MENU
klinika

"E dashura" e Dostojevskit

Matematikania e guximshme e Akademisë Ruse

26.04.2022 - 10:18

         Sofia Kovalevskaja ka qenë një grua shumë e veçantë, së cilës i detyrohemi kontribute të rëndësishme në fushën e matematikës dhe fizikës. Po ashtu, si shkrimtare na ka lënë autobiografinë “Gruaja nihiliste” dhe një dramë. Një grua vërtet e jashtëzakonshme, si për kontributin në fusha të tilla, si matematika dhe fizika, ashtu edhe për këmbënguljen befasuese. Lindi në një periudhë historike, kur grave u ndaloheshin nivelet e larta të arsimimit dhe nuk mund të udhëtonin pa lejen e babait ose bashkëshortit. Aspekti më interesant i jetës së Sofia  Kovalevskajës  është pikërisht mënyra, sesi ajo arriti të kapërcejë të gjithë kufijtë e vendosur nga shoqëria dhe të realizojë ëndrrat dhe projektet e saj. Ajo ishte gruaja e parë në botë, që kreu një kurs universitar dhe, natyrisht, profesoresha e parë universitare në botë./Konica.al

“Është e pamundur të jesh matematikane, pa pasur shpirt poeti […]. Poeti duhet të jetë në gjendje të shohë atë që të tjerët nuk e shohin, ai duhet të shohë më thellë se njerëzit e tjerë. Matematikani, po ashtu, duhet të bëjë të njëjtën gjë” (Sofia Kovalevskaja).

Padashur, Kovalevskaja u shndërrua në pioniere të feminizmit, duke na treguar se vendosmëria është një forcë e pandalshme, që shpesh na lejon të arrijmë atë që dukej e pamundur. Përveçse është dalluar në shkencë, Sofia Kovalevskaja mori guximin të shkruajë, duke iu përkushtuar poezisë, përhapjes shkencore, madje duke kontribuar në astronomi.

Sofia lindi në Moskë, më 15 janar 1850.

Motra e madhe, Anna Jaklard, ishte një revolucionare e njohur socialiste. Në moshë të re, ajo u shpërngul me familjen në Bjellorusi, ku u rrit në një mjedis të ndikuar shumë nga shkenca dhe dija. Dy xhaxhallarët dhe pjesërisht i ati i rrënjosën dashurinë e madhe për leximin dhe kërkimin. Thuhet se në shtëpinë e re në Bjellorusi, një nga muret e dhomës së gjumit të Sofies nuk ishte plotësisht i mbyllur, ndaj prindërit vendosën ta zgjidhin problemin duke ngjitur faqet e një libri. Rastësisht, ishte një libër me llogaritje diferenciale, të cilin vajza e vogël filloi ta shikonte dhe ta lexonte sakaq me habi dhe interes. Megjithëse babai i saj punësoi mësues privatë për t’i siguruar një arsim të hershëm, ai ishte disi i shqetësuar nga përparimi i Sofjes. Atë e tmerronin “gratë e mençura”, për këtë arsye ia ndërpreu shkollimin. Pavarësisht kësaj, Sofia i vijoi vetë studimet. Kështu, ajo arriti të shtjellojë tema të ndryshme në algjebër.

Asokohe, shkrimtari Fedor Dostojevski po i vinte rrotull së motrës, ndërkohë që Sofia ishte marrëzisht e dashuruar pas tij./Konica.al/ Qe dashuria e saj e pamundur. Ajo dhe e motra ishin të vetëdijshme, se e vetmja mënyrë për të fituar pak liri, ishte të martoheshin. Në atë periudhë, gra të shumta zgjodhën dasmën e bardhë ose një martesë me përftime, që konsistonte në pranimin e një martese zyrtare me burrin dhe më pas, secili të jetonte jetën e vet në liri të plotë. Ana, motra e madhe, e kërkoi këtë zgjidhje me paleontologun Vladimir Kovalevski. Megjithatë, ai preferoi të martohej me Sofinë, e cila, në atë kohë ishte vetëm 18 vjeç. Siç pritej, martesa hapi mundësi të reja për Sofien; fillimisht, ata u zhvendosën në Heidelberg dhe më pas, në Berlin, ku u takuan me matematikanin dhe analistin e famshëm, Karl Weierstrass – ky, fillimisht e pati të vështirë t’i besonte talentit të saj.

Kur kuptoi pasionin dhe inteligjencën e saj, ai u përpoq ta çonte në universitet, por ajo nuk mundi. Si rrjedhojë, ai vendosi t’i jepte mësime private. Falë mbështetjes nga Weierstrass, Sofia mundi të diplomohej si mjeke. Ajo u lejua të paraqesë tezën, pa detyrimin për të qenë e pranishme. Kështu filloi një rrugë e gjatë, për të gjetur një punë që do t’i lejonte të zhvillonte talentin e saj./Konica.al

Rreth dhjetë vjet pas diplomimit, miku i saj Gustav Mittag-Leffler e ndihmoi për të siguruar një pozicion si profesoreshë në Universitetin e Stokholmit. Në atë kohë, Sofia kishte një vajzë dhe i shoqi ishte vetëvrarë. Statusi si vejushë e ndihmoi disi, në punësim. Gjatë gjithë jetës, ajo mori çmime të shumta dhe ishte gjithashtu, gruaja e parë që u pranua në Akademinë Ruse të Shkencave. Vdiq herët, në moshën 41-vjeçare, nga pneumonia. Një nga krateret e hënës, mban emrin e saj, si homazh për kontributin e madh.

Është një nga figurat e shumta femërore, që historia ka tentuar t’i lërë në harresë, një nga ato gra që mezi përmenden në shkollë dhe karriera e të cilave, gjithsesi, njihet, madje më shumë se ajo e disa bashkohësve të saj. Një nga ato mendje brilante, që, pavarësisht gjinisë, lulëzojnë herë pas here në historinë e njerëzimit./Konica.al

 

 

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Epidemia e marrëzisë...

DOSTOJEVSKI!


Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen