MENU
klinika

Nis procedura për zëvendësimin e Alqi Bllakos/ Hapat që do ndiqen

Pandeli Majko rikthehet në Parlament! Kuvendi shpalli sot vakancën

31.03.2022 - 10:42

Drejtuesja e seancës së sotme parlamentare lajmëron shpalljen e vakancës së krijuar nga heqja dorë nga mandati i deputetit socialist Alqi Bllako, i cili vendosi të ishte në dispozicion të organeve të drejtësisë.

Ky veprim erdhi pasi SPAK i kërkoi Kuvendit lejimin e arrestimit të Alqi Bllakos dhe dhënien e autorizimit për arrestimin e tij, pasi ndaj tij ka ngritur akuzat e “shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”. Pas marrjes së dorëheqjes nga deputeti, Kuvendi përmes një shkrese zyrtare njoftoi SPAK, se shtetasi Alqi Bllako nuk është më deputet i Kuvendit pasi se me dijeni dhe vullnet të plotë dorëzon mandatin e deputetit nëpërmjet heqjes dorës nga ky mandat.

Duke iu referuar nenit 71, pika 2, shkronja “b” të Kushtetutës, mandati i deputetit Alqi Bllako mbaron për arsye të heqjes dorë nga mandati. Duke u bazuar në rregulloren e Kuvendit, kërkesa e Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk është më objekt i shqyrtimit nga Kuvendi dhe se Alqi Bllako tashmë është një ish-deputet, një shtetas i lirë dhe pa imunitet.

ÇFARË NDODH?

Përpos njoftimit të SPAK, Kuvendi ka për detyrë që në seancën e parë, sot, të shpallë vakancën e mungesës së një deputeti në Parlamentin e dalë nga zgjedhjet e 25 prillit. Për këtë arsye, administrata e Kuvendit duhet t’i dërgojë një shkresë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, si institucioni që organizon procesin e zgjedhjeve për nisjen e procedurave për zëvendësimin e vakancës së krijuar.

KQZ, pasi merr në shqyrtim kërkesën si pjesë të procedurës, bën kontrollin e vakancës që ka lidhje me subjektin politik, qarkun dhe gjininë. KQZ shqyrton rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit për të përcaktuar se kujt nga lista shumemërorë i takon mandati. Deputeti i dorëhequr i përket Partisë Socialiste, i zgjedhur në qarkun e Tiranës dhe është mashkull. KQZ në bazë të rezultateve të zgjedhjeve të 25 prillit, kërkon në listën e PS-së në qarkun e Tiranës, për kandidatin mashkull që ka marrë më shumë vota dhe është renditur pas deputetit të larguar Alqi Bllako.

Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve të 25 prillit dhe ndryshimeve të listës për shkak se dy deputetë socialistë thyen herësin, marrja e mandatit i takon Pandeli Majkos. Ish-Kryeministri socialist në zgjedhjet parlamentare arriti të marrë 8785 vota, por nuk e theu dot herësin pasi ishte i renditur i 19-ti në listë, një më pak se numri i deputetëve që mori PS në qarkun e Tiranës.

Pas procedurës së verifikimit se mandati i deputetit i takon Pandeli Majkos, KQZ njofton me një shkresë Kuvendin dhe e vë në dijeni për plotësimin e vakancës. Nga ana e tij, Kuvendi nis menjëherë vazhdimin e procedurës dhe në seancën e parë pas njoftimit nga KQZ bëhet betimi si deputet i kandidatit. Pandeli Majko pritet të rikthehet në Kuvend pas disa muajsh mungese, pasi nuk u zgjodh më 25 prill.

DORËHEQJA

Deputeti socialist Alqi Bllako ka dorëzuar në Kuvend letrën e dorëheqjes së tij nga mandati i parlamentarit për t’i hapur rrugë vënies në dispozicion të drejtësisë lidhur me hetimin që është hapur ndaj tij për çështjen e inceneratorëve. Në letrën e dorëzuar rreth orës 15:50 minuta, të siguruar nga gazeta “Panorama”, Bllako thekson se ka bindjen e plotë që në fund do provohet pafajësia dhe ndershmëria e tij në detyrën e ushtruar.

“Me anë të kësaj shkrese, ju bëj me dijeni se me vullnet të plotë dorëzoj mandatin parlamentar si deputet i Partisë Socialiste të Shqipërisë, Qarku Tiranë, referuar kërkesës së SPAK drejtuar Kuvendit të Shqipërisë. Me bindjen e plotë se në fund të këtij procesi do të provohet pafajësia, integriteti dhe ndershmëria ime në detyrën e ushtruar, me këtë akt personal vihem në dispozicion të plotë të drejtësisë, duke gjykuar t’i hap rrugën e pakushtëzuar proceseve të mëtejshme të organeve të drejtësisë”, shkruan Bllako në letrën e tij drejtuar Kuvendit për dorëzimin e mandatit.

“Precedenti” Tahiri, si u veprua me ish-ministrin e Brendshëm socialist

Debati dhe përplasja për mbajtjen e mbledhjes së Këshillit të Rregullores, Mandateve dhe Imuniteteve për heqjen e mandatit të një deputetit të PS-së, Alqi Bllako, ka rikthyer në vëmendje të opinionit publik edhe rastin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. “Precedenti” i krijuar në tetor të vitit 2017 me ish-ministrin e Brendshëm ka pak ngjashmëri me rastin e tanishëm.

Kjo, pasi Tahiri nuk pranoi të dorëzojë mandatin e deputetit, ndryshe nga Bllako. Ish-ministri, duke mos pranuar dhe kundërshtuar akuzat e ngritura ndaj tij, në një seancë publike të mbledhjes së Këshillit të Mandateve të 20 tetorit, iu përgjigj pyetjeve të tre prokurorëve dhe anëtarëve të komisionit.

Kjo seancë për heqjen e mandatit të Tahirit u cilësua si një “gjyq publik” ndaj ishministrit. Ndërsa deputeti Bllako për të “shmangur” ballafaqimin në publik me prokurorët e SPAK dhe anëtarët e komisionit hoqi dorë nga mandati i deputetit dhe u vendos plotësisht në dispozicion të drejtësisë. Bllako deklaroi se:

“Me bindjen e plotë, në fund të këtij procesi do të provohet pafajësia, integriteti dhe ndershmëria ime në detyrën e ushtruar”. Ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, akuzohej për përfshirje në grup të strukturuar kriminal. Megjithatë, Tahiri hoqi dorë nga mandati në fillim të muajit maj, duke u vënë në dispozicion të organeve të drejtësisë dhe për t’i hapur rrugë procesit në ngarkim të tij. Ai u dënua në 2022 me 3 vite e 4 muaj burg për “Shpërdorim të Detyrës”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çfarë do të ndodhë sot në Këshillin për Rregulloren

SPAK kërkon t’i hapet rruga për arrestimin e Alqi Bllakos

Nga Lefter Koka, Sekretar i Përgjithshëm te Meta

Kush është Alqi Bllako, që SPAK kërkon arrestimin e tij

"Përgjegjësi individuale, PS është lokomotivë"

SPAK kërkon arrestimin e Alqi Bllakos, reagon ministri Manja