MENU
klinika

Zanafilla e inceneratorëve

Si emergjenca mjedisore u shpall pa bazë ligjore

03.03.2022 - 11:01

Në fillim të shkurtit 2014, pesë zëvendësministra të qeverisë së udhëhequr nga kryeministri Edi Rama u mblodhën në një sallë mbledhjesh të Ministrisë së Mjedisit në rrugën e Durrësit në Tiranë, në funksionin e tyre si anëtarë të Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve.

Mbledhja e thirrur pa axhendë paraprake u tensionua pas një propozimi të ish-zv. ministrit të Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Gjon Radovani për shpalljen e emergjencës mjedisore në territorin e Shqipërisë.

Propozimi u kundërshtua nga dy anëtarë të komitetit – Ylli Manjani dhe Arben Isaraj, duke e transformuar mbledhjen në dukje rutinë, në një diskutim maratonë mbi ligjshmërinë e vendimit për shpalljen e gjendjes së emergjencës mjedisore kombëtare.

Komiteti nuk arriti në konsensus, por sipas dy prej anëtarëve të Komitetit, Këshilli i Ministrave e qarkulloi dokumentin si një vendim qarkullues, duke marrë firmën e 3 prej 5 anëtarëve të komitetit.

Sipas kryeministrit Edi Rama, ky dokument është gurthemeli i procedurave që çuan në lidhjen e kontratave të partneritetit publik privat për inceneratorin e Elbasanit dhe të Fierit.

“Mbi këtë bazë, hap pas hapi kanë ndodhur të tjerat,” i tha Rama komisionit hetimor parlamentar të ngritur për të hetuar procedurat administrative që çuan në dhënien e kontratave të inceneratorëve.

Por dëshmitë e mbledhura nga BIRN nga anëtarët e Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve sugjerojnë se vendimi që kryeministri e konsideroi si pikënisjen e procedurave është në kundërshtim me ligjin, çfarë ngre pikëpyetje mbi gjithë hapat administrativë që pasuan deri në nënshkrimin e kontratave koncesionare.

I pyetur nga BIRN nëpërmjet drejtorit të Agjencisë për Median dhe Informacionin, Endri Fuga, Këshilli i Ministrave nuk komentoi mbi ligjshmërinë e vendimit për shpalljen e emergjencës mjedisore kombëtare deri në publikimin e këtij shkrimi.

Një vendim ekstraligjor

I parashikuar për të përfunduar dy vite më parë, inceneratori i Fierit nuk ka filluar ende nga puna. Foto: Nensi Bogdani.
Prej vitesh, kontratat koncesionare për ndërtimin e inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, të cilat llogaritet të kapin një vlerë më të madhe se 430 milionë euro, kanë qenë në qendër të akuzave për shpërdorim detyre nga zyrtarë të lartë dhe ministra.

Deri në muajin shkurt, buxheti i shtetit ka paguar 91.5 milionë euro – pa llogaritur TVSH-në për këto kontrata, nga të cilat 55 milionë euro kanë shkuar për inceneratorin e Elbasanit dhe atë të Fierit.

Në fund të tetorit, Kuvendi ngriti një komision hetimor për inceneratorët, ndërkohë që me 14 dhjetor, Prokuroria Posaçme Kundër Krimit ë Organizuar dhe Korrupsionit, arrestoi ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe korrupsion në lidhje me procedurën e dhënies me koncesion të inceneratorit të Elbasanit. Koka i ka mohuar akuzat.

Gjatë seancës ku u thirr si dëshmitar në komisionin hetimor parlamentar, kryeministri Edi Rama theksoi se vendimi i datës 5 shkurt 2014, i marrë nga Komiteti i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve, kishte shërbyer si bazë ligjore ku është mbështetur Këshilli Bashkiak i Elbasanit për shpalljen e emergjencës mjedisore dhe dhënien e kontratës ‘me negocim, pa shpallje paraprake’ kompanisë Albtek Energy.

“Pra e nisëm për gjithë vendin, emergjencë kombëtare,” tha Rama gjatë dëshmisë së tij, duke iu përgjigjur pyetjes së deputetit Luçiano Boçi se mbi ç’bazë ligjore ishte bazuar emergjenca e shpallur nga bashkia Elbasan.

Një kopje e vendimit të datës 5 shkurt 2014 e siguruar nga BIRN, tregon se dokumenti është firmosur nga tre zëvendësministrat anëtarë të Komitetit të Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve – Oljana Ifti, Gjon Radovani dhe Dritan Hila. Ndërsa dy anëtarët e tjerë me profesion juristë – Ylli Manjani dhe Arben Isaraj nuk e kanë nënshkuar vendimin. [Kliko këtu për vendimin e Komitetit]

Tetë vjet më vonë, ata argumentojnë se kjo strukturë nuk kishte tagër ligjor për të marrë vendime.

Manjani i tha BIRN se kujtonte që gjatë mbledhjes në vitin 2014 e kishte kundërshtuar axhendën e saj për arsye juridike dhe e cilësoi vendimin për shpalljen e emergjencës ‘nul’ nga kjo pikëpamje.

“Në këtë takim nuk kujtohem të kishim ndonjë axhendë paraprake, por aty në mbledhje na u prezantua nga zv/ministrja e Mjedisit se jemi përpara një gjendje të rëndë mjedisore dhe se për këtë duhet shpallur një emergjencë mjedisore,” tha Manjani, i cili në atë kohë mbante funksionin e zv/ministrit të Transportit dhe Infrastrukturës.

Sipas tij, komitetet ndërministrore janë mekanizma konsultativë politikash, ku zakonisht shkojnë si delegim zëvendësministra dhe në këto komitete nuk merren vendime që të kenë fuqi detyruese.

“Formalisht ky vetëm emrin ka komitet ministror, sepse në përbërje ka vetëm zv/ministra, të cilët nuk kanë fuqi kushtetuese, vendimmarrëse. Komiteti ndërministror në vetevete nuk merr vendime, aq më tepër të deklarojë gjendje emergjence, që sipas Kushtetutës i deklaron qeveria,” tha ai.

Ish-zv/ministri i Drejtësisë, Arben Isaraj i tha gjithashtu BIRN se Komiteti nuk kishte tagër ligjor për të marrë vendime. Ai theksoi se detyra ligjore e këtij Komiteti ishte që në fund të çdo viti të dërgonte në Këshillin e Ministrave një raport për gjendjen mjedisore dhe hapat e ndërmarrë nga institucionet për përmirësimin e saj.

“Ne nuk kishim të drejtë të vendosnim,” tha Isaraj. “Komitetet nuk marrin vendime,” saktësoi ai, duke cituar disa herë ligjin “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve’.

Ligji “Për Menaxhimin e Integruar të Mbetjeve’ nuk parashikon që Komitetit i Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve të shpallë gjendjen e emergjencës mjedisore. Vetë vendimi i 5 shkurtit 2014, bazohet në një vendim të Këshillit të Ministrave të datës 25 tetor 2013, i cili ia shton këtë funksion Komitetit, duke e ngarkuar me përgjegjësinë për “shpalljen e fillimit dhe përfundimit të emergjencës mjedisore në vend”.

Sipas Isarajt, ky funksion shtesë i parashikuar nga VKM-ja e tetorit 2013 është në kundërshtim me ligjin.

“Nuk më duhet VKM-ja, unë bazohem tek ligji,” tha ai.

Edhe ish-zv/ministrja e Mjedisit, Oljana Ifti – e cila në vitin 2014 drejtonte Komitetin e Menaxhimit të Integruar të Mbetjeve dhe e ka firmosur vendimin qarkullues, e cilësoi atë pa fuqi ligjore.

“Komiteti nuk ka qenë vendimmarrës, por koordinues,” tha Ifti.

Dy anëtarët e tjerë të Komitetit – Gjon Radovani dhe Dritan Hila i thanë BIRN se nuk e mbanin mend mbledhjen.

Ndërkohë, Manjani pretendoi se në mbledhjen e 5 shkurtit 2014, e cila ka zgjatur disa orë, me ndërprerje pushimi në mes për shkak të diskutimeve, kishte qenë prezent edhe sekretari i përgjithshëm i Kryeministrisë, Ëngjëll Agaçi, i cili sipas Manjanit kishte insistuar që ai ta firmoste këtë dokument.

Megjithatë, prezenca e Agaçit nuk mbështetet nga kujtesa e anëtarëve të tjerë të Komitetit. Drejtuesja e tij, Oljana Ifti i tha BIRN se në mbledhje nuk ka qenë prezent Sekretari i Përgjithshëm, por Artur Metani – që mbante në atë kohë detyrën e drejtorit të Departamentit Rregullator dhe të Përputhshmërisë në Kryeministri. Ifti e quajti Metanin “i dërguar nga Agaçi”.

Vetë Metani tha se nuk e mbante mend mbledhjen konkrete, pasi tha se merrte pjesë në shumë mbledhje të tilla në atë kohë. Isaraj dhe Radovani mohuan që Ëngjëll Agaçi të ishte pjesë e mbledhjes, ndërsa vetë Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave nuk ishte i arritshëm për koment./Reporter.al

Vrasja e Martin Canit pranë shkollës ‘Fan Noli’

Caktohet data e seancës gjyqësore ndaj autorit 14-vjeçar

Grabitja e miliona eurove në Rinas

GJKKO dënon me 18 vite burg Talo Çelën

“Martini ishte i mbushur me ëndrra dhe jetë, ja morën të dyja”

U vra me thikë në zemër, nëna e 14-vjeçarit mesazh në protestën për të birin

Gjesti simbolik për vrasjen e 14-vjeçarit Martin Cani

Fotolajm/ Hidhet bojë e kuqe mbi fëmijët dhe në rrugë