U rikthye në Kombëtaren shqiptare në miqësoret e marsit dhe tashmë duket se ai është zhbollkuar totalisht edhe me ekipin e tij. Giacomo Vrioni kishte thuajse dy muaj pa tundur rrjetën në kampionatin austriak.
Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare ka gjetur dy herë golin në ndeshjen e sotme, duke i dhënë një sukses shumë të rëndësishëm skuadrës së Tirol në luftën për mbijetesë.
Tiroli bën pjesë në grupin e skuadrave që luftojnë për të qëndruar në kategori në Austri dhe luante sot ndaj Ried një sfidë që mund të ishte vendimtare për fatet e këtij edicioni.
Ried ishte në avantazh 2-1 por në fund të sfidës erdhi momenti i Vrionit. Në minutën e 82-të ai barazoi shifrat ndërsa në minutën e 4-t shtesë, shënoi edhe golin e e përmbysjes dramatike 3-2 në transfertë që largon ekipin e tij nga fundi i tabelës, me nëj distancë sigurie prej 4 pikësh nga vendi i fundit.
Kështu, Vrioni çoi në 12 gola bilancin e tij personal në këtë kampionat në Austri, duke qenë i dyti në renditje pas talentit Adeyemi të Salzburgut, i cili ka shënuar 16 gola. Asnjë sulmues tjetër i Kombëtares shqiptare nuk ka shënuar sa Vrioni në Evropë.