MENU
klinika

Mbresa hedhur në letër

Gjirokastra… me kujtimin e një burri të jashtëzakonshëm

14.04.2022 - 12:11

       Nga: Sven Aurén/ Cilët janë ata dyzet burrat e shenjtë, që i kanë dhuruar Sarandës, këtë emër me melodi tingëlluese, gati s’e dinë banorët vetë. Madje, nuk duan informacione për këtë pikë.

Ata e kanë fare të qartë, se Saranda, nuk është një fjalë shqiptare, por e shqiptarizuar prej ‘Santi Cuaranta’ (dyzet të shenjtët) dhe ky emri italian, nuk tingëllon mirë në veshët e patriotizmit të madh shqiptar. Nëse banorët e Sarandës, të lejoheshin të bënin si të donin vetë, atëherë ata do ta ri pagëzonin qytetin e tyre, me një emër krejt ndryshe.

Me që tani kjo s’bëhet, kështu që ata vetvetiu shtiren, që Saranda është thjeshtë emër shqiptarë dhe refuzojnë kureshtjen e të huajve, përsa i përket atyre dyzet të shenjtëve, me disa fjalë të pa kuptueshme, të cilat e kalojnë bisedën në rrugë të tjera.

Në të kundërtën e Vlorës, Saranda, nuk ka ndonjë shenjë të dallueshme me karakter italian. Është një qytet i vogël bregdetar me 2.000 banorë, të cilët sipas mënyrës shqiptare i ndërtojnë shtëpitë, nën hijen e një shkëmbi gjigant paleozoikët. Mirëpo në ngjashmëri me Vlorën, banorët e Sarandës, kanë një shtet të huajë pothuaj pranë edhe pse nuk sillet në mënyra aq agresiv si në Sazan.

Kjo është Greqia. Nëse ke një pasaportë me vizë në xhep dhe një barkë lundrimi në dispozicion, mundesh të bësh një ekskursion në Korfuz, që ndahet nga qyteti, vetëm nga një ngushticë e ngushtë. Ishulli grek, jeshil pjellorë dhe tërheqës, duket prej skelës së Sarandës. Në Korfuz, perandori Wilhelm, kishte rezidencën e tij preferuese, ku prej tarracës mermerit, ku ai zakonisht ulej dhe shihte malet e egra të Shqipërisë.

Në Korfuz gjithashtu jeta e shoqërisë së lartë, ishte elegante. Mbrëmjeve shqiptarët e varfër të Sarandës, mundeshin të shikonin fishekzjarrët, që ngriheshin në ajër në harqe ndriçues. Ata gjithashtu mundnin të admironin gjithë vaporët luftarakë, të cilët kishin ankoruar në ngushticë. Gjatë Luftës Botërore, mbaruan të gjitha festat e gëzueshme, por vaporët e pasagjerëve u shtuan në numër dhe uji ndërmjet Korfuzit e Sarandës, u bë nga më të rëndësishmit e të gjithëve, si bazë për flotat franceze dhe italiane.

Ndërkohë ngushtica është mjaft e heshtur, po ashtu edhe ishulli i famshëm i Korfuzit. Por kur Korfuzi kënaqet, t’ue menduar për kujtimet e kaluara të kohës së madhështisë, Saranda e parëndësishme, ka fituar prestigj. Si skela e qytetit më jugorë të Shqipërisë, Saranda, luan një rol shumë të madh, për tregun e Epirit Shqiptar. Dhe kjo tregti rritet në sipërfaqe, duket nga këto rrethana se një numër gjithnjë më i madh avulloresh me ngarkesa, kanë filluar të ankorohen në këtë qytet, të cilin kancelari gjerman, Bethmann-Hollweg, me arrogancë e karakterizoi si një “koloni peshkatarësh”.

‘Koloni peshkatarësh’ ose jo, kështu unë bile jam njohur me atë më simpatikun dhe më të kulturuarin shqiptar, që kam pasur privilegjin të takojë. Kur avullorja jonë në mëngjes herët, lëshoi spirancën në molon e Sarandës, ai hyri në bord dhe na përshëndeti për mirëseardhjen. Pasi ndaloi kaiken, ai u ngjit në shkallët e litarit, me tre kërcime hapash, ngriti kapelën dhe me një qeshje dashamirëse tha: -Unë jam Delvino Beu. Saranda u lutet nëpërmjet meje, të përshëndesë mirëseardhjen e miqve të saj suedezë!

Ndërkohë ai u duk aq i lirshëm dhe simpatik, sa neve u dorëzuam pa kushte: i shkurtër, i qeshur zotëri rrumbullak, ku qeshja e tij, qe absolut pa asnjë xhentilesë të ekzagjeruar dhe sjellja e tij tërheqëse e natyrshme, përnjëherë theu gjithë barrierat konvencionale.

Pas kësaj, neve ishim shumë së bashku, por ai nuk tregonte shumë për veten e tij, prandaj unë nga anë të ndryshme, nxora pak njohuri mbi prejardhjen e tij interesante. Delvino Beu, i përket aristokracisë së Shqipërisë dhe është nëpërmjet afërsisë fisnore, i lidhur me një burrë aq të rëndësishëm, si Ekrem Vlora, të cilin unë e kam prezantuar më përpara. Familja e tij ka qenë mjaft e pasur dhe në kohën e turqve, zuri një vend të dalluar në qytetin e Kostandinopojës. Babai mbulonte postin e spikatur të Guvernatorit të Izmirit dhe urdhrin e bukur të guvernatorit, e gjen të ruajtur për të parë në banesën e bukur të Delvino Beut.

Përveç kësaj, as Delvino Beu vetë, s´është pa urdhra. Ai ka një radhë dekoratash, të cilat i ka marrë nga dora e Sulltanit dhe një dekoratë të shkëlqyer, që e ka prej Perandorit. Edhe zonja jashtëzakonisht e bukur e tij, me të cilën ai u fejua, kur ai vetë ishte gjashtëmbëdhjetë vjeç dhe ajo në moshën njëmbëdhjetë vjeç, posedon dekorata të shkëlqyera. A është marrë me politikë? Natyrisht që po, si çdo burrë i rëndësishëm shqiptarë. Gjatë një revolucioni, që ngjau në vend tashti afër, i rastisi keq dhe i vunë prangat në duar dhe detyrohet nëpër vapën prej 30 gradësh, në këmbë, të ecë në rrugën e gjatë 30 km., midis Sarandës dhe Fierit. Mendimi qe ai do të arkibuzohej, por si do qoftë, ekzekutimi u anulua dhe Delvino Beu, u lejua të kthehet në qytetin e vet, ku ai kujdeset për pasuritë e veta dhe bënë një jetë të qetë e të këndshme. Pjesën kryesore të pronave ende mjaft të mëdha, i ka investuar në një katund, i cili mbanë emrin e familjes tij dhe që shtrihet menjëherë jashtë Sarandës: Delvina.

Në shoqërinë e këtij burri të këndshëm, lundruam brenda në Sarandë, ku në fillim zumë dhomë në hotelin e qytetit, që na befasoi për pastërtinë dhe jorganët e tij të çuditshëm. I zoti simpatik i hotelit, s´dinte se si me u mirëkujdes për neve. Për të shënuar ngazëllimin mbi këtë vizitën e papritur, urdhëroi të hiqen jorganët e zakonshëm dhe të zëvendësoheshin me një palë fare të reja, siç quhen mbulesa me dallga dekoracionesh, ku ngjyrat e tyre intensive, na bënë të zgurdullojmë sytë nga habia. Në dhomën tonë kishte gjithashtu një ballkon, prej ku neve kishim një pamje madhështore, mbi kodrat e gjelbërta të Korfuzit dhe grykës ultra-marinë blu, të ujit të mrekullueshëm të qartë si kristali.

Pas një gjysmë ore na mori Delvinoj me automobilin e vet:

-Ne do të shkojmë tek Baba Selimi! Na sqaroi xhentëlmeni i parë i Sarandës. Po kush ishte Baba Selimi, s´dinim asgjë.

Kështu ne e lamë qytetin e portit dhe karroja e fuqishme, shpejton në një serpentinë të rrezikshme. Udhëtimi ynë shkon përpjetë në mal, teposhtë në mal, nëpër katundin idil të Delvinës, përbri një tyrbeje, ku ndonjë muhamedan i shenjtë, prehet në arkivolin e tij, të brejtur prej druri, përpjetë dhe për poshtë prapë. Unë s´do t’u lodh me një përshkrim të ri, të terrenit shqiptar. Malet aventuriere janë njësoj të larta, njësoj të ashpra dhe romantike, në jugë të Shqipërisë, sikurse ne veri.

Kthesat e serpentinës, po ashtu guximtare të pa kuptueshme. Unë dua vetëm ti ve edhe një bojë tjetër, majës së maleve me dëborë të bardhë dhe shpateve bojë hekuri në gri: tullë të kuqe. Disa nga malet, janë në tullë të kuqe të tërbuar, në një nuance, që qëndron e magjepsur, kundrejt asaj të bardhës dhe hirit edhe pse efekti në fillim, të duket shtangës jo e natyrshme. Kështu është. Natyra vetë, të jep një mbresë të panatyrshme.

Pasi ne i’u afruam postës kufitare greke dhe pamë diellin të reflektojë, në tytat e pushkëve të rojeve kufitare, rruga zgjatet drejt, si një vizore nëpërmjet një korridori alpesh të çelët. Në mes të korridorit, rrjedh lumi Drin dhe në mbarim të tij, ndërtuar me tarraca, në rrëpirat e shpateve të alpeve, shtrihet qyteti i vogël i Gjirokastrës. Ky ka 11.000 banor dhe të kujton si në pamje, ashtu dhe në pozicion, Krujën e Skënderbeut.

Përveç kësaj është interesante, se si historia e shqetësuar e vendit, i’u ka dhënë këtyre qyteteve malore shqiptare, vlera të mëdha estetike. Njerëzit janë detyruar të ndërtojnë dhe të banojnë në male dhe shkëmbinj, të pa kalueshëm, të ngrenë shtëpi, si të varura në muret shkëmbor, në pozicione më të habitshme. Udhëtari modern, ka përparësi nga kjo gjendje. Rezultati të jep një dëfrim sysh, pa asnjë pamje ekuivalente në Evropën e lindjes.

Gjirokastra ka rrugët e saj të ngushta të mesjetës, pazarin e saj oriental, kalanë e madhe të saj, e cila ka zgjedh një pozicion kërcënues dhe dominues, në një pllajë të lartë dhe të harruar. Edhe në Gjirokastër, jeton kujtimi i një burri të fortë dhe të jashtëzakonshëm, që edhe ai ka luftuar për lirinë e Shqipërisë edhe ndonëse, me më pak qëllime fisnike, se sa Skënderbeu.

Ai është Ali Pash Tepelena, i cili në fillim të viteve 1800-ës, sundonte si diktator në këtë krahinë, prijësi që tallej me ekspedicionet ndëshkuese, të dërguar prej Portës së Lartë në Kostandinopojës dhe gëzonte një konsideratë ndërkombëtare, për trimëri dhe ashpërsi. Bile edhe Napoleoni i lypi ndihmë një herë, këtij Pashës së fuqishëm, por pa sukses. Me gjithë trimërinë e tij, Ali Pash Tepelena, nuk ishte aq popullor midis shtetasve të vet. Zakoni i tij të fusë njerëzit e pabindur, në kafazet e tigrave, nuk shihej si vepër xhentëlmenësh.

Për Ali Pash Tepelenën, dëgjova një histori të vogël në Gjirokastër, e cila s´është pa magjepsje e saj. Në Voskopojë, jo larg prej këtu, lindi Mehmet Aliu, ai burri që themeloi dinastinë e kedivëve në Egjipt. Ali Pash Tepelena dhe Mehmet Aliu, që të dy përdorën dinakëri dhe mizori, në karrierat e tyre dhe jo pak ushqenin ndjenjën e rivalitetit, kundrejt njëri tjetrit. Kur Mehmet Aliu, arriti qëllimin e tij të jetës dhe u bë zoti i Egjiptit, i dërgon një letër vëllait të grindjeve të vjetra:

“Unë tani jam bërë sunduesi i Egjiptit të madh”, shkroi ai, “dhe të dërgoj ty përshëndetjet e mia dhe një betim për miqësinë time. Unë të ftoj ty, zot i Shqipërisë së Jugut, që të fillojmë një letërkëmbim miqësor me mua, që jam zot mbi Egjiptin”.

Ali Pashë Tepelena, duhet ta kishte ndier veten krenarë. Çfarë ishin malet e tij të zhveshur, karshi perandorisë egjiptiane? Asgjë. Por përgjigja e tij qe:

“Ti duke e quajtur veten sundimtari i Egjiptit, mendon ti se ke të drejtë, të më shkruash mua në një ton të barabartë. Mbaje mend, është kollaj të jesh zot i egjiptianëve, por vështirë të jesh i shqiptarëve. Sepse çdo shqiptari, i duket vetja, se ai vetë, është një Ali Pashë Tepelenë ose Mehmet Ali!”

Mehmet Aliu hoq dorë nga letërkëmbim tjetër.

-Ne do ta marrim Gjirokastrën, më thellë një ditë tjetër, thotë Delvino Beu. Por megjithatë do t’i hedhim një sy kalasë.

-Plotëson ndonjë funksion kalaja në këtë kohë?

-Në maksimum. Një burg i madh është përfshirë në të atje lart. Ai është mjaft i mbushur, shton ai me buzëqeshje.

Kjo kalaja e vjetër, dukej sikurse shumica e kalave shqiptare: mure të trasha gurësh, frëngji të ngushta, me panorama mahnitëse. Unë qesh më i interesuar për burgun. Pas një copë here diskutimi të nxehtë me drejtorin, arriti Delvino Beu, të marrë një leje vizite. Ne hymë nëpër një qemer me lagështi, porta hekuri të ndryshkura, hapen dhe mbyllen pas nesh dhe kështu, gjendemi në dhomën e drejtorit, e cila është e ndriçuar dhe e këndshme, me një tavolinë shkrimi impresionuese.

Drejtori është një burrë në moshë mesatare, me sy miqësor dhe mirësjellje. Njeriu më i afërt i tij, hedh pushkën në krah dhe largohet, për të marrë disa copa komposto, që i kanë prodhuar të burgosurit. Nuk shijojnë aspak keq dhe pas disa minutash bashkëbisedimi, nisemi për në një qemer tjetër, për të përshëndetur tek akomodimi i kalasë. Përsëri kërkëllojnë portat e larta të hekurit, ushtarët qëndrojnë në gatitje të rreptë, kur kalojmë neve, një nga ta bile përshëndet me përnderë-armë.

Kur hapet porta e fundit e kangjellave, ndodhemi në një korridor të madh, me një radhë dyersh, në çdo anë me brava hekuri. Dyert e qelive, nuk të bëjnë ndonjë përshtypje bindëse, siç duket janë, që nga koha e Ali Pash Tepelenës. Në çdo derë ka një vrimë të vogël dhe unë shikojë në njërën nga to, që kam më afër.

Më bënë sytë? Është e vërtetë?

Qelia me të vërtetë s´është e madhe, por me dritë dhe ajër. Në disa krevate portative, janë ulur gjashtë burra dhe një grua. Atmosfera është e gëzueshme dhe e lirshme. Pinë duhan, qeshin, flasin dhe luajnë letrash. Një figurë e zezë e vogël, zbulon gjëra të shijshme, nga një shportë. Një histori hokatare shpërthen një breshëri të qeshurash, e cila dëgjohet larg, jashtë në korridor dhe bëri që si drejtori ashtu dhe post-rojet, të rrudhin buzët. Ai grupi i gëzuar nuk më sheh, ku unë qëndroj në vrimë të derës.

Unë nxitoj tek qelia tjetër dhe përjetojë të njëjtën skenë, këtë herë me pesë burra pjesëmarrës.

-Ju duket se jeni ithtar i trajtimit human, të të burgosurve! shpërthej unë.

Ai qesh i kënaqur:

-Pse duhet të jesh aq i ashpër me këta fatkëqijtë të gjorë, të cilët në shumë raste, as që e kuptojnë se çfarë kanë bërë?

-Çfarë lloj kriminelësh, strehon burgu?

-Disa vrasës dhe hajdutë, ndonjë rast gjakmarrje, si dhe një pjesë personash, veprat e tyre unë s´i kam aq të qarta.

-Sa i gjatë është orari i punës?

-Si rregull unë nuk i detyroj ata për ndonjë punë. Pse duhet të aplikohet dënime të ashpra, pa qenë nevoja?

S´qe një ngjarje, e cila u duk si një mendim, që unë në këtë moment, më erdhi një melodi në buzë, nga skena e “Copë lëkura”?

-Tani duhet të largohemi. Baba Selimi pret, vë në dukje Delvino Beu. Dhe kështu largohemi nga burgu i gëzuar i qytetit malor dhe zëmë vend në ata automobila, që ndërkohë i kanë prurë përpara. Një numër zotërinjsh nga qyteti i Gjirokastrës, janë bashkuar me grupin tonë, për të shërbyer si shoqërues, gjatë vizitës tek mistiku, Baba Selimi. Kolona e automobilave fillon rrugën. Në shpejtojmë përsëri përpara, në rrugën e mrekullueshme të korridorit të alpeve.

-Unë jam me të vërtetë i gëzuar, që arrita ta përgatis këtë takim me Baba Selimin, pohon i kënaqur Delvino Beu dhe mbush llullën. Ai pi duhan anglez, të cilin e importon direkt. Monopoli shtetëror, nuk sjell duhan për llullë.

-Nuk qe aq kollaj, vazhdon ai. E shihni, Baba Selimi, ka një frikë të madhe për të mos u konsideruar si ndonjë far kurioziteti nga kureshtarë të huaj dhe si pasojë, mjaft dyshues. Por atëherë unë theksova, se ju dhe zonja juaj, keni udhëtuar që prej Stokholmi për në Gjirokastër, për të paraqitur një raport mbi pozitat e religjionit muhamedan në Suedi, atëherë ai u gëzua aq, sa na ftoi neve të gjithëve për drekë.

-Po kush është Baba Selimi? Pyetëm neve për një herësh, zonja ime dhe unë.

-Juve e dini apo jo, se Bashkësia Bektashiane, është sekti religjioz më i organizuar i vendit. Urdhri është i organizuar në një numër tyrbesh e teqesh, ku çdo njëri përbëhet nga dhjetë deri në tridhjetë Dervishë, me një Baba si shef. Në këtë manastir, që ne jemi duke shkuar, në të vërtetë ka vetëm nja dhjetë e ca dervishë, por prijësi është, Baba Selimi, gëzon një famë, e cila shkon larg, jashtë kufijve të Shqipërisë. Baba Selimi është një burrë aq i çuditshëm, sa ai titullohet “Shenjtëria e Tij”, nga të lartë dhe të ulët.

Influenca e tij përveç tjerash, nuk është e kufizuar vetëm në jetën religjioze të vendit. Ai ndërkohë është edhe një faktor i fuqishëm politik. Përpara zgjedhjeve të rëndësishme mund të ndodhë, që politikanët e jugut shqiptarë, shkojnë në Bashkësinë Bektashiane, për të marrë përkrahjen e Baba Selimit, në fushatën e afërt të votimeve.

-Po si ka mundur ai të fitojë këtë pozicion?

-Po, kësaj pyetje s´është lehtë t´i përgjigjesh! Por çdo gjë që ka krijuar autoritetin e tepërt, të prijësit të dervishëve, ka ndikuar veçanërisht situata, se ai është izoluar krejtësisht nga ‘profanum vulgus’ dhe jetën e tij private, ja ka kushtuar veç thjeshtësisë, që prek për të mos thënë kalon në të pabesueshmen. Babai tani është diku mbi gjashtëdhjetë vjeç. Gjatë 45 vjetëve, e dëgjon se ç´them unë: dyzet e pesë vjet, ai vetëm një herë ka dalë prej dhomës tij në Teqe. Ajo qe gjatë Luftës Botërore, kur granatat bullgare i vunë zjarrin shtëpisë së tij dhe ai duhej të priste, në një Teqe tjetër, ndërsa prona e tij po riparohej.

-Ai është pra me një defekt fizik?

-Aspak. Ai është njëlloj i shëndoshë si ju dhe unë. Përjashto atë shkëputjen e vogël, që unë padyshim duhet ta konsideroj si force majeure, ai pra gjatë dyzet e pesë vjetësh me radhë, kurrë nuk ka parë diçka tjetër, se sa ata katër muret e dhomës së tij të gjatë dhe ato alpet e përjetshme, të mbuluara me dëborë, që duken nga dritarja e tij. Baba Selimi, nuk ka zbrit poshtë, as në bahçen e Teqesë për të parë ato lulet e bukura, që ka krijuar Allahu, për kënaqësi të njeriut. Ai ka braktisur çdo gjë me përjashtim të Kuranit dhe tema të ndryshme religjioze e shkencore. Ai ka hyrë vullnetarisht në një ‘burg’ pambarim, më i rreptë se të ndonjë murgu, për të treguar, se ai ka pretendime jo vetëm për të tjerët, por edhe për vetveten.

-Një shenjtor modern…!

-Ndoshta po. Në çdo rast Baba Selimi, është bërë një burrë i shenjtë në sytë e popullit shqiptarë. Njerëzit bëjnë pelegrinazh tek ai, për të mund me i puth dorën, burra të mëdhenj i luten për këshillime, teologë të shquar prej vendeve muhamedane e kanë për nderë, të marrin përgjigje të letrave të tyre, nga një shërbyes i tillë i Muhamedit. Qindra mijë shqiptar, kanë marrë dorë në urdhrin bektashian dhe një fjalë nga Baba Selimi, për një çështje të politikës së brendshme, mund të ketë domethënie pa masë.

Me gjithë që ky ‘eremiti bisarr’, kurrë s´ka denjuar të dalë jashtë midis bashkatdhetarëve të vet dhe të shohë vendin e vet, prapë se prapë ai ka krijuar pozitën e tij, e cila është shumë më solide, se e shumë bejlerëve të pasur. Ai kurrë s´ka kërkuar kënd por kërkohet, nga të gjithë dhe nga çdo njëri. Ai është një paradoks i gjallë. Dyzet e pesë vjeçari i izolimit i ka dhurua atij një pozitë pushteti, me përmasa për t´u lakmuar.

-Tani jeni ulur dhe tregoni përralla, Monsinjor Delvino!

-Allahu është dëshmitari im, se unë flas të vërtetën dhe vetëm të vërtetën! Pyetni cilin të doni në Shqipëri! Shkruaj dhe informohuni tek udhëheqja e lartë e Selisë Muhamedane! Ju do të merrni po të njëjtat informata. Shikoni, atje përtej, në të majtë tashmë mund të dalloni Teqenë Bektashiane…!

Përpara nesh ngrihet një kodër e gjatë dhe atje në majë, unë shoh pronat e Baba Selimit: një grumbull ndërtimesh të bardha të rrethuara nga një mur dhe mbas murit, alpe blu të shkëlqyeshëm kurorëzuar nga bora e bardhë verbuese. Dyzet e pesë vjet pa ta pas ënda, aq shumë sa pesë minuta të shkreta shëtitje, në këto rrethina të mrekullueshme! Kjo është Evropa, në të cilën ndodhemi ne? Po, kjo është Evropa!/ Marrë nga Memorie.al

On thee, thou rugged nurse of savage men.

Lord Byron.

Në librin “Orienti i Evropës”, autori i veprës asht suedezi Sven Aurén. Janë përshtypje udhëtimi nga Shqipëria nga mezi i viteve ‘30. Përjetimet e tije direkte pa asnjë retushim.

Me një fjalë përkthimi i librit ka për të sjellë tek lexuesi shqiptar, vlera origjinale njohje të asaj historie që ne nuk e kemi njohur dhe jo pak vazhdojmë, ta njohim dhe tani të deformuar nga interesa të momentit.

Tani pak për atë që ju adreson këta rreshta: Quhem Adil Biçaku. Kam punuar dhe jetoj mbi 50 vjet në Suedi, pa e shkëputur për asnjë moment, mendimin dhe ndjenjën nga Shqipëria jonë.

Tani jam në pension dhe jetoj me gruan dhe fëmijët, këtu në Stokholm. Duke qenë një kohë e gjatë, nga evolucioni i gjuhës shqipe, që natyrshëm, ka ndodhur gjatë këtyre dhjetëvjeçarëve, jam i vetëdijshëm për vështirësitë, jo të vogla me të cilat do të ndeshem, për t’i dhënë lexuesit shqiptar, përjetimet e origjinalit.

Prandaj do t`ju isha shumë mirënjohës, nëse së bashku do të gjenim një mënyrë praktike bashkëpunimi, për ta përkthyer këtë libër me vlera të shumanshme.

Moralisht do të ndihesha shumë i lehtësuar, duke shlyer një pjesë të borxhit, që kemi të gjithë ne shqiptaret, karshi Shqipërisë sonë, veçanërisht në këto kohë që vazhdojnë të jenë kaq të trazuara.

Me shumë respekt

Adil Biçaku

Meli Qena: Është peridha më e ndritshme e jetës time

40 vjetori i themelimit të Teatrit ‘Dodona’

Arratisja më e madhe në veriun e vendit

Si e kaluan kufirin 26 veta të familjes Skepi më 1958!

Çfarë i ndodhi doktor Guarametos, i qëlluar nga hetuesi i tij

Misteret e një darke në faqet e një romani magjik të Ismail Kadaresë!

Bashkëshortja e ish-futbollistit rrëfen lidhjen e tyre pasionante

Piloti që u bë portier, historia e Mikel Jankut!

Xhufi: Enver Hoxha nuk donte t’ia linte partinë…

43 vjet nga vdekja, letra e fundit e Mehmet Shehut!