Të thuash që Biden, po tregohet shumë i dobët ndaj Putinit, nuk do të thotë se je pro Putinit. Përkundrazi, ti po kërkon që politikani që supozohet se është njeriu më i fuqishëm i planetit, ta ndalë Putinin në këtë ndërmarrje të rrezikshme.
Unë besoj, se presidenti amerikan, me një telefonatë mund ta bëjë. Për ta mbështetur këte pohim, kemi shembullin e John Kennedy-it, i cili, i tha Hrushovit ”hiqi raketat brenda 24 orësh ose do të qëlloj”. Dhe Hrushovi, u bind pa e zgjatur.
Putini sot, nuk është me i fuqishëm sesa Hrushovi atëherë. BRSS atëherë, kishte forcë më të madhe në botë, sesa Putini sot. Hrushovi kishte gjithë republikat brenda, kishte gjithë Europën Lindore, kishte dhe shumë vende në Amerikën Latine, që ishin prorusë.
Së fundmi, Dan Bongino pohon se, Trump, gjatë mandatit të tij, ka kërcënuar Putinin me të njejtën gjuhë, për mosndërhyrje në Ukrahinë. Fakti është, që Putini nuk bëri asnjë lëvizje, gjatë 4-vjeçarit të Trumpit.
Politikani gjykohet nga veprat që bën, jo sa bukur flet. Politikan i mirë është ai që merr vendime të guximshme në momente të vështira, jo ai që dërdëllit fjalë të bukura, sa për t’i dhënë kohë vetes që një krizë tjetër, të bëjë që të harrohet kriza e tanishme.
Putini ka 22 vjet në pushtet. Besoj të gjithë biem dakord, që ai kërkon të risjellë Rusinë cariste. Duke pranuar këtë, nuk qetësohem po të filloj të them që, Putini është djall. Ajo që do të më qetësonte, do tëishte sjellja e SHBA-së dhe e Europës, ndaj Putinit. Më intereson si zgjidhet një problem, jo të shfryj emocionet e mia, që nuk rregullojnë asgjë.
Pra, gjatë këtyre 22 vjetëve, sjellja e Putinit, nuk ka ndryshuar. Ndryshoi vetëm, presidenti në Shtëpinë e Bardhë.
Edhe njëherë, të dalësh në këtë konkluzion, nuk do të thotë që je pro Putinit, por shpreh shqetësimin tënd të ligjshëm dhe të bazuar në fakte, që Amerika, sot ka presidentin më të dobët se kurrë më parë. Por mendoj, se nuk kemi parë gjë akoma. Mbasi mbaruan Lojërat Olimpike, edhe Kina do bëjë të njejtën gjë, me Taivanin.
Një president amerikan i dobët, sjell konflikte në botë.
©Rob Kore
Flasshqip.ca/Konica.al