MENU
klinika

Editoriali i The Guardian

Luftërat e harruara: Si Perëndimi i ktheu sytë vetëm nga Ukraina…

18.03.2022 - 18:27

Sulme ndaj spitaleve dhe punonjësve të kujdesit shëndetësor. Sulmet e përshkallëzuara duke marrë jetën e civilëve, duke përfshirë fëmijë. Një krizë humanitare në rritje, me një numër të madh të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre. Një shpërfillje flagrante ndaj jetës njerëzore.

Këto skena të tmerrshme janë dëshmuar jo vetëm në Ukrainë, ku pushtimi brutal i Vladimir Putinit ka tronditur botën, por në luftëra të tjera anembanë globit që kanë humbur kryesisht nga vëmendja e publikut – në Mianmar; në Etiopi; në Jemen; në Siri, ku lufta hyri në vitin e 12-të këtë javë.

Lufta e Ukrainës dikur ishte gjithashtu në hije: konflikti i gjatë në Donbas ishte harruar kryesisht derisa trupat ruse filluan të grumbulloheshin në kufijtë e vendit në fund të vitit të kaluar.

Në secilin prej këtyre rasteve, paralelet apo lidhjet me atë që po ndodh atje tani shkojnë përtej vuajtjes, vdekjes dhe shpërnguljes masive. Për sirianët në enklavën rebele të Idlibit, të cilët e panë Rusinë të shpëtonte Bashar al-Assad-in, taktikat e saj në Ukrainë dallohen me dhimbje: “Fortifikoni spitalet; armiku Putin nuk bën dallim mes civilëve, njerëzve të plagosur dhe luftëtarëve,” tha një mjek.

Trupat siriane po rekrutohen për të luftuar përkrah forcave ruse në Ukrainë.

Në Etiopi, gjithashtu, punonjësit e shëndetësisë janë sulmuar dhe shkeljet groteske të ligjeve të luftës janë bërë normë.

Në Jemen, më shumë se 4 milionë njerëz janë zhvendosur dhe përshkallëzimi i dhunës e bëri janarin muajin më vdekjeprurës për civilët që nga viti 2018.

Në Mianmar, forcat ushtarake dhe të sigurisë kanë kryer abuzime sistematike, duke bombarduar zonat e populluara me sulme ajrore dhe armë të rënda dhe duke synuar qëllimisht civilët.

Komisionerja e lartë e OKB-së për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet, i kërkoi të hënën komunitetit ndërkombëtar të marrë “masa të bashkërenduara dhe të menjëhershme” për të ndalur  dhunën.

Ndërsa BE kohët e fundit zgjeroi sanksionet ndaj një kompanie shtetërore të naftës dhe gazit, SHBA ka qenë e ngadaltë për të vepruar.

Megjithatë të tjerë kanë frikë se konflikti në Ukrainë do të tërheqë vëmendjen politike dhe burimet e nevojshme për të vënë nën presion gjeneralët.

Ndërkohë, agjencitë e ndihmës zbulojnë se konfliktet e shumta, kushtet katastrofike në Afganistan dhe ajo që përshkruhet si kriza më e keqe e urisë në Sudanin e Jugut, i kanë lënë ata të ndarë mes zgjedhjeve të zymta.

Nevojitet më shumë fonde humanitare, krahas vullnetit politik dhe diplomatik.

Viktimat e këtyre luftërave të tjera meritojnë të njëjtin nivel mbështetjeje dhe solidariteti që shihet me të drejtë për popullin e Ukrainës.

Ato që tashmë janë shumë shpesh të anashkaluara nuk duhet të shtyhen më tej në hije.

Burimi: The Guardian

Përktheu dhe përshtati: Konica.al