MENU
klinika

“Betimi mi flamur”

Asdreni, na e dha Himnin Kombëtar!

11.04.2022 - 12:02

        Poezia e Asdrenit, do t’i kishte të gjitha ngjyrat e atdheut të kohë së tij… Ai do të ishte flamurtari i madh i çështjes kombëtare, zëri i masës së robëruar e të shtypur, poeti i brishtë i dashurisë dhe brengës. Po kaq edhe syri i mprehtë i kritikës, a satirës therëse,

Larmia e krijimtarisë letrare, do të kulmonte edhe me vargjet “Betimi mi flamur”. Lasgushi është ai, i cili, ka përshkruar dhe botuar i pari historinë e krijimit të himnit tonë. Në punimin “Himni kombëtar “Flamurit pranë të bashkuar dhe gjeneza e tij”, L. Poradeci bëhet kështu edhe rrëfyesi kryesor për këtë ngjarje madhore, duke sjellë hollësisht faktin e thjeshtë, se askush në ato çaste historike për Shqipërinë, nuk mendonte se ajo këngë e ngritur dhe e kënduar për të parën herë ,nga kori i kolonisë shqiptare të Bukureshtit, do të ishte himni i ardhshëm. Sikur thotë Lasgushi: – …me fjalë të tjera, himni nuk u përgatit me qëllimin e posaçmë që të shërbejë si Himn Kombëtar, të përmbushë misionin e shenjtë të këngës simbolike zyrtare të popullit”.

Ndërsa në librin “The Guinnes Book of Music”, shkruhet: himni “Rreth flamurit të përbashkuar” është pranuar si himn kombëtar i Shqipërisë, në vitin 1912, fjalët e himnit janë shkruar nga Asdreni, muzika e himnit është kompozuar nga Ciprian Porumbesku.

Pra “… kjo ngjau se populli e gjeti të pëlqyer; vetë e dëshiroi ai ashtu, nga gjiri i tij i dha trajtën dhe frymën, vetë e shënjtëroi, duke e dashur me zemër gjer në therori dhe më shumë e përtej vetëtherorisë. Me të luftuan çetat e kryengritjes që ishin nëpër gjithë viset e Atdheut, dhe vdiqën vdekjen e ëmbël dëshmorët e lirisë. Me të u ngrit Flamuri në Vlorë” – do ta përshkruante poeti ynë më i madh, përhapjen, njohjen dhe pranimin e himnit tonë kombëtar.

Poezia e plotë  “Betimi mi flamur”- (Hymni patriotik) e shkruar dhe publikuar nga Asdreni, më 1908:

HIMNI I FLAMURIT

Rreth flamurit të përbashkuar,
me një dëshirë e një qëllim,
të gjithë atij duk’iu betuar
të lidhim besën për shpëtim.
Prej lufte veç ai largohet
që është lindur tradhëtor,
kush është burrë, nuk frikohet,
po vdes, po vdes si një dëshmor!
Në dorë armët do t’i mbajmë,
të mbrojmë atdheun në çdo kënd,
të drejtat tona ne si ndajmë;
këtu armiqët s’kanë vend.
që kombe shuhen përmbi dhe,
po Shqipëria do të rrojë,
për të, për të, luftojmë ne!
O flamur, flamur, shenj’ e shtrenjtë
tek ti betohemi këtu,
pë Shqipërin, atdheun e shtrenjtë,
për nder’edhe lavdimn e tu.
Trim, burrë quhet dhe nderohet
atdheuet kush iu bë therror.
Përjetë ai do të kujtohet
mbi dhe, nën dhe si një shenjtor!

Krijimtaria e Asdrenit do të kapërcente nga periudha e fundit e Rilindjes, tek ajo e letërsisë së Pavarësisë. 

Aleksandër Stavre Drenova, lindi në fshatin Drenovë të Korçës, më 1872. Mësimet e para i mori në Korçë. Që në moshën trembëdhjetëvjeçare shkoi në kurbet, në Rumani, ku vazhdoi shkollën e mesme dhe më vonë, fakultetin e shkencave politike, që nuk arrit ta mbaronte. Për të fituar bukën e gojës dhe për të ndjekur studimet, djali i ri detyrohet të bëjë gjithfarë punësh të rënda.

Që herët lidhet me lëvizjen atdhetare të shqiptarëve të Bukureshtit dhe bëhet një nga përfaqësuesit më të shquar të saj.

Në vitin 1900 filloi të botojë vjershat e tij të para në shtyp dhe të bëhet i njohur si talent i ri që premtonte. Poezia e tij e kësaj kohe ka karakter kushtrues, por poet i ri dhe nën ndikimin e Naimit, ende nuk e ka gjetur ende individualitetin krijues. Në të njëjtën kohë, Asdreni botoi në shtyp artikuj me formë të përparuar demokratike dhe antifeudale. Më 1904, botoi vëllimin me poezi “Rreze dielli” që do të pritej mirë nga lexuesi dhe nga shtypi, ndërsa Çajupi do të shprehej entuziast: “Tani besoj se Naim beu nuk vdiq, se vendin që la ai bosh e zure ti”.

Asdreni u bë një nga udhëheqësit e lëvizjes atdhetare ndër shqiptarët e Rumanisë. Ai çeli një shkollë shqipe në Kostancë për fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë, pasqyroi në shkrimet e veta ngjarjet e Shqipërisë, mblodhi ndihma për kryengritësit e Kosovës, bashkpunoi me Nolin, për shkëputjen e kishës shqiptare nga kisha greke, ishte sekretar i mbledhjes së Bukureshtit që e kryesonte Ismail Qemali në vjeshtë të vitit 1912 dhe ku u vendos shpallja e menjëhershme e Pavarësisë. Jo më kot, pikërisht në atë vit del në dritë vëllimi i dytë me vjersha i Asdrenit “Ëndërra dhe lotë” ku shfaqet plotësisht talenti i tij dhe që solli një ndihmesë të shquar në letërsinë shqiptare të Rilindjes.

Më 1914, Asdreni erdhi në atdhe që të ndihmonte në forcimin e pushtetit kombëtar, po, i zhgënjyer nga turbullimet e kësaj kohe, u kthye në Rumani. Ai priti me gëzim Kongresin e Lushnjes, i bëri jehonë flakë për flakë luftës së Vlorës. Pas vitit 1924 u tërhoq nga jeta politike, duke shprehur kështu në heshtje qëndrimin e tij kundërshtues ndaj regjimit të Zogut. Në fakt në vëllimin e tij të tretë me vjersha “Psallme murgu” të botuar më 1930 gjejmë aludime për këtë qëndrim të tij. Revoltën e tij Asdreni e derdhi edhe nëpër disa vjersha të mbetura në dorëshkrime. Por zhgënjimi i tij nga realiteti shoqëror politik i frymëzoi edhe vjersha pesimiste ose vjersha të ftohta që nuk janë që nuk janë veçse ushtrime formaliste. Gjejmë kështu çaste, rënieje në krijimtarinë e tij. Me rastin e 25-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, Asdreni u kthye në Shqipëri, po gjeti një pritje tepër të ftohtë nga përfaqësuesit e regjimit. Poeti shkoi sërish në Rumani, për të mos u kthyer më kurrë në atdhe. Vitet e fundit të jetës përgatiti një vëllim “Këmbanat e Krujës”.

Asdreni u bë i njohur si publicist, duke qenë edhe autor tekstesh shkollore dhe përkthyes. Por para së gjithash, mbetet poeti i talentuar lirik. Në lirikën poetike, Asdreni u rikthehet të gjitha temave të poezisë së Rilindjes, po u jep një frymë më të hapur kushtruese. Jo më kot. ai lëvron kryesisht llojet e himnit dhe të marshit.

Asdreni do të ishte zëri i problematikës shoqërore në letërsinë shqipe: pasqyrim pa reshtur konfliktin ndërmjet shtresave të larta dhe popullit, duke e parë këtë të fundit, si forcë lëvizëse të historisë. Poeti ëndërron për çlirimin e masave të shtypura, por pa prespektivë të qartë, si në “Zëri i kryengritësve” (1912), “Çpërblimi” ku ndihen notat e fuqishme të revoltës.

Te “Burri i dheut”, duke i kënduar Luftës së Vlorës, Asdreni thekson karakterin popullor të saj dhe krijon një portret kolektiv të popullit të shfrytëzuar. Më vonë, më 1935 Asdreni do të shkruajë një vjershë po aq të fuqishme. “Trashëgimi”, që jep një tabloja tronditëse të gjendjes së mjeruar politike, ekonomike, shoqërore e kulturore të Shqipërisë në kohën e Zogut.

Ndërsa satira e ashpër, vinte me vjershat “Fisnikët e Shqipërisë” dhe “Republika Shqiptare”.

Ai e pasuroi në mënyrë të veçantë poezinë shqipe edhe në lëmin e formës, duke krijuar lloje të reja strofash e vargjesh, duke lëvruar madje edhe vargun e lirë, me një figuracion të pasur. Poezitë më të bukura, ai i shkruan kur shkrin origjinalitetin në brendi dhe formë, me thjeshtësi. Poetit i njihet merita që, poezinë tonë, e lidhi me atë bashkohore evropiane.

Asdreni poet, ndonëse jo në nivelin e ndikimit të vargjeve të Naimit dhe të De Radës, pasuroi ndjeshëm letërsinë shqipe.

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Çajupi në gjurm' të Gjolekës

“O Labëri sa të dua/ Pyjet e kodrat e tua”


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit