MENU
klinika

Analiza e BBC

Fitore historike, por Macron e ka përçarë Francën

26.04.2022 - 08:27

Përpara të gjithave, duhet të pranojmë arritjen  e Presidentit Macron. Është hera e parë që një president qeverisës i Republikës së Pestë rizgjedhet.

Po, presidentët e kanë mbajtur Elysee më parë. Por si François Mitterrand në 1988 dhe Zhak Shirak në 2002 ishin në opozitë në periudhën para votimit.

Në të dyja rastet, qeveria aktuale ishte – si rezultat i zgjedhjeve parlamentare afatmesme – në duart e armiqve të presidentit.

Megjithëse në detyrë, Mitterrand dhe Shirak ishin politikisht të pafuqishëm – por kjo ndihmoi kur rrota u kthye përsëri dhe ata e gjetën veten përsëri në avantazh.

Pra, Emmanuel Macron është presidenti i parë në kohët moderne që pasi ka drejtuar për një mandat të plotë çdo aspekt të politikës së jashtme dhe të brendshme, ka fituar sërish besimin e popullit.

Ai e ka bërë këtë me dy metoda, e para prej të cilave premton mirë për pesë vitet e ardhshme, e dyta më pak.

Rezultatet tregojnë se ka miliona francezë të tipit të mesëm që mendojnë se Emmanuel Macron nuk ka qenë aspak një president i keq.

Këta njerëz vlerësojnë se papunësia nuk është më një çështje politike, kryesisht për shkak të reformave të Macron. Ata mendojnë se trajtimi i Covid-it ishte i mirë dhe ata pajtohen se shtyrja e moshës së pensionit është e pashmangshme.

Ata gjithashtu shohin një lider që mund të ketë shumë peshë në skenën ndërkombëtare.

Ata janë të lumtur që dikush në Elysee ka guximin për të folur drejtpërdrejt me Putinin, edhe nëse kjo rezulton një përpjekje e pafrytshme.

Dhe ata mendojnë se nën udhëheqjen e Macron Franca mund të aspirojë të marrë drejtimin në Evropë, në një kohë kur vizioni i tij për autonomi më të madhe ushtarake dhe ekonomike për BE-në po duket gjithnjë e më i rëndësishëm.

Kontrasti në këtë front me Marine Le Pen nuk mund të ishte më i fortë.

Këta njerëz mund të mos e pëlqejnë Emmanuel Macron – por e respektojnë atë.

Sidoqoftë, aspekti i dytë i metodologjisë së Macron është më problematik.

Pesë vjet më parë, Macron bëri një lojë të shkëlqyer për gjendjen e politikës moderne.Duke pushtuar qendrën, ai shkatërroi ”çiftin e vjetër” të konservatorëve dhe socialdemokratëve, dhe vendosi një sistem qeverisjeje shumë të personalizuar dhe shumë të përqendruar.

Por zgjedhjet kanë treguar edhe diçka tjetër: se gjithnjë e më shumë njerëz në Francë tani janë të përgatitur të afrohen me “ekstremet”. Ata e bëjnë këtë sepse – falë revolucionit të suksesshëm të Macron – nuk kanë ku të shkojnë tjetër nëse duan ta kundërshtojnë atë.

French President Emmanuel Macron gestures as he arrives to deliver a speech after being re-elected as president, following the results in the second round of the 2022 French presidential election, during his victory rally at the Champs de Mars in Paris, France, April 24, 2022. REUTERS/Benoit Tessier

Shumë prej këtyre votuesve – veçanërisht miliona që zgjodhën kandidatin e së majtës ekstreme Jean-Luc Mélenchon – tani duan hakmarrjen e tyre ndaj kreut të shtetit të sapozgjedhur.

Ata shpresojnë se mund ta bëjnë këtë në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në qershor. Por nëse kjo nuk funksionon, ata ëndërrojnë për një “raund të tretë” social në shtator, me demonstrata kundër Macron në rrugë, veçanërisht nëse ai deri atëherë ka nisur reformat e reja.

Emmanuel Macron pa dyshim do të fillojë këtë mandat të dytë duke premtuar një lloj të ri qeverisjeje.

Ai do të jetë më shumë dëgjues. Ai e di se ka plagë që duhet të shërohen. Problemi është se ai e ka thënë një gjë të tillë më parë, dhe shumë njerëz thjesht nuk e besojnë atë.

“Këto zgjedhje zbuluan një tendencë në rritje” tha komentatorja Natacha Polony. “Në zgjedhjet e kaluara gjithmonë kishte dikë që njerëzit e njihnin si president të të gjithë francezëve. Nuk jam e sigurt nëse është më kështu.”

Burimi: BBC

Përktheu dhe përshtati: Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga ndikimi i luftës në Ukrainë tek kritikët ndaj tij

DW: Pse fitoi sërish Macron?