveri u shpreh: “Pas puçistëve në ushtri, zbuluam grupin tradhtar në ekonomi të Abdyl Këllezit, Koço Theodhosit dhe Kiço Ngjelës me shokë. Edhe këtë grup e zbuluam ne këtu, nuk e zbuloi Sigurimi i Shtetit. Po kështu mund të themi edhe për zbulimin e grupit të Fadil Paçramit, të Todi Lubonjës dhe të një sërë njerëzish të tjerë të lidhur pas tyre, si Ismail Kadareja me shokë, nuk e zbuloi Sigurimi, por ajo punë armiqësore u zbulua nga ana e Komitetit Qendror”, etj.!
Nga: Dashnor Kaloçi
Dokumenti ‘Tepër sekret’ me korrespodencën ndërmjet Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut në datat 19 dhe 28 tetor të vitit 1981, pas autokritikës së ish-kryeministrit Mehmet Shehu, dërguar Enver Hoxhës dhe Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, lidhur me fejesën e djalit të tij, Skënderit, me “një vajzë me përbërje shumë të keqe politike”!
Tepër sekret
“Projekt-autokritikë” (“Autokritika e parë”) që Mehmet Shehu i ka dërguar shokut Enver Hoxha dhe “Autokritika” (Variant i dytë) drejtuar shokut Enver Hoxha dhe shokëve të Byrosë Politike të Komitetit Qendror si dhe proces-verbali i mbledhjes së Byrosë Politike të Komitetit Qendror të PPSH-së, datë 17 – 18 dhjetor 1981: Për analizën e gabimit të rëndë të kryer nga ish-anëtari i Byrosë Politike, Mehmet Shehu, lidhur me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje shumë të keqe politike. (Dt. 17-18. XII. 1981)
Mua më vret rëndë ndërgjegjja për fajin që bëra. Por kjo nuk do të bëhet shkak që të pengohem në punë, që të ul tensionin e punës. Në të kundërtën, kjo më bën që të ndjej më thellë detyrimin që kam ndaj Partisë dhe ndaj popullit, për të bërë luftën e klasës me konsekuencë, në çdo drejtim dhe në çdo rast, siç na mëson shoku Enver, në përputhje të plotë në vijën e Partisë dhe gjer në fund, për të shkrirë gjithë energjitë edhe jetën, po qe nevoja, për mbrojtjen e vijës së Partisë në çdo aferë të veprimtarisë.
Nga ky gabim i rëndë unë jam përpjekur që të nxjerr mësimet e duhura, për të mos rënë më në gabime të këtilla:
Më duhet të jem më vigjilent ndaj armikut të klasës, të mbaj kurdoherë parasysh mësimin e Stalinit, eksperiencën e Partisë sonë edhe vetë eksperiencën time personale që del nga gabimi im në këtë rast, se rreziku vjen gjithmonë andej nga e ke fjetur mendjen, nga e ke ulur vigjilencën.
Vigjilenca ime, në këtë rast, qe dobësuar në drejtim të rrezikut të oportunizmit. Prandaj rashë në këtë gabim. Por më kurrë nuk do të shkas në gabime të kësaj natyre, do përpiqem të jem vigjilent, si nga rreziku i majtë, ashtu dhe nga rreziku i djathtë, siç na mëson Partia dhe shoku Enver.
Dhe jo vetëm në kuadrin e përgjithshëm të zbatimit të vijës së Partisë në luftën e klasave, por edhe në shkallën familjare.
– Do luftoj që kurrë të mos bie në njëanshmëri, por t’i shikoj çështjet gjithmonë në kompleks, t’i shikoj të gjitha anët dhe aspektet e çështjes, të çdo çështje, të lidhur me njëra- tjetrën, sipas dialektikës materialiste.
– Do përpiqem të jem më i kujdesshëm në edukimin e fëmijëve, për t’a zhvilluar luftën e klasave me konsekuencë edhe në familje, e të jem më i matur në marrjen e vendimeve edhe në çështjet familjare. Do luftoj që të jem më komunikues me shokët edhe për të tilla çështje të karakterit familjar.
– Do të kem kujdes që të ruhem nga mendimi i imunizimit nga gabime të tilla, që të jem gjithmonë konsekuent në luftën e klasave, si jashtë, në shoqëri, ashtu dhe brenda, në familje, si dhe nga shfaqet e mendjemadhësisë.
– Do të përpiqem të jem më i përmbajtur, më i ekuilibruar, në temperamentin tim që ngado njëherë është edhe eksploziv. Do ta mbaj gjithmonë “vëth në vesh” porosinë e shokut Enver se “mendja e parë është mendja e kalit”, domethënë për të mos shpejtuar, kur duhet ecur me kujdes, për ta matur mirë mendimin, para se të arrihet në vendim, në çdo rast.
Unë u premtoj shokëve të Byrosë Politike dhe i betohem Partisë e shokut Enver, se më në jetën time gabime të tilla të kësaj natyre, me karakter politike e ideologjik, parimor, nuk do të bëhen nga unë. Unë mund të gaboj rastësisht në punë, por jo të bëj më gabime të kësaj natyre.
Partia jonë, me pjekurinë e saj të madhe ideologjike marksiste – leniniste që ka arritur, nuk lejon kërkënd që të bëjë lëshime (ose teprime), që të bëjë gabime parimore, sikundër nuk më lejoi as mua në këtë rast.
Ndreqja e këtij gabimi që bëra unë tregon edhe forcën e Partisë, sepse edhe kur gabon një shok, atë e ndihmojnë shokët e tjerë që ta ndreqë gabimin, e ky është edhe një mësim i madh.
Këtu qëndron edhe forca e normës së kolegjialitetit në jetën e brendshme të Partisë sonë. Prandaj Partia jonë është e pathyeshme.
Armiku imperialist e revizionist e sulmon Partinë dhe shtetin tonë në frontin ideologjik dhe ky sulm është i gjithanshëm e kompleks. Armiku na sulmon në frontin ekonomik, për të na asfiksuar. Armiku na sulmon në frontin ekonomik, për të na asfiksuar.
Armiku përgatitet që të na sulmojë edhe ushtarakisht. Edhe unë, si gjithë shokët, kam luftuar dhe luftoj në të tre këta fronte kryesore kundër armikut.
Por, përpara sulmit ideologjik të armikut, në rastin për të cilin po bëj autokritikë, më rrëshqiti këmba, “më rrëshqiti këmba e djathtë”, por nuk u rrëzova për tokë se shokët, personalisht shoku Enver, më sinjalizoi, më dha dorën dhe më ngriti. Dihet se e mira është që mos të të shkasë këmba fare.
Kjo do të ishte gjëja më e mirë, por siç e vërteton vetë eksperienca edhe në rastin e gabimit tim, njerëzit edhe gabojnë. Veçse rëndësi vendimtare ka që kur të shket këmba të mos rrëzohesh, por të mbahesh, të ngrihesh e të ecësh vetëm përpara.
Kjo bëhet ose vetë nga personi që ka gabuar, kur e sheh se “i shkau këmba”, ose dhe me ndihmën e shokëve. Unë këtë e bëra me ndihmën e shokëve, me ndihmën e menjëhershme shoqërore, revolucionare, efektive që më dhe shoku Enver.
Por e siguroj Byronë Politike dhe shokun Enver, se edhe po ta ndjeja vetë se më kishte “rrëshqitur këmba” (e besoj se do ta ndjeja, qoftë edhe me vonesë), – sapo ta ndjeja vetë këtë, edhe pa sinjalizim të shokëve (megjithëse shokët kam bindjen se nuk do rrinin pa më sinjalizuar), do ta mblidhja veten dhe në atë rast, kam bindjen e plotë se do ta ndreqja gabimin e bërë dhe do të ecja përpara, vetëm në rrugën e Partisë.
Edhe një herë ju siguroj, shokë, se do të punoj dhe do të luftoj për Partinë e për popullin me besnikëri të pafund dhe gjer në vdekje, siç jam munduar ta bëj këtë gjatë gjithë jetës sime në Parti.
Tiranë, më tetor 1981 Mehmet Shehu
Dokumenti arkivor me shënimin e Enver Hoxhës, pas marrjes prej tij, të autokritikës së Mehmet Shehut
Shënim:
Kopjen e origjinalit ja ktheva Mehmetit
Këtë projekt autokritike, Mehmeti ma dha sipas insistimit të tij që ta lexoja dhe ta ndihmoja. Unë kur e kritikova për gabimin që bëri, ja thashë haptazi mendimet e mija. Ai vetë duhet të reflektonte dhe përsëri të reflektonte thellë për shkaqet e gabimit të tij, se pas leximit të këtij projekti autokritike, konstatoj cektësi dhe shumë shfajësime.
19 tetor 1981 Enver
Dokumenti arkivor me shënimin e shefit të kabinetit të Enver Hoxhës, Haxhi Kroi, lidhur me porosinë e marrë për t’i dërguar Mehmet Shehut, letrën e Enverit
Shënim: Origjinalin e këtij shënimi, shoku Enver e tërhoqi.
Me porosi të shokut Enver, sot më 28 tetor shkova ja dorëzova shokut Mehmet në shtëpinë e vet të mbyllur në një zarf, projekt-autokritikën që kish bërë për gabimin e madh që ka kryer duke zbutur luftën e klasave me fejesën e djalit me një vajzë me përbërje të keqe politike
28 tetor 1981 Haxhi Kroi
Dokumenti arkivor me letrën e Enver Hoxhës dërguar Mehmet Shehut, lidhur me autokritikën e parë të tij, të shkruar më 28 tetor 1981
Shoku Mehmet
E lexova me kujdes projekt-autokritikën tënde.
Unë kam biseduar gjatë dhe disa herë me ty, për gabimin që ke bërë në vijën e Partisë dhe nuk shoh një mundësi më të plotë për të të ndihmuar.
Megjithatë, në qoftë se më lejon që të ndihmoj në një drejtim, që nuk formon ndonjë gjë të re nga ato mendime të hapta dhe shoqërore që të kam thënë, mendoj:
1. Në projekt-autokritikën, ti i vë shumë rëndësi historikut se si u bë gabimi, duke vënë, bile dy herë dhe në radhë të parë “anët pozitive”, të profesor Turdiut, anët pozitive të paqena, përveç asaj që është profesor.
Ngjarja si u bë e mundur, të vihet vetëm me pesë radhë, prandaj nuk është e rrugës që të konsiderohen sikur janë “anët pozitive, ato që të bënë të gabosh, deri sa edhe djali vetë, siç e thua në autokritikë, të vuri në dijeni për anët armiqësore të Turdinjve dhe të Pipajave.
2. Si arsye të dytë kryesore, ti thekson, “sentimentalizmin”, tënd për djalin në veçanti. Kjo është një ndjenjë reale, jo vetëm për fëmijët, por një ndjenjë humantiare edhe karshi të tjerëve.
Vetëm se, sentimentalizmi për ne, marksistët, ka një kufi, që nuk duhet të kapërcehet, kur cënon interesin e Partisë dhe atë të përgjithshmin. Për ne, “sentimentalizëm”, do të thotë edhe ndjenja (zëmër), por edhe logjikë (tru).
Prandaj këtë problem, vlerësoje si duhet dhe sa duhet.
3. Natyrisht, me autokritikën tënde, ti ke vënë në dukje, po kalimthi, disa element negativë në karakterin tënd që shfaqen shpesh herë në punën shumë të frytshme që bën për interesin e Partisë, që ti e do dhe lë jetën për të.
Unë mendoj se në analizën më të thellë të këtyre elementëve negativë, do të gjesh arsyen e vërtetë të gabimeve.
Këto, si thonë në gjuhën franceze, “te jouent de mauvais tours”, d.m.th., të bëjnë të biesh në gabime.
Prandaj, mendoj se këtu qëndron burimi i fajit dhe i gabimeve dhe këto gabime, të bie t’i shikosh në sy, të kuptosh rrezikshmërinë e tyre dhe t’i korrigjosh seriozisht dhe në këtë drejtim, të jesh i sigurt, se do të kesh ndihmën e të gjithë neve, shokëve të t’u dhe të gjithë Partisë. Memorie.al