MENU
klinika

Bombardime, sirena dhe evakuime!

Ukraina 14 ditë nën pushtimin rus, ja zhvillimet e orëve të fundit

09.03.2022 - 10:26

Ukraina vijon të përballet me pushtimin e Rusisë, i cili ka hyrë sot në ditën e 14, duke marrë jo pak jetë njerëzish e lënë pas shkatërrime të mëdha, si dhe largime masive nga vendi.

Edhe mëngjesi i kësaj të mërkure në qytetet kryesore të Ukrainës ka qenë i trazuar, mes bombardimeve të shumta nga trupat ruse, sirenave që binin dhe tentativave për të evakuuar qytetarët, të cilët rrezikojnë jetën.

Ndër zhvillimet kyçe të orëve të para të mëngjesit kanë qenë këto:

Ka pasur raportime për sirena në disa qytete ukrainase, përfshirë kryeqytetin Kiev
Evakuimet nga qyteti verilindor Sumi janë kryer me sukses. Guvernatori i qytetit ka thënë se 5,000 persona besohet se janë larguar nga ky qytet në dy fazat e evakuimit
Sumi, qytet afër kufirit me Rusinë, është përballur me bombardime të ashpra në ditët e fundit. Vetëm të hënën, 22 persona kanë vdekur – përfshirë tre fëmijë – si pasojë e sulmeve ajrore ruse, kanë thënë zyrtarët lokalë
Tentime të ngjashme kanë dështuar në Çernihiv, sepse Rusia ka vazhduar të bombardojë rrugët dalëse, ka pretenduar Ukraina.

Rusia ka bërë të ditur për një tjetër armëpushim, kanë raportuar mediat ruse
Sipas Moskës, korridoret do të jenë të hapura në Kiev, Çernihiv, Sumi, Harkiv dhe Mariupol nga ora 10:00 sipas kohës lokale. Ky është njoftimi i tretë për armëpushime – ndonëse shumica kanë dështuar.

 

Rusia ka konfirmuar që ministri i saj i Jashtëm, Sergei Lavrov dhe homologu i tij ukrainas, Dmytro Kuleba, do të takohen të enjten në Turqi, në takimin e parë prej pushtimit rus
Rreth 5,000 njerëz janë evakuuar nga qyteti verilindor, Sumi, pasi Rusia është pajtuar për të ndalur bombardimet
Guvernatori i qytetit ka thënë se korridori humanitar do të mbetet i hapur edhe të mërkurën
Moska është pajtuar për një tjetër armëpushim për të mundësuar ikjet e civilëve në qytetet që sulmohen, kanë raportuar mediat ruse. Korridoret do të hapen sërish për Kievin, Çernihivin, Sumin, Harkivin dhe Mariupolin në orën 10:00, sipas kohës lokale.
Shtetet e Bashkuara kanë refuzuar një ofertë të Polonisë për të transferuar aeroplanët luftarakë MiG-29, të prodhuar nga Rusia, në bazën amerikane në Gjermani, si mënyrë për të forcuar forcën ajrore të Ukrainës, teksa përballet me pushtimin rus.
Mbretëria e Bashkuara ka bërë të ditura sanksione të reja kundër Rusisë, të cilat u japin autoritetet ministrave që të ndalojnë aeroplanët rusë në Mbretërinë e Bashkuar dhe ta bëjnë shkelje penale fluturimin apo aterrimin e tyre në territorin britanik.
Presidenti amerikan, Joe Biden ka bërë të ditur ndalesën e plotë ndaj importeve të naftës, gazit dhe thëngjillit rus.
McDonals’s, Starbucks dhe Coca-Cola janë kthyer në kompanitë e fundit të Perëndimit që pezullojnë bizneset e tyre në Rusi