Lori Hoxha ishte e ftuara e parë e vëllezërve Veshaj në emisionin e tyre “Më lër të flas”.
Episodi i parë nisi me shumë humor e batuta dhe siç tha vetë Lori në Instagram-in e saj më shumë qeshën se folën (e në fakt qëllimi i emisionit është argëtues, kështu që mund të themi se ja dolën me sukses).
Por, përveç batutave nuk munguan as momentet serioze kur Lori, tashme drejtuese e Top Channel, rrëfeu se si po ndihet me gjithë përgjegjësinë që ka marrë.
“Vazhdon të jetë një privilegj shumë i madh. Është një punë me të cilën unë jam mësuar tani, nuk është rastësi. Unë kam gjithë jetën që përgatitem për këtë gjë. Është një kënaqësi shumë e madhe, kështu që e dua shumë,” tha ajo.
Lori u shpreh se punon shumë dhe se Instagrami reflekton vetëm 10% të jetës së saj. Edhe pse është përpjekur t’i alternojë gjithë anët e monedhës, drejtuesja e Top Channel tha se dëshiron që puna të flasë për të pa qenë nevoja ta ekspozojë në rrjete sociale.
Sa i takon vizionit për drejtimin e një nga televizioneve më të rëndësishëm në vend, Lori tha se është i njëjtë me të babait të saj.
Argëtimi, edukimi dhe frymëzimi ishin shtyllat ku ajo mbështetej për të çuar para ëndrrën e madhe të Dritan Hoxhës.
“Vizioni im nuk do të ndyshojë sidoqoftë. E kam shumë të injektuar brenda vetes. Vetëm mund t’i jap ndonjë përditësim të vogël, por nuk dua ta ndryshoj. Ai është i përcaktuar që më parë,” u shpreh Lori.