MENU
klinika

“Mos e bëni gjumin të qetë!”

Mega-operacion në të gjitha Kadastrat e Shqipërisë

26.03.2022 - 10:02

Një ditë pas arrestimit të disa zyrtarëve dhe ish-zyrtarëve të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në Sarandë, Ministria e Drejtësisë paralajmëron të tjera arrestime në lidhje me abuzimet që bëhen me pronat veçanërisht në bregdet.

Kreu i këtij institucioni, Ulsi Manja, theksoi se një mega-hetim po zhvillohet në të gjitha zyrat e Kadastrave në vend, duke veçuar zonat bregdetare, atje ku korrupsioni dhe abuzimi është më i madh për shkak të çmimit të lartë të pronave dhe përfitimeve nga turizmi. Manja tha se abuzimet më të mëdha janë bërë me pronat shtetërore.

“Nuk kemi mbaruar punë as në Kadastrën e Sarandës dhe as në të gjitha Kadastrat e Shqipërisë. Drejtoria Antikorrupsion në Ministrinë e Drejtësisë ka në proces një super-hetim me të gjitha abuzimet me pronën publike dhe private, nga Veriu në Jug, me fokus të veçantë bregdetin. Dosja e hetimit është e shtrirë në kohë që në momentet kur kanë filluar abuzimet me pronat publike dhe private, jo vetëm të periudhës kur kemi qeverisur ne. Pas përfundimit të këtij hetimi, rezultatet konkrete do të jenë në duart e SPAK-ut jo thjesht si raste individuale, por si abuzime me pronat publike dhe private në formën e abuzimit. Dua të jem i qartë, si koordinator i luftës kundër korrupsionit, e them qartë; çdo abuzues me pronën publike dhe private, çdo nëpunës publik i këtij shteti që shet detyrën, do të përballet me forcën e ligjit”, ka thënë Manja.

Ministri i Drejtësisë ka përshëndetur veprimet e shpejta të prokurorisë menjëherë pas një kallëzimi të bërë nga Drejtoria Antikorrupsion, që ka çuar në arrestimin e disa zyrtarëve e ish-zyrtarëve të kadastrës në Sarandë.

APELI PËR PROKURORINË

Ministri i Drejtësisë ka nxitur Prokurorinë që të vazhdojë të rrisë performancën e saj. “Unë e nxis prokurorinë të rrisë performancën e saj edhe për të tjera kallëzime të bëra nga Agjencia Antikorrupsion.

Asnjë zyrtar dhe ish-zyrtar abuzues në dyert e shtetit, tanimë nuk duhet të ndihet i sigurt dhe as ta bëjë gjumin e qetë”, është shprehur ai. Manja ka falënderuar edhe qytetarët, të cilët me denoncimet e tyre, bëhen pjesë e luftës antikorrupsion.

Megjithatë ai u bëri thirrje qytetarëve që të denoncojnë menjëherë sapo zyrtari apo zyrtarët i shtyjnë drejt korruptimit, apo nuk u ofrojnë shërbim.

“Së dyti, dua të falënderoj qytetarët që denoncojnë. Kallëzimi, hetimi dhe aksioni i djeshëm ka ardhur pas denoncimit nga një qytetar. Por, dua po ashtu të ftoj qytetarët se denoncimet nuk duhet t’i bëjnë vetëm pasi ata të mos zgjidhin hall.

Por menjëherë sapo zyrtarët i shtynë në korrupsion apo nuk u japin shërbimet sipas ligjit. Nëse qytetari mbaron ‘punë’ me zyrtarin dhe pastaj ankohet, minimumi është bashkëpunëtor në nxitjen e korrupsionit. Ne duhet ta zhdukim mentalitetin e zgjidhjes së hallin me paligjshmëri apo me para nën dorë”, u shpreh ai.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Prokurorët kërkojnë disa dosje

SPAK zbarkon në Hipotekën e Vlorës