Trajneri i ekipit moldav të Sheriff Tiraspol, ukrainasi Yuriy Vernydub, prej ditësh është kthyer në vendlindje për t’iu bashkuar luftës kundër pushtimit rus.
Vernydub, thotë se kur e telefonoi i biri më 24 shkurt për t’i thënë se Rusia kishte sulmuar Ukrainën, ai nuk u mendua dy herë dhe u kthye në atdhe për të luftuar. Klubi i tij i futbollit ishte në Portugali për një ndeshjen e Europa League ndaj Bragës kur mori lajmin.
Vernydub udhëtoi nga Portugalia në Rumani dhe më pas në Tiraspol në Transnistria përpara se të mbërrinte në Ukrainë të shtunën e 26 shkurtit. Të dielën në mëngjes, ai u regjistrua në ushtri.
“Njerëzit e afërt u përpoqën të më ndalonin. Gruaja ime, fëmijët e mi, nipërit e mbesat e mia. Unë qëndrova i fortë dhe falënderoj gruan time që më mbështeti. Në çdo minutë jam gati të shkoj ku të më thonë. Unë nuk e kam përdorur ende armën time, por jam gati, gjithmonë. Në çdo kohë” – u shpreh trajneri Yuriy Vernydub.