MENU
klinika

Një skenar i mundshëm

NATO nuk duhet ta përjashtojë vrasjen e Putinit

13.03.2022 - 20:01

        Aleatët perëndimorë nuk duhet të përjashtojnë mundësinë e vrasjes së Presidentit rus Vladimir Putin, – thotë komandanti i ushtrisë britanike në pension, Richard Kemp.

Për kolonelin britanik, për t’i dhënë fund kësaj mizorie të pakonceptueshme që po shpaloset në Ukrainë, Aleanca Atlantike do të duhej të merrte në konsideratë edhe këtë skenar.

Duke përmendur si shembuj ish-udhëheqësin e Al Kaedës, Osama bin Laden dhe ish-udhëheqësin e Shtetit Islamik, Abu Bakr al-Baghdadi, Richard Kemp tha se ata ishin vrasës të njerëzimit, sipas gazetës britanike “Mirror”.

“Por, Putini është ‘kërcënim i përhershëm dhe vdekjeprurës’,” – tha koloneli, i cili komandonte trupat britanike në Afganistan.

“NATO duhet të shqyrtojë të gjitha mundësitë, për t’ia hequr pushtetin. Kjo do të përfshinte edhe vrasjen e tij, paçka se gjasat nuk janë.”

Për të, “Presidenti rus, së paku duhet të gjykohet për krime lufte”.

“Do të ishte më mirë ta shihje Putinin të pushohej, arrestohej dhe të gjykohej, qoftë në Rusi ose në Gjykatën Penale Ndërkombëtare. Por, këto nuk ka gjasa të materializohen.”

Komandanti në pension i ushtrisë britanike nxitoi të sqarojë se, ndërsa vrasja mund të jetë e papranueshme për shumë njerëz, gjithashtu mund të jetë mënyra e vetme për t’i dhënë fund luftës, si dhe për të parandaluar konfliktet e ardhshme.

“Nëse po flasim për vrasje, mund të jetë e pakëndshme për shumëkënd, por jeta e Putinit, nuk ka vlerë më të madhe se jeta e mijërave që ai ka vrarë tashmë në Ukrainë dhe gjetkë, si edhe mund të vrasë në të ardhmen”, – përfundoi ai.