“Dhe Jezusi, pasi thirri përsëri me zë të lartë, dha frymën. Dhe ja, veli i tempullit u gris në dysh, nga lart poshtë; toka u drodh dhe shkëmbinjtë u ndanë ” nga Ungjilli i Mateut.
E Premtja e zezë është portretizuar në forma të ndryshme, nga një numër i madh artistësh. Është një nga temat më të përsëritura, që e kanë trajtuar Raffaello deri te Lorenzo Lotto, nga Rosso Fiorentino te Pontormo kanë ndërmarrë. Edhe unë kam kontribuar me Pieta të skalitura dhe një numër të madh Pietash të vizatuara, Depozitime dhe Kryqëzime.
E Premtja e Madhe, apo e Premtja e zezë është dita kur kujtohen vuajtjet dhe vdekja e Krishtit, Pashkët janë festa e Ringjalljes së tij nga të vdekurit.
E ashtuquajtura “java e zisë”, fillon me të dielën që paraprin dhe është java më e rëndësishme në kalendarin e kishës. Për këtë shkak, në ditën e vdekjes së Jezuit, në të ‘Premten e zezë”, në qendër të përkujtimit janë zia dhe pendimi.
Nga vdekja në ringjallje
Më parë, e Premtja e Zezë ishte festa më e madhe e të krishterëve evangjelistë. Ndërkohë, në të gjitha besimet e krishtera kanë rënë dakord që dita që shënon vdekjen e Krishtit, për fajin e njerëzve është pjesë e pandarë e Pashkëve, pra ditës së Ringjalljes. Festa më e madhe e Krishtërimit, përbëhet nga e Premtja e Zezë, nga e Shtuna e Zezë dhe nga e diela e Pashkëve – ndërkohë, këto shihen si një e vetme.
Intriga, shpifje, proces
Ajo që ndodhi të Premten e parë të Zezë të historisë, nisi mbrëmjen që i parapriu. Jezusi kishte ngrënë darkë së bashku me 12 dishepujt e tij më të ngushtë – për herë të fundit, ata dëgjuan së bashku fjalët e mjeshtrit. Pak pas kësaj, pasuan tradhtia dhe burgosja.
Të Premten e Zezë, Krishtit iu desh të durojë dy procese – njërin të krerëve hebrej, të cilët donin ta mënjanonin Jezuin për shkaqe teologjike dhe një proces të sundimtarëve romakë. “E gjitha ishte një proces me shumë truke”, thotë profesori i teologjisë, Ulrich Lüke, “sepse hebrenjtë nuk ishin zotër shtëpie, zotër shtëpie ishin romakët”. “Ata kishin përcaktuar se vetëm ata kanë të drejtë të marrin vendime me vdekje dhe t’i zbatojnë ato. Romakëve në fakt aq u bënte, nëse aty dilte njëri dhe pohonte se ishte i biri i Zotit. Ata qenë të interesuar për qetësi në vend.”
Për këtë shkak, shtresa e lartë fetare hebreje e kallëzoi Jezuin si kandidat për mbret, si nxitës kryengritjesh dhe si luftëtar për liri. “Guvernatori romak Pilatus pastaj i ra shkurt me Jezuin. Në bazë të të gjitha atyre që dimë për procesin, ai gjeti pak gjëra kundër Jezuit, por nën presionin e njerëzve vendosi ta dërgojë të vdesë Jezuin.” Vdekje me kryqëzim – një nga mënyrat më brutale të ekzekutimit në botën antike. Shpesh lufta me vdekjen e të akuzuarve zgjaste disa ditë.
Fakte të çuditshme
Me siguri që vetëm pak prej atyre që e përjetuan kryqëzimin e Jezuit, e nuhatën se po vdiste dikush me rëndësi të veçantë. “Përkufizimet teologjike se Jezui si qenie ishte Zot i vërtetë dhe njëkohësisht njeri i vërtetë, janë përkufizime që u zhvilluan vetëm më vonë, nga teologjia dhe filozofia,” – thotë teologu Lüke. Megjithatë, në informacionet e Testamentit të Ri të Biblës, raportohet se në kohën e vdekjes së Jezuit dielli u errësua, toka u drodh dhe ndodhën gjëra të tjera të pashpjegueshme. Jezui përjetoi pasojën e fundit të të qenit njeri, deri në vdekjen brutale.
Fundi vetëm një tranzicion
Ajo që ne e quajmë sot Pashkë, u kthye për ithtarët e Jezuit megjithatë në ditë të surprizës. Në mëngjesin e ditës së tretë pas kryqëzimit, varri ku vendosën Jezuin e vdekur qe bosh. Dëshmitarë u ndeshën me të ringjallurin. “Madje edhe dëshmitarë të tillë që nuk kishin menduar fare se ai do të ringjallej,” thotë Ulrich Lüke. Kështu, Maria e Magdalas, e cila ishte e para që e gjeti varrin bosh mendoi e shokuar, se kufomën e patën vjedhur. “Ajo madje është kaq e verbuar nga lotët, sa nuk e njeh Jezuin kur ndeshet me të. U desh që ai t’i fliste, që asaj t’i hapen sytë. Dëshmitarët e Pashkëve, nuk erdhën me brohoritje në varreza, sepse e dinin që tani Jezui ndodhet aty si hero mbi të gjithë”. Vetëm përballja fizike me atë, që qe ringjallur nga të vdekurit, i bindi të krishterët e parë, se ai vërtet jeton.
Perspektiva
Për të krishterët, e Premtja e Zezë dhe ngjarjet e Pashkëve simbolizojnë shpresën. “Ato hapin një perspektivë të re: kjo jetë që ne njohim si të fundme dhe materiale, nuk është e fundit. Pra, për të krishterët, Pashkët hapin një dimension që e tejkalon jetën dhe vdekjen në tokë.