MENU
klinika

The Times: Fati i Kadyrov i lidhur me Putinin

E ardhmja e liderit çeçen nëse president rus vdes ose rrëzohet

07.04.2022 - 20:27

Falë Vladimir Putinit, qyteti i Groznit është një vend shumë ndryshe nga ai që ishte 30 vite më parë. E vendosur për të shtypur vullnetin e lëvizjes separatiste në Çeçeni, Rusia rrafshoi kryeqytetin e saj me tokë. Sot, Grozny është një qytet besnik i padiskutueshme ndaj Moskës. Aleati kryesor i Putinit ka qenë një njeri që pothuajse tre dekada më parë luftoi kundër Moskës në luftën e Çeçenisë për pavarësinë post-sovjetike.

Nëpërmjet një kombinimi të interesave financiare dhe dashurisë personale, Ramzan Kadyrov, i cili zëvendësoi babanë e tij, Akhmad, si president i republikës në vitin 2007, është ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Putinit. I forti i Çeçenisë e ka përshkruar veten si “ushtari i këmbës” i liderit rus, ndërsa Putin, nga ana e tij, e ka përshkruar Kadyrov si një “djalë”.

Për 45-vjeçarin, lufta ka ofruar një mundësi për të rivendosur besnikërinë ndaj Kremlinit, siç është përfshirja e Çeçenisë në vrasjen e liderit të opozitës ruse, Boris Nemtsov. Mijëra ‘Kadyrovtsy’ janë vendosur në Ukrainë. Ndërsa shumica e njësive janë përdorur për të terrorizuar popullsinë lokale dhe për të çrrënjosur kryengritjen, forcat e udhëhequra nga Zamid Chalaev, një aleat i ngushtë i Kadyrov, janë përfshirë në rrethimin e Mariupolit, një qytet që të kujton atë që u bë në Grozny.

“Fati i Kadyrov është i lidhur me Putinin”, tha Harold Chambers, një analist i sigurisë për Kaukazin e Veriut. “Ai duhet ta mbajë Putinin në krah dhe e sheh luftën si një mjet për të mbështetur një pjesë të kësaj. Sa më gjatë të vazhdojë lufta, aq më shumë e ndihmon pozicionin e tij.” Subvencionet federale ruse përbëjnë rreth 80 për qind të buxhetit të Groznit. Katër ditë pas fillimit të pushtimit më 24 shkurt, Kadyrov udhëtoi për në Moskë për të takuar ministrat e Financave të Rusisë, Anton Siluanov dhe atë të Zhvillimit Ekonomik, Maxim Reshetnikov. Ajo që u diskutua në takim nuk u raportua, por koha dha një tregues të lidhjes midis mbështetjes së Kadyrov për luftën dhe ndihmës financiare ruse.

“Është e vështirë të dish shumë për gjendjen e ekonomisë në Çeçeni, por është e mundur që gjërat të mos shkojnë aq mirë,” tha Chambers. Përveç Putinit, Kadyrov ka pak miq në Rusi. Ai është universalisht i papëlqyer nga politikanët, biznesmenët, shërbimet e sigurisë dhe publiku i gjerë. Një grindje e gjatë me Dmitri Peskov, shpërtheu javën e kaluar. Kadyrov, ka një armiqësi ndaj zëdhënësit t Putinit, Dmitri Peskov për mosmiratimin nga ana e tij e lidhjes së vajzës me një çeçen. Ai gjithashtu kritikoi Vladimir Medinsky, kreun e delegacionit të Kremlinit në bisedimet me Ukrainën, për tërheqjen nga rajoni i Kievit.

Një njeri kaq i përbuzur nuk mund të përbënte kurrë një kërcënim për udhëheqjen e Putin. “Nëse Putini vdes ose rrëzohet, do të ishte shumë keq për Kadyrov,” tha Emil Aslan, një specialist kaukazian dhe profesor në departamentin e studimeve të sigurisë në Universitetin Charles në Pragë.

“Ai gjithashtu mund të vritet nga shërbimet ruse të sigurisë ose nga kundërshtarët brenda Çeçenisë, nga të cilët ka shumë. Edhe tërheqja e mbështetjes financiare ruse mund të jetë fundi për të, pasi mund të shkaktojë një kryengritje.”
Ka shenja se Kadyrov, i cili rrallë kalon një natë jashtë rezidencës së tij të rrethuar me mure në Grozny, e njeh rrezikun e mundshëm që i qëndron përpara.
Në fund të shkurtit, ai thuhet se ka zhvendosur shumicën e familjes së tij, që përfshin 16 fëmijë, në Dubai. Javën e kaluar Ukrainska Pravda, një gazetë ukrainase, pretendoi se kishte zbuluar një vilë në pronësi të Kadyrov në Palm Jumeirah, një ishull artificial në formë peme në brigjet e qytetit të Gjirit.
Kjo më shumë se çdo gjë e ka mbajtur atë në pushtet gjatë 15 viteve të fundit.
“Ai është një huligan, një bandit, por ai ka një inteligjencë të caktuar dhe di se si të mbijetojë.”, tha Aslan.