MENU
klinika

"Përpjekje për t’i paraqitur serbët si ngacmues"

Lista Serbe reagon për sulmin ndaj policisë në veri

26.04.2022 - 13:11

Lista Serbe ka reaguar për sulmin e sotëm në Zubin Potok ndaj Policisë së Kosovës, duke deklaruar se serbët që përbëjnë shumicën e popullsisë s’qëndrojnë prapa sulmit ndaj autoriteteve të rëndit.

Përmes një njoftimi në Facebook të kësaj partie thuhet se e dënojnë sulmin ndaj Policisë dhe incidenti është përpjekje sipas tyre për t’i paraqitur serbët si ngacmues.

“Lista Serbe dënon incidentin që ndodhi këtë mëngjes në komunën e Zubin Potokut ku janë dëmtuar veturat e policisë së Kosovës. Incidenti ka për qëllim të destabilizojë mundësitë por edhe një përpjekje për t’i paraqitur serbët si ngacmues që nuk korrespodon me të vërtetën”, thuhet në njoftim.

Lista Serbe u ka bërë thirrje qytetarëve që të përmbahen dhe të mos bien në provokime.

“Ne u bëjmë thirrje qytetarëve që të përmbahen që ata të mos bien në provokime dhe të mos lejojnë që incidente të tilal të prishin paqen në rajon. Kushdo që e ka bërë atë nuk ka menduar mirë për popullin serb”, thuhet tutje.

Një njësi patrulluese e Policisë së Kosovës është sulmuar mëngjesin e sotëm me armë zjarri në fshatin Zupçe të Zubin Potokut. Përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar.Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar policia.

Sulmi i sotëm ndaj Policisë së Kosovës është vazhdimësi e disa sulmeve të ndodhura ditëve të fundit.

Konfirmimi i plotë i policisë:

Sot në orët e hershme të mëngjesit, konfirmojmë se është sulmuar një njësi patrulluese kufitare, në fshatin Zupçe të Zubin Potokut.

Lidhur me rastin janë ndërmarrë të gjitha veprimet e menjëhershme policore, ku në vendngjarje kanë dalë edhe njësitet policore të rendit nga stacioni policor Zubin Potok, të cila kanë njoftuar se njësiti kufitar janë sulmuar me armë zjarri, përveç dëmeve materiale në automjet nuk raportohet për zyrtarë të lënduar.

Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore lidhur me rastin, përderisa ka shtuar masat policore me qëllim të sigurisë së zyrtarëve policorë dhe qytetarëve.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Pyesni veten – kush është për këtë?!”

Sulmet ndaj Policisë në veri, Petkoviç: S’ka të bëjë me serbët