“Mund t’u fal gjithçka njerëzve, përveç padrejtësisë, mosmirënjohjes dhe barbarisë”
Për filozofin Denis Didëro, të shkruarit është një dialog i brendshëm, që ndihmon në formësimin e mendimeve. Ekziston vetëm një detyrë: ta bëjë veten të lumtur. Nga të gjithë mendimtarët e iluminizmit, Denis Didëro është ndoshta më i liri dhe më sarkastiku. Me mjeshtëri artistike, taktike e shkencore, Didëro eksploron gjithë fushat e veprimtarisë njerëzore. Kjo mendje e vrullshme dhe kureshtare është sa befasuese, aq edhe e hapërdarë. Mjeshtër ndërtues i projektit të madh intelektual të epokës së Iluminizmit, njeri i pasionuar që di të jetë edhe punëtor i pamëshirshëm. Filozofi që shpall thelbin paradoksal të së vërtetës, është një paradoks për veten. “Më pëlqen padurimi më shumë se mërzitja”, – thotë ai. Një energji krijuese, që nuk arrin ta kanalizojë gjithmonë…/Konica.al
Bashkëdrejtuesi i “Enciklopedisë”, romancier, kritik arti, përçues i mendimit modern shkencor, materialist, kampion i luftës kundër besëtytnive dhe despotizmit, Didero është ndër të fundit shpirtra universalë, një “panfotil”, siç e quajti Volteri.
“Çmenduria dhe kreativiteti shpesh shkojnë dorë për dore”, – sugjeron njeriu i letrave franceze i shekullit të 18-të, homolog i Rusoit dhe Volterit.
Lindi në vitin 1713 në Langres, 300 km larg Parisit. I ati ishte thikëpunues dhe, më pas, do jetë figurë e përsëritur në krijimtarinë e të birit, me imazhin e babait shembullor. Shkrimtari i ardhshëm mbërriti në Paris pa mbushur të njëzetat, ku studioi teologji për një kohë të gjatë. Në botën e letrave arriti të futet nëpërmjet përkthimit. Fillimisht shkroi ese filozofike. Në 1746, botoi “Mendime filozofike”, porse materiali u dënua menjëherë me djegie. Një vit më pas, shkroi “Shëtitja e skeptikut”, mirëpo edhe ky dorëshkrim u sekuestrua nga polica, gjë që e tronditi vërtet, Didëronë.
Didëro është ateist, prej vërteti, nuk është deist si të tjerët, është materialist. Për pasojë, mendimi i tij shkon shumë më larg se mendimi i bashkohësve. Didëro ndërthur shkencën, artet dhe mjeshtëritë. Kjo është ajo që është e re në Enciklopedi, që e mbajti të zënë, për gati 20 vjet. Në 1748, botoi “Bizhuteritë furacake”, të vetmin roman që botoi në të gjallë. Romanet e mëdha të karrierës së tij, mbeten “Murgesha”, “Zhak fatalisti” dhe “Nipi i Ramonit”. Ai shkon aq larg në aspektin e formës, sa vëren se nuk mund të gjejë audiencë në kohën e tij. Ai duhet të kënaqet ose me korrespondencë letrare, ose me pasardhësit.
Për Didëronë, Njeriu është në qendër të gjithçkaje. Ateist i lindur, Didëro e sheh Zotin si një pengojcë për lumturinë, që mund të arrihet vetëm duke gjetur ekuilibrin e duhur midis instinktit dhe pasioneve. Duhet të mësojmë të shfrytëzojmë lirinë, të përparojmë përmes shkencës dhe moralit, ky është roli i Enciklopedisë Didëro, i cili, beson në edukimin që i siguron Njeriut mjetet që do ta mundësojnë të lartësohet. Me humanizmin e formuar nga toleranca dhe kurioziteti i pakufishëm, dëshira për të ndërthurur filozofinë dhe letërsinë, vepra e Didërosë është një ftesë e gëzueshme për të vënë në pikëpyetje të vazhdueshme natyrën e Njeriut, si dhe atë të shoqërisë, në një kërkim për të vërtetën, që, në fund të fundit, është më shumë e rëndësishme se vetë e vërteta./Konica.al