MENU
klinika

Makthi i një spiuni

Putinit i ka ngelur ora në vitin… 1989

18.03.2022 - 17:05

         Për shumë analistë, obsesioni i Vladimir Putinit për të rikthyer pushtetin sovjetik, është mëse logjik.

Si ish-anëtar i KGB-së, i formuar gjatë Luftës së Ftohtë, kreu i shtetit rus 70-vjeçar, ndjek kryesisht modelet e adoptuara në rini. Kushdo që dëshiron ta kuptojë sot Putinin, duhet të dijë historinë e tij si agjent i KGB-së, por veçanërisht, ngjarjet traumatike të nate në fund të viteve 1980, në Gjermaninë Lindore.

Në krye të herës, le të themi se Putini, nuk ishte nga spiunët “krem” të KGB-së.

Ndonëse shpesh portretizoheshin si të tillë, spiunët më elitarë dhe më të aftë sovjetikë, e kishin shtrirë aktivitetin në qendrav të mëdha, si: Nju Jorku, Uashingtoni, Londra dhe të tjera pika kyçe të botës perëndimore. Përkundrazi, në Dresden –  zonë e parëndësishme strategjike, ai ishte një mbikëqyrës i zakonshëm për Moskën, i Stasit të Gjermanisë Lindore, policisë sekrete të shefit të atëhershëm të RDGJ-së, Erich Honecker.

Platov, ishte pseudonimi i asaj kohe

Në vitin 1975, i sapodiplomuar për drejtësi ndërkombëtare në Universitetin e Leningradit, Putini u punësua nga shërbimet sekrete sovjetike.

Pesë vjet më vonë, kur do të ishte nënkolonel, i martuar me ish-stjuardesën e “Aeroflot”, Ludmilla Alexandrovna Skrebneva dhe baba, ai u dërgua si shef misioni në Dresden, në RDGJ, në mbledhjen  e informacionit mbi disidentët, si dhe për të vlerësuar punën e kolegëve.

Tanimë, me pseudonimin Platov. Kryeqyteti i Saksonisë i hyri në zemër, megjithëse pikërisht aty filloi të lëkundet universi i tij. Këto ishin vitet e perestrojkës së Gorbaçovit dhe që, udhëheqësit komunistë të Gjermanisë Lindore, e refuzuan.

Nata e vitit 1989, që e ndryshoi përgjithmonë Putinin

Natën e 5 dhjetorit 1989. Më pak se një muaj, pas rënies së Murit të Berlinit dhe nënkoloneli Putin, i cili, kishte kaluar ditë e net duke djegur dokumente konfidenciale, thirri garnizonin sovjetik të vendosur në Potsdam, duke kërkuar ndihmë dhe ndërhyrje të armatosur. Një turmë e zemëruar kishte rrethuar ndërtesën e KGB-së, me kërcënimin se do ta sulmonte. Përgjigja ishte negative: “Ne presim urdhra nga Moska, por qendra hesht”.

Ajo fjali, e shënjoi përgjithmonë jetën e tij.

Paraliza e pushtetit dhe kaosi i sheshit, prej atëherë u bënë makthi i Putinit. Sikurse tha në vitin 2000, kur u zgjodh president i Rusisë, “në ato rrethana, funksionon vetëm një gjë: duhet të godasësh më parë dhe të godasësh aq fort, sa kundërshtari yt, të mos jetë më në gjendje të ngrihet”.”Ne do të kishim shmangur shumë probleme,” – shtoi ai, – “nëse nuk do ta kishim lënë kaq shpejt, Evropën Lindore.”

Më e rënda, sipas Putinit, ishte rënia e mëvonshme e Bashkimit Sovjetik, kur shkëputja e republikave, veçanërisht e atyre sllave, “i bëri rusët, grupin etnik më të madh në botë, që ndahej me kufijtë shtetërorë”.

Ndoshta atë natë, tek ai kishte lindur misioni… për ta ribashkuar atë.