Çmimi i naftës ka pësuar një rritje stratosferike ditët e fundit ndërkohë që prej vitit 2021, është shtrenjtuar tetë herë, duke arritur në rreth 240 lekë aktualisht.
Edhe pse kjo rritje i është faturuar luftës në Ukrainë, shtrenjtimi është sinjalizuar që para nisjes së saj duke hedhur pjesërisht poshtë këtë argument.
Ka qenë vetë ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, e cila në fillim të muajit shkurt u shpreh se kjo rritje e çmimit të naftës do të vijojë për një periudhë 6 mujore, duke shtuar se ka një rritje edhe për nënproduktet e tjera.
“Në fakt tregu i monopolizuar nuk shfaq këto parametra. Çmimet e bursës dhe nënproduktet ka muaj që janë në rritje. Ka që në 2020 që ka nisur një rritje do të vazhdojë për 6 muaj të tjerë. Detyrimisht do ketë rritje të çmimit të naftës”, u shpreh ajo për Euronews Albania duke shtuar se qeveria nuk ka politika për rimbursim.
“Këtë 6 mujor do shohim si do ecë rritja e çmimit të naftës, jemi me monitorim. Ende asnjë politike për rimbursim të politikës së naftës, siç kanë bërë vendet jashtë”, tha Ibrahimaj.