Pas një kohe të gjatë, vijnë tonë optimiste nga Sofja. Kryeministri bullgar, Kiril Petkov, foli publikisht për mundësinë që të largohet vetoja, me qëllim që të mbahet konferenca e parë ndër-qeveritare, por me garanci nga BE, që në kapitullin e parë të hapet kushtetuta dhe të zbatohen kërkesat bullgare.
Edhe ky opsion nuk e kënaq kreun e opozitës, Hristijan Mickoskin. Ai thotë se nëse ky dokument nënshkruhet nga qeveria, kjo nënkupton se: ose maqedonasit do të bullgarizohen dhe si të tillë do të anëtarësohen në BE, ose nuk do të ketë BE për Maqedoninë e Veriut.
“Që do të thotë se ose do të asimilohemi, gjegjësisht do të bugarizohemi dhe si të tillë do të anëtarësohemi në Unionin Evropian ose nuk do të ketë për neve Union Evropian edhe nëse mbahet konferenca e parë ndër-qeveritare. Por unë jam i bindur se shtetet anëtare të BE-së nuk do ta lejojnë këtë sepse edhe në të kaluarën, këto shtete anëtare kanë deklaruar se problemet bilaterale janë vetëm pamje bilaterale dhe këto probleme asnjëherë nuk mund të jenë probleme e të gjitha shteteve anëtare”.
Megjithatë, edhe pse pas shumë kohe, ka paralajmërime se mund të lëvizet nga pika-zero, Petkov thotë se çdo zgjidhje e mundshme, duhet të ratifikohet fillimisht në Kuvendin bullgar.