MENU
klinika

"Naftë nga porti i Durrësit"

Vuçiç: Për Shqipërinë bëjmë përjashtim, do të eksportojmë 30 mijë tonë dhe një sasi misri!

24.03.2022 - 12:47

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç bëri me dije sot se qeveria serbe do të bëjë përjashtim nga vendimi për eksportin e grurit dhe se 30 mijë tonë grurë dhe një sasi më e vogël e misrit do të shkojnë në Shqipëri.

“Qeveria nesër do të bëjë përjashtim nga vendimi për eksportin e grurit dhe se 30 mijë tonë grurë do të shkojnë në Shqipëri dhe një sasi më e vogël e misrit. Jemi të sigurt edhe nëse nuk kemi korrje dhe me atë korrje mund të ofrojmë shumë për rajonin dhe më gjerë”, tha ai.

Po ashtu në kuadër të Ballkanit të Hapur, Vuçiç shtoi se Serbia duhet të importojë sasi të mëdha nafte çdo ditë, që do të vijnë me anije nga Lindja e Mesme drejt portit të Durrësit. Sipas presidentit serb, nafta nuk mund të transferohet lehtë nëpër Detin e Zi, për shkak të kompanive të sigurimit dhe pasigurive nëse do të ketë një konflikt dhe më të zgjeruar rreth portit të Odesës.

“Tashmë po flas me miqtë tanë nga Lindja e Mesme për të importuar naftë prej tyre dhe po kërkoj ku ta çoj. Mënyra më e mirë dhe më e lehtë është të shkosh në Durrës. Tani po shikojmë se si të organizojmë transportin nga Durrësi”, tha Vuçiç.

Ky vendim i Vuçiç u paralajmërua më herët nga kryeministri Edi Rama, i cili tha se po negociohet me Serbinë për një sasi gruri të kontraktuar më herët nga kompanitë shqiptare, para se Serbia të bllokonte eksportet për të ruajtur popullin e saj nga kriza. Rama tha se kjo bëhet përmes ‘Ballkanit të Hapur’. Kjo lëvizje vjen në një kohë kur çmimi i miellit është rritur në vend për shkak të luftës Rusi-Ukrainë.

Pak ditë më parë Serbia mori vendimin për ndalimin e eksporteve të grurit, misrit, miellit dhe vajit të gatimit, si masë për ndalimin e rritjes së çmimeve të shkaktuar nga pushtimi rus në Ukrainë, por pavarësisht kësaj, Vuçiç tha se do të bëjë një përjashtim për Shqipërinë.