“Çdo fotografi e saj, tregon luftën mes territ e dritës. Vështrimin e saj për masakrat mafioze, për dhunën, për degradimin; nuk e tërhoqi vdekja, por jeta që u përkul, për të fituar hapësirë. Ajo nuk tërhiqej nga hija; nëse kishte diçka që Letizia Battaglia e kishte kuptuar, ishte se duhet të tejkalosh errësirën, ta ndriçosh atë, të gjesh dritën.
Përballë gënjeshtrave dhe indiferencës, mjeti më efektiv mbetet dëshmia e pamjeve. Nga Siçilia e Letizia Battaglia-s, deri te fotografitë e të mbijetuarve në det në përpjekje për të mbërritur në Evropë, duke i ikur luftës, varfërisë ekstreme, urisë. Deri në fotografitë që dëshmojnë për mizoritë ruse në Ukrainë, prova të pakundërshtueshme që ndryshojnë këndvështrimin tonë.
Pa punën e tyre vetëmohuese si dëshmitarë, ne do të ishim indiferentë ose më keq, bashkëfajtorë” – shkruan Roberto Saviano, për ndarjen ng jeta të fotografes legjendare, Letizia Battaglia.
Ndërsa “La Republica”, shkruan: Kemi humbur një grua të paepur
Askush nuk e ka zbutur ndonjëherë Letizia Battaglia, as vështirësitë e një jete, as fama e “fotografisë mafioze” që ajo e urrente, që ne gazetarët e pangopur ia kemi veshur asaj. A i përkasin mafies, fotografitë e saj? Sigurisht që jo! Për njëzet vjet, ajo e luftoi këtë përkufizim që i bëhej.
“Nuk jam fotografja e mafies, jam kundër mafies. Kam fotografuar Palermon dhe në Palermo është edhe mafia”.
As fotografitë e saj nuk e kanë mposhtur ndonjëherë, nga e cila është ndjerë e “burgosur”, në rolin e fotografes që ka fotografuar luftën civile në vendlindje. Fotografitë që “nuk më pëlqejnë. I vuaj ato. Sikur nuk i kam bërë. Një lloj burgu që do të më duhet ta tërheq zvarrë, përgjithmonë”. As sëmundja që e mori përfundimisht, ditën e djeshme në Palermo, në moshën 87-vjeçare, nuk e ka mposhur. Një grua, – sikur e përshkruajnë – e cila, kishte shumë frikë, prandaj kishte aq shumë guxim.
Pa dyshim, të gjithë mendojnë për vitet e luftës së tmerrshme mafioze të viteve shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë, kohë kur Letizia, nga vitet ‘74 deri në ‘91 ishte në krye të “Ora di Palermo”, së bashku me Franco Zecchi-n, duke qenë dëshmitarët e dhimbjes, sa dhe revoltës. Fotografitë që, disa vite më parë kishte menduar t’i digjte në një zjarr të madh, për fat shpëtuan. Madje, disa zgjodhën t’i varnin në shtëpi: “Kështu, i shoh çdo ditë dhe në terma afatgjatë, nuk i shoh më”.
Por, beteja ishte vetë jeta e saj, jetët e saj të shumta si grua, jo thjesht fotografe: animatore kulturore, ambientaliste, regjisore, redaktore, politikane, këshilltare bashkie, deputete rajonale, “të jesh këshilltare në Palermo, ka qenë më bukur se ta fotografosh”.
Në të gjitha ato përvoja, figura e fotografes ishte e madhe dhe e nevojshme. “Isha një grua me probleme. Nuk isha e lumtur, nuk kisha pasur mundësi të shtjelloja diçka, një mendim timin, rrugën time… Fotografia më shpëtoi nga emocionet, dëshpërimi, katastrofat psikike”. Kur, për të hequr fiksimin me imazhet e saj të kufomave, ajo filloi t’i fotografonte duke u mbivendosur fytyrat e grave… “dikush tha se, pozat e mia të thithin… Oh, bukur! Ishin të dobishme!”.
Një “jetë e kapur nga intuita”, pa paramendim, “Kurrë, nuk kam teorizuar asgjë dhe as nuk kam ndërmend ta bëj. Kur fotografoja, e bëja sepse më duhej, ndonjëherë sepse më pëlqente”.
Në fund të fundit, mes Letizia Battaglia dhe fotografisë, ka ndodhur diçka e bukur, por jo vetëm mes tyre. Ishte një farë mrekullie, një lidhje astrale. Një grua donte të shpëtonte prej të gjitha burgjeve të vetes. Fotografia i tregoi rrugën drejt lirisë. Dhe me fotografitë e saj, ajo tregoi lirinë për pjesën tjetër të botës. Kështu ndodh me fotografinë, – thotë Letizia, shpesh – “Depërtoni në historinë që keni para syve dhe në historinë që keni brenda vetes”.
Dhe e saja, ishte edhe historia e Palermos, qyteti që u përpoq ta linte shumë herë, por që e ka tërhequr gjithmonë. “Kam fotografuar në të gjithë botën, por për mua, fotografitë jashtë Palermos janë ndryshe. Këtu ka diçka që më përket ose ndoshta i përkas. Kam fotografuar kronikën e këtij qyteti. Nuk kam bërë art, kam bërë një punë të vështirë, madje të pamëshirshme… për nëntëmbëdhjetë vjet.
Kronika kishte gjithçka, procese, ndeshje futbolli, festa për të pasurit. Asnjëherë natën e ndërrimit të viteve me familjen time, në nëntëmbëdhjetë vjet! Por në Palermo kishte mafie, kishte viktima të mafies. Dhe i fotografova edhe ato”.
Sigurisht që ka fotografuar edhe mafien edhe ata të cilët, nuk përfaqësojnë mafien; ata janë vetëm menaxherët e tyre momentalë. Mafia, – thoshte ajo, – është gjendje sociale, mentalitet, pjesë e historisë.
Në fund të fundit, Letizia ishte fotografja e një komuniteti, e një qyteti ku përfshihej edhe mafia. Ajo vuajti prej saj, se u ndikua dhe u ndryshua prej saj, por nuk u identifikua, nuk përputhej saktësisht me mafien – që në fakt, nuk ishte një roman, por përfshinte gjithçka, duke nisur nga loja e deri te frika.
Në të gjitha intervistat, deklaratat dhe rrëfimet më të fundit, Letizia nuk e ka fshehur hidhërimin. Por shkrepjet e saj ende jetojnë, – siç thoshte nëntitulli i një prej biografive për fotografen, “mbi plagët e ëndrrave të saj”.