MENU
klinika

“Ngrin” Berisha

Gjykata njeh Bashën në krye të PD

06.04.2022 - 17:30

Komisioni i Rithemelimit është një organ që nuk njihet nga gjykata apo institucionet e tjera, pasi në regjistrin e partive politike në Gjykatën e Tiranës Lulzim Basha figuron ende si kryetar i Partisë Demokratike.

Pas dorëheqjes së lidershipit demokrat nuk është hapur procesi për kryetarin e ri ndaj dhe Basha vijon të figurojë zyrtarisht në letra si drejtues i partisë.

Një ditë më parë anëtarët e Komisonit të Rithemelimit sulmuan ambasadoren amerikane Yuri Kim për injorim të vendimit të Gjykatës së Tiranës që riktheu Sali Berishën në selinë blu, por në regjistrin e partive politike vendimi i gjyqtarit Agron Zhukri nuk është reflektuar pasi ai është apeluar nga Enkelejd Alibeaj.

Kjo mund të jetë edhe arsyeja sepse diplomatja amerikane Yuri Kim e njohu publikisht Enkelejd Alibeajn si kryetar në detyrë të Partisë Demokratike.

Vendimi i 25 marsit u konsiderua si fitore nga Komisioni i Rithemelimit që nuk humbi kohë dhe pa u tharë boja e vendimit të gjyqtarit Zhukri mori kontrollin e selisë, por shkresat zyrtare tregojnë se beteja për godinën, vulen dhe seline e PD-së nuk ka përfunduar ende.

Ajo tashmë është zhvendosur në gjykatën e Apelit, ku demokratët kanë kërkuar prishjen e vendimit që i hapi rrugë rikthimit të Sali Berishës në selinë e PD.