MENU
klinika

Kurthi komunist, një liberali

Veprat dhe shpagimi i një kryeministri shqiptar

28.03.2022 - 12:36

        Asokohe me kryeministër të Shqipërisë, Koço Kottën, më 28 mars 1929, në ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë u nënshkrua Traktati i Tregtisë dhe Navigacionit mes Shqipërisë dhe Francës, për të krijuar premisat ligjore për rritjen e shkëmbimeve ekonomike dhe tregtare midis dy vendeve.

Dy herë kryeministër, kryetar i Parlamentit, kryetar i Dhomës së Deputetëve, ministër i Brendshëm, kryetar i kryesisë së Kongresit të Lushnjës dhe pjesëmarrës në shpalljen e Pavarësisë. Koçi Kotta ka lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë e Shqipërisë, ndërsa fati i tij qe tragjik. 

Postin e kryeministrit, Kotta e mbajti deri më 7 prill 1939 – ditën kur Shqipëria u pushtua nga Italia dhe në ’45-ën, u rrëmbye në Athinë me pistoletën në kokë, nga një agjent i Sigurimit të Shtetit, një agjent i KGB-së ruse dhe një agjent i shërbimit sekret grek, për ta sjellë në Shqipëri. Sikur kjo të mos mjaftonte, ai vdiq nga torturat çnjerëzore në burgun e Burrelit –  burgu që ai hodhi firmën, për ta ndërtuar.

Kostaq Kotta ishte kryeministri i 15-të i shtetit shqiptar. 

Sapo kishte mbaruar lufta dhe kryeministri Koço Kotta jetonte në Selanik, në shtëpinë e vjehrrit. Ai kishte kohë që bënte jetë ilegale, sepse tashmë ishte armik me komunistët shqiptarë, komunistët grekë dhe natyrisht, armiku kryesor i sllavokomunistëve jugosllavë.

Koço Kotta nuk e ndoqi mbretin Zog në mërgim, por qëndroi në Greqi, duke treguar se nuk kishte qenë dakord me mbretin. Ishte viti 1945, kur tre persona u paraqitën befas në derën e shtëpisë ku ai jetonte, në Selanik. Një prej tyre ishte shqiptar dhe agjent i Sigurimit të Shtetit shqiptar, me emrin Anton Çeti, i dyti ishte rus, agjent i KGB-së, ndërsa i treti grek, gjent i shërbimit sekret grek.

Si për çudi, të tre flisnin shqip.

Në fillim ata u paraqitën gjithë mirësjellje, duke i kërkuar Koços të vinin me ta në Shqipëri. Sipas tyre, kishin porosi direkt nga Enver Hoxha që Koçoja të kthehej në Tiranë, për të marrë një post shtetëror. Madje, zunë në gojë që ai të rimerrte sërish detyrën e kryeministrit, që e kishte lënë më 7 prill 1939.

Koçoja e kuptoi që kjo ishte një grackë që ata ta likuidonin dhe nuk pranoi. Por menjëherë pas këtij refuzimi, të tre agjentët sekretë nxorën pistoletat dhe ia vunë në kokë. Në shtëpi u krijua një gjendje ankthi, frike dhe terrori sepse gjithçka u krye në sy të gruas së tij dhe prindërve të gruas.

Edhe ata i kundërshtuan agjentët, por përpjekja qe e kotë. Menjëherë pranë shtëpisë mbërriti një furgon dhe pasi e tërhoqën zvarrë, Koçon e futën në të. Prej Selanikut e sollën në Tiranë dhe nga Tirana, në burgun e Burrelit. I gjithë operacioni ishte i drejtuar dhe komanduar nga ministri i Brendshëm, Koçi Xoxe.

Ai ishte armiku numër 1, i Koço Kottës. Xoxe ishte një antishqiptar dhe një armik i betuar i të gjithë atyre që ishin shprehur kundër komunistëve dhe sidomos, kundër bashkëpunimit me sllavokomunistët.

U dënua me 30 vite burg Koço Kotta, ndërkohë që Prokuroria e dënoi me vdekje.

Ndodhi ajo që tashmë dihet. Gjyqi special i drejtuar nga Koçi Xoxe, kishte vënë në bankën e të akuzuarve personalitetet më të rëndësishme të Shqipërisë. Mes tyre edhe Koço Kottën. Por, këtu pati një problem. Prokuroria kërkoi dënim me vdekje, ndërsa gjykata speciale e dënoi me 30 vjet.

Koço ka thënë në sallën e gjyqit, pak a shumë këtu: “Më 7 prill të vitit 1939, qeveria jonë, jo vetëm që nuk u frikësua, por organizoi edhe rezistencë të armatosur, duke bërë atë që nuk e bëri dot as qeveria çekosllovake, e cila ishte shumë herë më e armatosur se qeveria e jonë. Pikërisht, atë që s’e bëri qeveria çekosllovake e bëri qeveria e vogël e popullit shqiptar”.

Ndodhi ajo që Koçon, e dërguan në burgun e Burrelit, një burg që ai e firmosi për ta ndërtuar vetë, kur ishte kryeministër – ka rrëfyer më herët, pasardhësi i tij, Harallmab Kotta. “Po a e dini ju që kryeministri Kotta ka ndërtuar bulevardin e madh të Tiranës, ndërtesat e ministrive dhe shumë e shumë vepra të tjera, rrugë, shkolla dhe ura. Dhe natyrisht, do të ndërtonte edhe burg. Pikërisht aty gjeti vdekjen.”

Nga të gjitha dëshmitë e bashkëvuajtësve, nga dokumente arkivore dhe nga rrëfimet e të afërmve, ishte e parapërgatitur që Koçoja duhet të vdiste. Torturat ishin çnjerëzore. Në fillim ai u fut në qelinë numër 7 . Të burgosurit bënin humor me Koçon. Një prej tyre, ka treguar t’i ketë thënë: “Koço, mirë ta bënë që të futën këtu, sepse nuk e ke bërë të mirë këtë burg”.

Më pas u fut në qelinë pa numër. Aty gjithçka ishte në kufijtë e të paimagjinueshmes. E lanë pa bukë e ujë, i jepnin kripë, e godisnin me ç’të mundnin deri me bajonetë dhe thirrjet e tij ishin dëshpëruese. Të burgosurit kanë treguar se dëgjonin për orë të tërë fjalën bukë, bukë, bukë, deri sa kjo erdhi duke u zbehur dhe më pas, nuk dëgjohej asnjë zë.

Mishi në trup nisi të plasaritej nga kjo situatë dhe më pas, zëri i tij nuk po dëgjohej fare. Gardianët e pamëshirshëm, në vend ta ndihmonin dhe mjekonin e çanin me bajonetë në mish, në ato vende ku ishte plasaritur. Deri sa erdhi edhe vdekja e tij. U varros në oborrin e burgut, në atë që quhet “e famshmja qershi”.

Pas vdekjes së tij, nuk kanë munguar as variantet se, Kostaq Kotta u hodh aksidentalisht nga lartësia.

Kryeminstri Koço Kotta u torturua deri në vdekje. U varros dhe më pas, ia zhdukën edhe eshtrat. Sot ai është një nga kryeministrat e vrarë të shtetit shqiptar, por edhe një nga kryeministrat pa varr. Ai u eliminua sepse ishte kundërshtar i nacionalistëve fqinj antishqiptarë, që synonin marrjen e trojeve dhe viseve shqiptare./Konica.al

 

U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit