MENU
klinika

Goditen pasuritë e të hetuarve, deputetit i bllokohet shtëpia

Skandali i inceneratorëve, kush janë 9 zyrtarët që kërkohen në pranga

30.03.2022 - 09:50

Me 26 mars, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka marrë një vendim, i cili është zbardhur tashmë.

Ka të bëjë me urdhër-ndalimet për 9 prej personave që janë vënë nën akuzë për shpërdorim detyre, korrupsion dhe falsifikim dokumentesh. Gjyqtarja Irena Gjoka ka pranuar kërkesën e prokurorit Dritan Prençi për dhënien e masave shtrënguese për 9 personat që janë gjendur të përfshirë në atë që prej kohësh konsiderohet si skandali i inceneratorëve. Nis me Lefter Kokën, ish-ministrin e Mjedisit për të cilin është marrë masa arrest me burg, tashmë i arrestuar, vijon me Pëllumb Abeshin, Azem Shatërin, Erjon Myrtajn, Sabina Senamerin, Etleva Kondin, të gjithë këta zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit. Arrest me burg për Fjoran Muçajn dhe Arenc Myrtezanin, administrator të inceneratorit të Fierit, si dhe biznesmenit Klodian Zoto, tashmë në kërkim. SPAK-u ka kërkuar arrest në shtëpi edhe për dy zyrtarë të Bashkisë së Elbasanit Bardhul Çabiri dhe Serafin Papa.

KËRKOHET ARRESTIMI I BLLAKOS

Deputeti socialist, Alqi Bllako, është kërkuar të arrestohet me kërkesë të SPAK-ut për korrupsion, pastrim parash dhe shpërdorim detyre në lidhje me inceneratorët në Fier. SPAK-u i ka dërguar Kuvendit kërkesën për lejen e arrestimit të deputetit, ku veç të tjerave, ka vënë nën akuzë 11 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të dikasterit të Mjedisit dhe të Bashkisë së Elbasanit, një biznesmen dhe dy administratorë të incerenatorëve në Fier. Hetimi për këtë nisi pas disa kallëzimeve që në qendër të hetimit ishte kontrata koncesionare mes Ministrisë së Mjedisit dhe kompanisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier”. Hetuesit e çështjes kanë bërë me dije se kanë gjetur veprime të kundërligjshme dhe korrupsion. Në procedurën e shpronësimit të pronës ku do të ndërtohej Inceneratori i Fierit me sipërfaqe 111 564 m2 ka rezultuar se kryetari i Komisionit të Shpronësimit, Pëllumb Abeshi, në bashkëpunim me ish-ministrin Lefter Koka dhe ish-sekretarin e Përgjithshëm të Mjedisit, Alqi Bllako, kanë përgatitur dokumentacion të falsifikuar, duke paraqitur dhe propozuar pranë qeverisë projektvendimin dhe relacionin për shpronësim prone.

SPAK-u thotë se dëmi është 146 milionë lekë. Po sipas Prokurorisë, këto para i janë dhënë më pas ministrit të Mjedisit Lefter Koka, në këmbim të favorizimit të padrejtë të shoqërisë “Integrated Technology Waste Treatment Fier” sh.p.k., në zhvillimin e procedurës së dhënies së koncesionit dhe në lidhjen e kontratës së koncesionit.

SEKUESTROT

Ndërkohë, janë sekuestruar edhe prona me vlerë prej 2 milionë euro. Sekuestro e parë është vendosur ndaj Inceneratorit të Fierit dhe kompanive të lidhura me të. Janë vënë në sekuestro edhe katërt pasuri të paluajtshme të Lefter Kokës me një sipërfaqe prej 3 344 m2 ose me vlere 146 milionë lekë. Është sekuestruar edhe një apartament me vlerë 144 mijë euro në llogari të Alqi Bllakos, aq sa është edhe shuma e përfituar padrejtësisht prej tij. Bashkë me hetimin që vijon në Elbasan janë sekuestruar edhe 14 apartamente, tre njësi tregtare, truall dhe 8 shoqëri tregtare dhe gjithë asetet e tyre. Këto pasuri sipas SPAK dyshohet se janë produkt të veprave penale, ndërsa shoqëritë tregtare të sekuestruara dyshohet se kanë shërbyer dhe janë përdorur si mjete për të realizuar veprat penale. Vlera e pasurive të paluajtshme të sekuestruara është rreth 2,000,000 Euro.

Kështu, SPAK-u ka vijuar hetimet intensive që nga koha kur vuri në pranga ish-Ministrin e Mjedisit, Lefter Koka, duke paralajmëruar në fakt edhe për arrestime të tjera. Kujtojmë se në të njëjtën ditë me dhënien e dëshmisë nga ana e deputetit socialist Bllako ka dëshmuar edhe kryebashkiaku Fierit, Armando Subashi, por në lidhje me këtë të fundit nuk kishte asnjë lajmërim nga ana e SPAK. Në sitën e hetimit po kalojnë të gjithë inceneratorët që u lajmëruan se do ngrihen në vendin tonë!

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Lefter Koka, Sekretar i Përgjithshëm te Meta

Kush është Alqi Bllako, që SPAK kërkon arrestimin e tij