MENU
klinika

Nga vizitat e Ramës te sanksionet e DASH

Nazarko: Kryeministri vazhdon t’i ketë kuotat e larta në Gjermani. Po diversifikohen figurat e targetuara nga SHBA

14.04.2022 - 19:26

Analisti Mentor Nazarko i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24 ka komentuar zhvillimet e fundit në vendin tonë, nisur nga vizitat e kryeministrit Rama te sanksionet e SHBA-ve.

Sipas Nazarkos vizita e Ramës në Gjermani konfirmoi se ai vazhdon t’i ketë kuotat e larta pavarësisht ndryshimit të kancelarit atje. Sipas tij edhe pse Gjermania nuk është entuziaste për Ballkanin e Hapur, kancelari Scholz nuk e përmendi atë duke pritur atë që mund të quhet “një rezultat” nga ky proces.

Ndërkohë goditjen e radhës nga SHBA për Aqif Rakipin dhe Ylli Ndroqin, Nazarko e konsideron si një përpjekje për të treguar gjeografi, diversifikim i figurave jo vetëm politike, rritje e informacionit lidhur me arsyet se pse dikush hyn në listën e non grata.

E nisim me dy vizitat e kryeministrit Edi Rama, njëra në Berlin e sot në Azerbajxhan

Vizita në Gjermani është një vizitë konfirmimi se Rama vazhdon t’i ketë kuotat e larta pavarësisht ndryshimit të kancelarit.Ishte një vizitë e plotë nga protokolli dhe koha e dedikuar, takime me kreret e shtetit; konferencë shtypi dhe darkë me kancelarin. Ishte një mesazh konfirmimi për Procesin e Berlinit ndonëse ikja e kancelares Merkel linte të kuptohej se ai do të ishte një proces jetim nisur edhe nga angazhimi personal i saj, si nune dhe ideatore.

Ballkani i Hapur dhe Procesi i Berlinit

Pavarësisht përpjekjes së kritikëve të Ramës për të gjetur te ndërkombëtarët distancim nga kjo nismë, unë nuk e shoh njëjtë. Po, ka hapësirë nisur me sjelljen e faktorëve perëndimorë për këtë nismë, por amerikanët janë pozitivë krejt ndryshe nga europianët, pavaresisht ndërrimit të administrave. Gjermania nuk është entuziaste kjo sepse Ballkani i Hapur nuk ka mbikëqyrje gjermane apo europiane. Mënyra si funksionon BE është gjithmonë e më e ngadalshme dhe më pak rezultative dhe në këtë kuptim është e qartë se vendet e Ballkanit janë të zhgënjyera nga Procesi I berlinit qe krijoi pritshmeri të madhe në fillim, si proces konkurencial me angazhimin kinez . Procesi i Berlinit është pritur të ishte si përshpejtues i arritjeve integruese të Ballkanit. Ne kemi parë që ky proces i integrimit të tyre ka ngecur dhe të shpresojmë që kjo që po ndodh në Ukrainë t’i japë një shtysë integrimit. Vendet e Ballkanit me një protagonizëm të Ramës dhe Vuçiç kemi parë të krijojnë një mekanizëm të ri, iniciativë e cila e lehtëson marrëdhëniet ndërballkanike. Kemi një Scholz, kancelar të ri që me mospërmendjen e Open Ballkan ka preferuar ta shikojë rezultatin.
Tek këndvështrimi shqiptar, duhet të permendim në fillim se përkundrejt Serbisë, kemi vënë re se SHBA-po tregon një sjellje qe do ta quaja “durim strategjik”: :do të presim që Serbia të rreshtohet në linjën e politikës Perëndimore dhe kanë duartrokitur disa akte të politikës serbe si dënimini agresionit apo përjashtimi I Rusisë nga Këshilli i të drejtave të njeriut të OKB. Në kuadër të kësaj sjelljeje pjesërisht perëndimore të Serbisë, Shqipëria po demonstron durim strategjik dhe durim taktik nëse doni. Ballkani i Hapur vazhdon të jetë një kanal komunikimi mes Shqipërisë dhe Serbisë, por dhe kanal nderballkanik.

Rritja e çmimeve

Shqipëria ka një pozitë të re të fuqishme ndërkombëtare për shkak të qenit pjesë e Këshillit të Sigurimit. Dhe kjo është një pretekst që Shqipëria të ketë një axhendë nderkombetare më cilësore se më përpara. Furnizimi me energji dhe gaz është një nga objektivat e vizitës së Ramës në Azerbajxhan. E habitshme se pse në njoftim nuk përmendej TAP-i.

Sanksionet nga SHBA

Është e qartë që ambasadorët amerikanë synojnë t’i japin drejtim zhvillimeve politike në ato vende ku janë akredituar si një rol informal. SHBA-të mund t’ia lejojnë vetes luksin te kenë informacion për pasurinë që zotërojnë politikanë në botë dhe sot e kanë legalizuar këtë lloj kërcënimi duke e bërë publik nepermjet dy instrumenteve politike dhe ligjore. Kjo që po ndodh është konfirmimi i këtij instrumenti të ri për ti dhënë kahjen qëndrimit në Ballkanit Perëndimor.Shpallja e kësaj liste është përpjekje për të treguar gjeografi, diversifikim i figurave jo vetëm politike, rritje e informacionit lidhur me arsyet se pse dikush hyn në listën e non grata.