MENU
klinika

Përgjigjet mjeku

Çfarë duhet të di mbi kistet e vezoreve?

22.04.2022 - 10:12

“Pyet mjekun” është rubrika më e re, një platformë që bën të mundur kontaktin ndërmjet mjekut dhe pacientit.

Nëse keni ndonjë pyetje, për gjithçka që ju shqetëson në shëndetin tuaj, këtu do të merrni përgjigje nga mjekë me eksperiencë, pa rezervime takimesh dhe duke shmangur radhët e gjata.

Pacienti: Çfarë duhet të di mbi kistet e vezoreve?

Mjeku: Kistet ovariane janë qese të mbushura me likuid (lëng), të cilat gjenden në sipërfaqen e vezores (vezorja është organ gjenital femëror përgjegjës për prodhimin e hormoneve seksuale femërore dhe riprodhimin human). Tek femrat, çdo cikël menstrual formohen folikujt (qelizat vezë) folikuli ovarial me përmasa më të mëdha se 2 cm, mund të quhet kist ovarian. Shumica e tyre janë me natyrë beninje (jokancerogjene).

Format më të shpeshta të kisteve

Kisti funksional, i cili është i lidhur me ciklin menstrual dhe mund të zhduket në shumicën e rasteve spontanisht pa mjekim
Kisti endometriozik (endometriom) ku zhvillohet si rezultat i endrometriozës, gjatë së cilës qelizat endometriale vendosen jashtë mitrës.
Kisti dermoid (teratom), i cili mund të ketë përmbajtje solide psh. Flokë, dhëmbë.
Trajtimi

Trajtimi i kisteve ovariane varet nga mosha e pacientes, lloji i kistit, si dhe dimensionet e tij. Përdorimi i kontraceptivëve oral ul shansin që kiste të reja të shfaqen në ciklet pasardhëse dhe gjithashtu ul shanset për shfaqjen e kancerit të vezores. Për kistet e thjeshta me dimensione të vogla në moshën riprodhuese mund të pritet dhe të rikontrollohet ekografikisht pas një muaji nëse kisti është i pranishëm ose jo.

Ndërhyrja kirurgjikale mund të jetë e nevojshme për të eliminuar kistet me përmasa të mëdha, kistet dermoide (të cilat duhen operuar pavarësisht përmasave) ose për t’u siguruar që nuk kemi të bëjmë me ndonjë formë të kancerit ovarial. Trajtimi kirurgjikal mund të bëhet laparoskopik ose klasik me një incision longitudinal ose transversal në nivel të abdomenit inferior.

Nëse keni edhe ju pyetje, dhe doni të merrni një përgjigje të shpejtë nga mjekët e “spitalit tonë online”, klikoni këtu. Identiteti juaj do të mbetet anonim.