Paraqitja e fundit e J.Lo ka krijuar aludime pasi ajo është parë me një unazë të madhe diamanti në dorën e majtë. Këngëtarja 52 vjeçare u pa duke blerë mobilje me vajzën e saj, Emme, në Los Angeles. Lopez ishte veshur si gjithnjë shumë elegante me një fustan shumëngjyrësh dhe syze dielli të mëdha.
Pamja e unazës nuk duket qartë, por rikujtojmë që unaza e parë që J.Lo mori nga Ben Affleck gjatë kohës kur u lidhën për herë të parë ka qenë një unazë me diamant rozë që kapte vlerën e 1.2 milionë dollarëve (unaza që shihet në foton e mëposhtme).
Vetëm dy muaj më parë, Lopez ishte në një turne promovues për filmin e saj të ri, “Marry Me”, në të cilin foli edhe për lidhjen e saj me Ben Affleck. Ajo i tha Ellen DeGeneres se nuk e kishte menduar kurrë rikthimin së bashku me regjisorin e “Argo”, por shtoi: “Është një gjë e bukur”.
Lopez dhe Affleck u fejuan rreth dy dekada më parë për tu ndarë në vitin 2004. Lopez u martua me Marc Anthony në qershor 2004, me të cilin ka dy fëmijë: binjakët Emme dhe Max, të lindur në 2008. Ndërkohë, Affleck u martua me Jennifer Garner në qershor 2005 me të cilën ka tre fëmijë: Violet, Seraphina dhe Sam.
Megjithatë, Lopez dhe Affleck u ribashkuan në prill 2021 pasi këngëtarja “Dance Again” i dha fund fejesës së saj me Alex Rodriguez.