MENU
klinika

Kur lindi "Pajtimi Kombëtar"

Shqiptarët e dëshpëruar të marsit… të 97-ës

11.03.2022 - 19:41

         Reporteri dhe fotografi për agjencinë “Reuters”, Yannis Behrakis, do ta rrëfente kështu realitetin tronditës, të atyre ditëve të vështira për shqiptarët e varfëruar deri në rrënim edhe me firmat piramidale…

“Po mbuloja trazirat në Shqipëri pas falimentimit të skemave piramidale. Civilët shqiptarë kishin humbur 1,2 miliard dollarë dhe Shqipëria u zhyt në rrumpallë (disorder) civile dhe dhunë. Qeveria ra dhe u vranë 2 000 veta.

Kolegu im i ndjerë Kurt Schork [1947-24 maj 2000, i vrarë në Sierra Leone – “Dyrrah”-u] dhe unë ishin të vetmit përfaqësues të shtypit, që po qëndronim në një hotel, ku pronari i armatosur na mbrojti nga banditë, të cilët do të grabisnin çdo gazetar që guxonte të vinte vetëm për të ndjekur ngjarjen.

Pronari këmbëngulte të vendosnim kallashnikovë dhe granata dore në raftet e dhomave tona “për të mbrojtur veten në rast nevoje”, – siç tha ai.

Më 16 mars [1997] shkuam me makinë në plazhin e Golemit, ku dy helikopterë amerikanë ishin ulur, duke krijuar një stuhi rëre sapo qindra shqiptarëve të dëshpëruar u mblodhën në këtë zonë, duke shpresuar t’i merrte një helikopter për t’i nxjerrë jashtë vendit.

I verbuar nga rëra kam shkrepur disa foto kur një burrë shqiptar që mbante fëmijën e tij vrapoi drejt helikopterit. Rreth një duzinë marinsësh amerikanë kërcyen nga “Super Stallion”-i dhe u treguan shqiptarëve pushkët mësymëse M-16. Burri me fëmijën po u lutej ushtarëve ta lejonin të hipte në bord. Dukej qartë se marinsët ishin të befasuar nga turma dhe më pyetën se çfarë po ndodhte, dhe nëse kisha parë ndonjë të huaj që po përpiqej të largohej.

U shpjegova se këta njerëz ishin thjesht të dëshpëruar dhe donin të largoheshin nga Shqipëria, dhe se mendonin që helikopterët ishin atje për t’i marrë e çuar në një vend të sigurt. Situata po dilte jashtë kontrollit dhe pati disa të shtëna paralajmëruese dhe njerëzit u goditën me qyta pushkësh. Fakti që vendosëm të merrnim në sy rrezikun dhe të qëndronim në Durrës, u shpërblye. Gazetat në të gjithë botën i vunë këto foto në faqet e para”.

Më 11 mars të vitit 1997, u votua për krijimin e qeverisë së “Pajtimit Kombëtar” – qeveri që do të drejtonte ekzekutivin e vendit deri më 29 qershor 1997.

Në pikun e trazirave që patën përfshirë Shqipërinë, pasi firmat piramidale shpallën falimentin, partitë ujdisën një marrëveshje për krijimin e një qeverie të re me pjesëmarrje të gjerë politike. Zyrtarisht, qeveria e re nën drejtimin e Bashkim Finos, do t’i niste punimet më 12 mars 1997, pas dekretimit, njofton Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave.

Në këtë gjendje të tendosur, teksa armët kishin rënë në duart e qytetarëve, pësuan dëme të konsiderueshme edhe godinat e Arkivave Shtetërorë Vendorë, së bashku me materialin dokumentar që administronin. Në dokumentin bashkëngjitur, organi më i lartë i rrjetit arkivor kombëtar, Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), vë në dijeni kryetarin e qeverisë së re, Bashkim Finon, mbi dëmet e shkaktuara kryesisht në Arkivin Shtetëror të Tropojës, të Pogradecit, të Beratit dhe të Lezhës.

Në letrën adresuar ish-kryeqeveritarit, paralajmërohej edhe për rrezikun që i kanosej vendruajtjes së dytë të dokumenteve të Arkvit Qendror Shtetëror në Gramsh, ku kishin depërtuar forcërisht njerëz të armatosur. Kreu i atëhershëm i DPA-së, Luan Malltezi, apelon në këtë njoftim për koordinimin mes Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Komisariateve të Policisë, për mbrojtjen e integritetit të institucioneve dhe për sigurimin e dokumentacionit.

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen