Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit ka nisur një procedim disiplinor kundër Will Smith pas incidentit në skenë mes tij dhe Chris Rock në 94 vjetorin e ndarjes së çmimeve Oscar të dielën.
Në një deklaratë të re të lëshuar të mërkurën pasdite, Akademia tha se Smith-it iu kërkua të largohej nga ceremonia pas incidentit, por refuzoi.
“Bordi i Guvernatorëve filloi sot procedimet disiplinore kundër z. Smith për shkelje të Standardeve të Sjelljes së Akademisë, duke përfshirë kontaktin fizik të papërshtatshëm, sjelljen abuzive ose kërcënuese dhe komprometimin e integritetit të Akademisë,” fillonte letra.
Smith do të ketë 15 ditë njoftim për një votim, i cili do të kryhet nga bordi në lidhje me një kurs veprimi për aktorin dhe gjithashtu do të ketë mundësinë të dëgjohet nga bordi paraprakisht përmes një përgjigje me shkrim. Bordi mund të vendosë për masat disiplinore për aktorin e “King Richard” që në mbledhjen e radhës të bordit më 18 prill.
“Në përputhje me Standardet e Sjelljes së Akademisë, si dhe me ligjin e Kalifornisë, zotit Smith i jepet të paktën 15 ditë njoftim për një votim në lidhje me shkeljet dhe sanksionet e tij, dhe mundësia për t’u dëgjuar paraprakisht me anë të një përgjigjeje me shkrim. Në mbledhjen e radhës të bordit më 18 prill, Akademia mund të marrë çdo masë disiplinore, e cila mund të përfshijë pezullim, përjashtim ose sanksione të tjera të lejuara nga aktet nënligjore dhe standardet e sjelljes”, shpjegohej letra.
Pasi i quajti veprimet e Smithit “thellësisht tronditëse”, Akademia i kërkoi falje Rock dhe të nominuarve, të ftuarve dhe shikuesve për atë që ndodhi gjatë transmetimit të së dielës mbrëma.