MENU
klinika

Mero Baze

Kanabis i licensuar apo i legalizuar?

07.04.2022 - 21:29

Kryeministri Edi Rama ka provokuar një debat, i cili nuk ka lidhje me legalizimin e Kanabisit. Pohimi i tij se do të lejojmë dhe licensojmë prodhimin e kanabisit për qëllime mjekësore, është tërësisht i ndryshëm në thelb dhe në dukje nga ai proces që quhet legalizimi i kanabisit.

Ajo që tha Edi Rama ka të bëjë me licensimin e disa kompanive të specializuara që prodhojnë kanabis në ferma të mbyllura dhe të certifikuara për qëllime eksporti legal për industrinë farmaceutike. Aktualisht në rajon këtë e bën prej disa vitesh Maqedonia e Veriut, madje disa nga kompanitë janë nga Shqipëria.

Kjo nuk ka të bëjë fare me legalizimin e kanabisit.

Legalizimi i Kanabisit, është ai që ndodh në shumë shtete të SHBA apo në Hollandë, ku konsumimi i kanabisit është dekriminalizuar dhe ai shitet në farmaci për përdoruesit.

Ky është lejimi i përdorimit publik të kanabisit. Kjo që po propozon Edi Rama është një degë e re e ekonomisë së specializuar për prodhimin e tij dhe nuk ka asnjë lidhje me legalizimin. Në Maqedoni ku po aplikohet prej gati pes vitesh, nuk ka pasur ndonjë sukses të dukshëm. Madje disa kontraktues shqiptarë kanë dështuar në investimin e tyre për shkak të kërkesave të forta të tregut ndërkombëtar dhe dështimit në standardet e kërkuara.
Në këtë drejtim, nuk ka vend për debate rreth legalizimit të kanabisit, pasi nuk jemi ende para një propozimi të tillë. I vetmi debat që vlen të bëhet, është nëse ekziston mundësia për një treg të sigurt para se të prodhohet nga kompanitë që duhet të investojnë miliona në këtë industri, pasi duhet ta prodhojnë në kushtet e serave të mbyllura dhe me ndriçim artificial, çka nënkupton dhe harxhim energjie.

Debatet e provokuara me këtë rast, janë ose nga keqkuptimi, ose nga “paniku” që po u marrin punën. Debati real, ai për legalizimin e kanabisit, si produkt në tregun shqiptar dhe dekriminalizmin e tij, është debat real, dhe mbart plot rreziqe për shoqëri të vogla si e jona, dhe me një pritshmëri të lartë fitimi nga kjo industri e ndaluar.

Shqipëria nuk është ende gati as për këtë debat dhe as për legalizimin e tij. Kjo që propozon Edi Rama, është thjesht licensim prodhimi i standardizuar, me një sistem të rrepte regjimi doganor dhe nuk ka lidhje as me legalizimin dhe as me tregun e lirë të kanabisit. Është thjeshtë një degë e ekonomisë së mallrave të akcizës, që mbikëqyret rreptësishtë nga shteti dhe nuk ka punë me qytetarët.

Fakti që qeveria dëgjon debate për legalizimin e kanabisit dhe bën sikur e ka mendjen, duket më shumë si një fushatë tinëzare për të marrë opinionin e kundërshtarëve të legalizimit, që nuk e ka propozuar ende, ose një provokim i atyre qe e ëndërrojnë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin