Analisti Fatos Lubonja, i ftuar në rubrikën “Opinion”, në “News 24”, ka komentuar luftën në Ukrainë. Sipas tij, plani i Putinit nuk ka qenë pushtimi mirëfilli, por rrëzimi i qeverisë.
Kjo shihet sipas Lubonjës, në faktin se Putin ka bërë thirrje që ushtria të bashkohet me Rusinë, por edhe në stepjen për të reaguar në shkallë të gjerë. Ajo që pritet të ndodhë sipas Lubonjës, është më e rrezikshmja.
“Kjo është tragjike. Jam shumë i shqetësuar. Se ku do të shkojë është e pa parashikueshme. Ajo që është më shqetësuese se a do të shkohet drejt konfliktit final? Ajo që po ndodh sot është që Rusia ka sulmuar me ushtri, ndërsa Evropa po armatos Ukrainën, ka hyrë ose s’ka hyrë në luftë. Siç e tha Biden, nëse ndërhyjmë i bie të ndodhë Lufta e III Botërore. Në Perëndim jepen shumë disidentë, sportistë, që janë shprehur kundra luftës, por nga ana tjetër këta nuk janë vendimmarrje. Në Vietnam, kanë protestuar edhe në SHBA, por u desh shumë kohë për të përfunduar. Analiza që bëj unë është që Putini ka bërë projekt për të rrëzuar qeverinë, për të ndërhyrë me shpresën se do të kishte më tepër popullaritet. Ai ka bërë një ndërhyrje që siç thonë analistët, është ndërhyrje për të hequr qeverinë, madje dhe ushtrisë i bëri thirrje duke thënë hajde kthehuni me ne.
Sot ishte lajmi që është goditur antena e televizionit. Analistët thonë se Putin nuk ka dashur të armiqësohet me popullsinë, por të rrëzojë qeverinë. E keqja nuk ka ardhur akoma thonë ata, sepse tani mund të fillojnë format më të ashpra. Putin ka menduar projektin e vet, por rreziku është se çfarë do të ndodhë më tej. Si do të zgjidhet. Nëse ky ashpërson, nga ana tjetër vijon lufta. Unë jam kundër, Putin ka përgjegjësinë kryesore, por edhe ata që kanë në dorë për të ndaluar, Evropa dhe SHBA, duhet të përdorin të gjitha mjetet. Duket sikur po luajnë me Ukrainën. Atje është një tmerr i atyre njerëzve. Nuk po shoh zgjidhje, të paktën për momentin. Mendohet se duhet të rezistohen këta, e në fund Putini do të rrëzohet. Nuk e di, është e pa njohur. Lavrov ka bërë deklaratë të egër, duke thënë se nuk është e kollajtë të heqësh Putinin”, tha Lubonja.