MENU
klinika

ANALIZË EKONOMIKE

Paketa e duhur për Krizën

14.03.2022 - 19:29

Igli TOLA 

Milton Friedman, nobelisti i ekonomisë thoshte se gabimi më i madh që bëhet sot është që politikat dhe programet gjykohen nga qëllimet e jo nga rezultatet. Në këtë ‘grackë’ duket se ka rënë edhe lidershipi ynë, që në ‘ethet’ e protestave masive popullore (nisur në Tiranë para Kryeministrisë dhe tani shtrirë në shumë qytete të tjera) po mundohet të bëjë ‘lëshime tek-tuk’ pa një studim për efektet e tyre, vetëm e vetëm të qetësojë ‘revoltën qytetare’.

Masat e prezantuara deri tani duket se në rastin më të mirë janë të pastudiuara për të dhënë efektin e nevojshëm në ruajtjen e nivelit të ardhurave reale te familjet e thjeshta shqiptare
dhe të pamjaftueshme për gjithë shtresat e prekura nga kjo krizë çmimesh; dhe në rastin më të keq në afat-mesëm munden të sjellin efekte ‘boomerang’ të padëshiruara.

1) Për hidrokarburet (naftën dhe nënproduktet e saj) zgjidhja kurrsesi nuk mund të vijë nga një komision ad-hoc që do të kontrollojë dhe diktojë çmimet e mbi 1400 operatorëve të shitjes me pakicë.

Legjislacioni ynë ka parashikuar një sërë institucionesh në nivel qendror dhe vendor për të kontrolluar dhe mbikëqyrur tregjet: Autoriteti i Konkurrencës, Hetimi Tatimor etj.

Ndaj punën e tyre nuk mund ta zëvendësojë kurrsesi Bordi i sapocaktuar, por institucionet e sipërpërmendura duhet të nisnin me një kontroll të inventarëve, marzheve të fitimit, kostove për gjithë tregtarët e karburanteve; e më pas kur tregu në tërësi të disiplinohej pas këtij ‘kalimi në sitë’ duhet të shihet me domosdoshmëri një lehtësim i ngarkesës tatimore për këtë produkt. Minimalisht, heqja e akcizës ose reduktimi i TVSH për një periudhë disamujore, sa tregjet ndërkombëtare të shkojnë në ekuilibër persëri do të ishte imediate jo vetëm për qytetarët që kanë në përdorim mjete private transporti, por për të gjithë pasi nafta e gazi janë lëndë e parë, e kësisoj pjesë e rëndësishme e kostove për shumë sektorë imediatë: nga bujqësia te industria.

2) Tregjet e ushqimeve bazë për popullatën dukshëm kanë pësuar një inflacion ‘galopant’ të çmimeve, për shkak të varësisë së madhe të vendit tonë në sigurimin e ushqimeve nga importet dhe shkallës së ulët të vetëplotësimit të nevojave për këto ushqime nga prodhimi vendas bujqësor e blegtoral.

Në vendin tonë sektori i bujqësisë zë rreth 21% të GDP, edhe pse kemi kushte të shkëlqyera klimatike, toka pjellore dhe pasuri të madhe të kullotave natyrore. Importojmë afro 800 milionë euro ushqime në vit, e fatkeqësisht marrim nga jashtë edhe ato produkte që mund t’i prodhonim, madje edhe me tepricë: si gruri për bukë, mishi, qumështi dhe nënproduktet e tij, madje edhe perimet e zarzavatet…

Operacioni që duhet të ndërmarrë shteti në këtë treg është akoma më kompleks.

– Së pari, për produktet bazë të shportës: vezë, bukë, qumësht, oriz, makarona e perimet kryesore duhet një kontroll i tregut të shumicës për të evidentuar situatat e mundshme të abuzimit me çmimet apo marrëveshjeve oligopoliste. E vetëm pas këtij aksioni, të ndërhyhet duke ulur ose zeruar TVSH-në e këtyre produkteve (pasi në qoftë se ky veprim ndodh përpara, gjasat janë të larta të mos reflektojnë në uljen e çmimit dhe një pjesë e tregtarëve thjesht të rrisin marzhet e fitimit).

– Ndërkohë, për t’i shërbyer sadopak nxitjes së fermerëve dhe blegtorëve vendas për rritjen e kapaciteve prodhuese së paku duhet t’i ndihmojmë të përballojnë kostot e disafishuara të lëndëve të para; përmes heqjes së TVSH për çdo input a lëndë të parë të sektorit bujqësor dhe agro-përpunues.

3) Njëkohësisht qeveria në bashkërendim me Bankën e Shqipërisë, duhet të arrijë një akord me gjithë bankat e nivelit të dytë dhe njësitë e tjera kredi-dhënëse për të lançuar një program, minimalisht tremujor (me opsion shtyrjeje, në varësi të rrjedhës së ngjarjeve ndërkombëtare), për t’i shtyrë pagimin e kësteve të kredive të marra nga qytetarët dhe bizneset. Një ‘periudhë Grace’ që iu jep frymëmarrje të përballojnë çmimet e rritura.

4) Së fundmi, ambasadat dhe përfaqësuesit tanë diplomatikë të obligohen për të punuar në drejtim të vendosjes së kontakteve me operatorë të ndryshëm ekonomikë, për të siguruar alternativa furnizuese me lëndë të para, ose mallra që deri më para i importonim nga Rusia e Ukraina. Qasja e larmishme në tregje ndërkombëtare do të jetë garanci që qytetarëve në plan afatgjatë mos t’iu mungojnë mallrat esencialë për jetesën dhe me çmime të favorshme.

PhD (c). Ll.M. Igli TOLA

Pedagog, ekspert ekonomie

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN