Farfuritës dhe të përkohshëm, zambakët e ujit tregojnë hulumtimin e bukurisë dhe meditimet e një artisti të jashtëzakonshëm të shekullit të njëzet./Konica.al
Historia e Klod Monesë (Claude Monet) (1840-1926), atit të rrymës artistike të impresionizmit, e ka origjinën pranë Parisit, në Giverny, ku artisti jetoi dhe ku filloi të pikturonte në vitet 1880. I magjepsur nga ajo që ai e quajti “aspekti i ndryshueshëm i natyrës”, Mone gjatë gjithë jetës së tij iu përkushtua pikturës në ajër të pastër (“en plein air “) për të qenë në gjendje të kuptonte ngjyrimet delikate, që drita dhe ajri gjenerojnë në çdo detaj të natyrës. Shtëpia e tij kishte dy kopshte të mrekullueshëm, për të cilët kujdesej personalisht: një me planimetri tradicionale, kryesisht gjeometrike; tjetri një kopsht ujor i konceptimit oriental, i pasur me bimë ekzotike dhe me disa elemente arkitekturore, si ura japoneze që shfaqet në pikturat e tij. Si një vepër e madhe e gjallë, i mbushi me shpatore, lulëkuqe, tulipanë, trëndafila dhe, natyrisht, zambakë uji të mahnitshëm.
Qëllimi i artit të Monesë ishte të kapte emocionin e çastit, sikur dikush shikon diçka për herë të parë. Kësisoj ai shfrytëzoi metodën e “pikturimit në seri” të zambakëve të ujit pikërisht për të parë atë temë të saktë, për të parë herë pas here se çfarë ndryshonte në krahasim me pikturën e mëparshme dhe si ndryshonin ngjyrat nga mbrëmja në mëngjes, nga agimi në perëndim, nga dimri në verë. Si rrjedhojë, kur Mone pikturonte nimfat e tij të dashura të ujit, ai nuk u fokusua në paraqitjen e detajeve specifike, por donte të krijonte një vizion të përgjithshëm, duke u përpjekur të shfrytëzonte sa më shumë tonalitetet, interpretimet e dritës në ujë dhe pasqyrimet e saj piktoreske në orët e ndryshme të ditës dhe në stinë të ndryshme. Në tablotë e zambakëve të ujit, si dhe në serinë e famshme të Katedrales së Ruenit, përsëritja e së njëjtës temë diktohet nga dëshira për të kapur atë motiv në çastin e tanishëm dhe të papërsëritshëm.
Si pasojë, Mone gjatë gjithë rrugëtimit të jetës së tij, qe në gjendje të pikturonte i zhytur në natyrë dhe për ta bërë këtë duhej jo vetëm ta shihte, por ta ndjente në të gjitha fenomenet e saj. E shndërroi natyrën në atelienë e tij, atë atelie që ndryshonte sa herë ndryshonte peizazhi, subjekti, këndvështrimi.
Krijimi i serisë së zambakëve të ujit lindi nga melankolia e diktuar nga vetëdija për natyrën e përkohshme të bukurisë. Cikli i zambakëve të ujit përbëhet nga 250 piktura, tashmë të shpërndara në muzetë më të rëndësishëm në të katër cepat e globit. Mirëpo, pas atyre pikturave, veçanërisht në ato më afër vdekjes së tij, fshihet edhe dhimbja e një artisti të madh që luftoi kundër sëmundjes së tij. Tashmë i verbër, ai vdiq nga kanceri në mushkëri në vitin 1926, në moshën 86-vjeçare, në cepin e tij të parajsës, në Giverny./Konica.al