MENU
klinika

Analiza

Lufta e Ukrainës po shteron ‘Arsenalin e Demokracisë’

15.04.2022 - 09:27

Amerika po ndjek një strategji të “arsenalit të demokracisë” në Ukrainë: Ajo ka shmangur ndërhyrjen e drejtpërdrejtë kundër pushtuesve rusë, ndërsa punon me aleatët dhe partnerët për t’i siguruar qeverisë së Kievit para dhe armë.

Kjo strategji, që të kujton mbështetjen e SHBA-së për Britaninë në vitet 1940-41, ka bërë mrekulli. Megjithatë, ndërsa lufta arrin një fazë kritike, me rusët që përgatiten të konsolidojnë kontrollin e tyre në Ukrainën lindore, arsenali i demokracisë po shterohet.

Kjo mund të shkaktojë një mungesë fatale për forcat ukrainase në këtë konflikt dhe po zbulon dobësitë amerikane.

Nga e gjithë mbështetja që SHBA-ja dhe miqtë e saj i kanë dhënë Ukrainës, armët kanë rëndësi më të madhe. Dorëzimi i dronëve, armëve antitank dhe anti-ajrore, municioneve dhe aftësive të tjera e kanë ndihmuar Ukrainën të bëjë kërdi mbi forcat ruse edhe pse Moska ka goditur bazën industriale të vendit.

Gjenerali Mark Milley, kryetar i Shefave të Shtabit të Përbashkët të SHBA, i tha Kongresit se Perëndimi i ka dorëzuar Kievit 60,000 armë antitank dhe 25,000 armë kundërajrore. Pentagoni tani po planifikon të dërgojë artileri shtesë, drone të mbrojtjes bregdetare dhe materiale të tjera në Ukrainë.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të mërkurën një paketë të re prej 800 milionë dollarësh, duke përfshirë helikopterët dhe transportuesit e personelit të blinduar.

Por presidenti Joe Biden kurrë nuk planifikoi një luftë si kjo.

Pritshmëria kryesore ishte se Rusia do të pushtonte shpejt pjesën më të madhe të vendit, kështu që SHBA-ja do të mbështeste një kryengritje ukrainase me intensitet të ulët.

Në vend të kësaj, rezistenca e suksesshme e Ukrainës ka çuar në një luftë konvencionale të vazhdueshme, me intensitet të lartë, me konsum të jashtëzakonshëm municionesh dhe shkatërrim intensiv të aseteve kryesore ushtarake.

Kjo po u paraqet vendeve perëndimore një zgjedhje të vështirë.

Gjermania ka refuzuar të transferojë tanke në Ukrainë. SHBA ka siguruar një të tretën e stokut të përgjithshëm të raketave antitank Javelin. Nuk mund të japë lehtësisht më shumë pa i lënë armatimet e veta të varfëruara keq – dhe mund të duhen muaj ose vite për të rritur ndjeshëm prodhimin.

Përpara se SHBA-ja të hynte në Luftën e Dytë Botërore, Presidenti Franklin Roosevelt dhe këshilltarët e tij ushtarakë u angazhuan në debate intensive nëse SHBA-ja duhet t’i dërgonte armët një Britanie të rrethuar.

Strategjia e Arsenalit të Demokracisë së Bidenit po arrin një pikë të ngjashme në Ukrainë.

Kievi do të kërkojë shumë më tepër mbështetje perëndimore për të mposhtur forcat ruse në lindje, ku terreni relativisht i hapur është më pak i favorshëm për mbrojtjen. Ajo gjithashtu do të ketë nevojë për armë më të sofistikuara, të tilla si tanke dhe avionë, për t’i mohuar Rusisë një avantazh vendimtar.

Rezistenca e fortë ukrainase i ka dhënë Kievit një shans të arsyeshëm për të fituar këtë luftë, por kostoja e çdo fitoreje, do të jetë befasuese.

Për të njëjtën arsye, lufta në Ukrainë është një pasqyrë e mprehtë e problemeve me të cilat vetë SHBA-ja do të përballej në një konflikt kundër Rusisë ose Kinës.

Nëse detyrohet të shkojë në luftë në Evropën Lindore ose në Paqësorin Perëndimor, Uashingtoni do të shpenzonte rezervat e tij të raketave, municioneve në disa ditë ose javë. Ndoshta do të pësonte humbje të rënda të tankeve, avionëve, anijeve dhe aseteve të tjera që janë të sofistikuara, të kushtueshme dhe të vështira për t’u zëvendësuar.

Gjatë Luftës së Parë Botërore, ofensivat e vitit 1914 çuan në “uri të predhave” pasi luftëtarët evropianë shterrën arsenalet e tyre. Bëhuni gati për “uri raketore” nëse ka një luftë të fuqive të mëdha.

Në luftërat botërore të shekullit të kaluar, baza e pakrahasueshme e prodhimit të Amerikës përfundimisht e fuqizoi atë drejt fitores. Por sot, rimbushja e arsenalit të botës së lirë mund të mos jetë aq e lehtë.

Stoqet amerikane të armëve kryesore janë më të vogla se sa mund të imagjinohet, pjesërisht për shkak të kufizimeve të prodhimit dhe pjesërisht për shkak se pjesa më e madhe e buxhetit prej rreth 750 miliardë dollarësh të Pentagonit shkon për fuqi punëtore, kujdes shëndetësor dhe gjëra të tjera përveç plumbave dhe bombave.

Por mos mendoni se Amerika do të prodhonte krejt lehtësisht atë që i duhet për të fituar.

Problemi nuk është i pazgjidhshëm. Investimet më të mëdha në bazën industriale të mbrojtjes dhe blerja e municioneve kryesore mund të ndihmojnë. Aleatët kryesorë, si Japonia, mund të jenë në gjendje të ndihmojnë rritjen e prodhimit të SHBA-së në ndërtimin e anijeve dhe fusha të tjera.

Luftërat e vogla zakonisht parashikojnë atë që do të ndodhë në luftërat më të mëdha.

Konflikti në Ukrainë po tregon se çfarë do të duhet në të ardhmen.

Burimi: Bloomberg

Përktheu dhe përshtati: Konica.al