MENU
klinika

Beteja e parë e Vajkalit

Nga Italia në Shqipëri: Arbëreshët nderojnë Gjergj Kastriotin

26.04.2022 - 17:04

       557-vjetori i betejës së parë të Vajkalit solli në Bulqizë një grup arbëreshësh nga Italia, të cilët u bënë pjesë e një sërë aktivitetesh kushtuar kësaj dite.

Kryetari i bashkisë së Bulqizës, Lefter Alla, i shoqëruar nga deputetët e qarkut Dibër Aurora Mara, Lavdrim Krrashi, kryetarja e Këshillit të Qarkut Valentina Haliti, dhe drejtues të tjerë vendorë, mirëpritën në mjediset e Bashkisë, kryetarja e komunës San Benedetto Ullano, Rosaria Capparelli, zv/kryetari i komunës Casalvecchio di Puglia, Antonio Andreola dhe Loris Castriota Skanderbegh, pasardhës i heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Aktivitetet vijuan më tej, në mjediset e Pallatit të Kulturës, ku kryebashkiaku Alla, ndër të tjera e vlerësoi këtë event, si një ndër më të rëndësishmit të organizuar në bashkinë e Bulqizës.

“Nga njëra anë përkujtojmë aktet historike të betejës së Vajkalit, nga ana tjetër, na nderojnë me praninë e tyre në Bashkinë tonë përfaqësues të njërës prej diasporave më të veçanta në botë, e cila, edhe pas shumë shekujsh, ka mundur të ruajë me fanatizëm origjinën e saj, duke i dalë për zot përpjekjes shumë shekullore të trimave shqiptarë dhe gjakut të tyre, të derdhur për kauzën më të shtrenjtë, mbrojtjen e lirisë së atdheut”, tha ai.

Historia

Në të hyrë të Dibrës, pranë Qafës së Buallit, aty ku Dibra ndahet gjeografikisht me Matin, ndodhet fshati i Vajkalit. Emri i këtij fshati ka mbetur qysh nga koha e Skënderbeut dhe luftrat e tij të vitit 1474. Në këtë zonë, që nga Vajkali e deri tek Ura e Qytetit ose Valikardha e sotme janë zhvilluar luftime të shumta dhe të përgjakshme.

Sulltan Mehmeti II dërgoi në Shqipëri në të njëjtën kohë dy ushtri të mëdha për ta vënë Skënderbeun midis dy zjarreve. Drejt Bulqizës dhe Vajkalit të sotëm marshoi dhe sulmoi ushtria e drejtuar nga Ballaban Pasha, e cila vinte nga Maqedonia. Një ushtri tjetër u nis nga Thesalia drejt Tiranës, Kasharit të sotëm. Skënderbeu bëri ndarjen e forcave dhe të mjeteve të luftës. Ai rrethoi fushën e Vajkalit nga të gjtha anët dhe nuk u la mundësi turqve të krijonin lidhje midis dy ushtrive të tyre. Ballaban Pasha u përpoq të çante rrethimin por nuk arriti dot. Ai mundi të shpëtonte vetëm kokën dhe eskortën e tij.

Skënderbeu e njihte terrenin pëllëmbë për pëllëmbë dhe ndihmohej nga luftëtarët dhe fshatarët dibranë.

Beteja e Vajkalit ka qenë e pazakontë përsa i përket kërdisë dhe tmerrit të luftës. Të përballoje dy ushtri në të njëjtën kohë dhe në të njëjtin vend ishte gjë jashtëzakonisht e vështirë. Këtu turqit kapën rob tetë komandantë të forcave të Skënderbeut, ndër ta edhe Moisiun e Dibrës i cili u çua në Stamboll. Ju bënë presione dhe oferta të jashtëzakonshme për të bashkëpunuar me ushtrinë osmane, por Moisiu nuk pranoi. Ai u rop i gjallë nga turqit. Shqipëria dhe Dibra mbajti zi për këtë strateg të luftës, një nga gjeneralët më të aftë të Skënderbeut. Qytetet, kështjellat, malet dhe fushat vajtuan. Tetë gjeneralët e Skënderbeut që u kapën rob në këtë betejë dhe u egzekutuan nga Sulltani ishin: Moisiu i Dibrës, Vlladen Gjurica, Muzaka i Angjelinës (motrës së Skënderbeut), Gjin Muzaka, Gjon Perlati, Nikollë Berisha, Gjergj Kuka dhe Gjin Manzi.
Në këto luftime të përgjakëshme pranë fshatit Vajkal është plagosur edhe kali i Skënderbeut.

 

Gojëdhana popullore thotë:

 

Kali u mbyt deri në fyt në gjak

Skënderbeu me sytë e përlotur tha:

“Vaj medet, kali”

Nga ajo ditë Vajkalit, emrin i la.

 

GURËT E SKËNDERBEUT

Sapo të kalosh qytetin e Bulqizës fare pranë Fushë Bulqizës para se të shkosh tek vendi i quajtur pishat e reja do të shohësh disa gurë të mëdhenj që nuk i lëviz dot njeri. Si kanë ardhur, si kanë zbritur ato ?

Mali i lartë ngrihet madhështor e qëndron krenar që nga ajo kohë. Aty ka qëndruar Skënderbeu me trimat e tij. Poshtë kalonin pushtuesit turq. Skënderbeu e kishte menduar mirë që t’a shfrytëzonte këtë mundësi të natyrës në favor të tij. Bashkë me shokët e tij shembi nga malet gurë të mëdhenj pikërisht në çastin kur poshtë në rrugëkalimin e vetëm kalonte karvani turk. Turqit pësuan dëmtime të mëdha të paparashikuara.
Këto gurë janë edhe sot në këtë vend. Ky vend quhet:”Gurët e Skënderbeut”

Të mëdhenj e të zinj,

qëndrojnë si dikur

Askush s’mund ti lëvizë,

mbetën flamurë.

 

BETEJA E VALIKARDHËS

Kushdo që kalon për në Dibër në fshatin Valikardhë do të shohë lapidarin kushtuar betejës së Valikardhës (Valikardit).
Vendasit këtij vendi i thonë Ura e Qytetit, sepse këtu në kohën e mesjetës ka egzistuar një qytet. Pikërisht këtu në këtë vend strategjik Skënderbeu ka zhvilluar betejën e qershorit të vitit 1444 ku turqit pësuan humbje të mëdha. Kjo është beteja e parë pas Beslidhjes së Lezhës. Ushtria shqiptare komandohej nga Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, ndërsa ushtria osmane komandohej nga gjenerali turk Ali Pasha.

Skënderbeu fshehu në shpinë të armikut 3 000 kalorës të komanduar nga Gjon Muzaka dhe Hamza Kastrioti dhe la një rezervë të mirë të komanduar nga Vrana Konti. Me këtë formacion të ri luftimi Skëndërbeu arriti ta fuste midis dy zjarreve ushtrinë turke, ta rrethojnë dhe ta asgjësojnë atë.
Nga qyteti i Valikardhit ka mbetur veç një urë
Dhe “Ura e Qytetit” s’do të shëmbet kurrë.

SOFRA E SKËNDERBEUT, VENDKOMANDA E LUFTËS

Ballëpërballë me urën e qytetit që egziston edhe sot në fshatin Valikardhë është shkëmbi i Skënderbeut. Ky mal i gjithi shkëmbor lartësohet në anë të Zallit të Bulqizës. Vetëm nga pjesa e prapme mund të ngjitesh në të pasi nga pjesa e përparme është shumë i thepisur. Në majë të tij është sofra e Skënderbeut, vendi i vështrimit të betejës. Kjo sofër në kuptimin ushtarak ishte vëndkomanda e luftës. Kjo pikë strategjike nuk u muar kurrë nga asnjë pushtues.

PELADHIA

Fill pas Valikardhës ndodhet fshati i Peladhisë. Gojëdhana thotë se edhe ky fshat e ka marrë emrin që nga koha e Skënderbeut. Turqit u përpoqën që t’i bënin bllokadë ekonomike Skënderbeut, që ushtarët e Skënderbeut të mbeteshin pa bukë e ushqime, që të dorëzoheshin pa kushte. Në malin që ngrihet mbi këtë fshat ka patur shumë dhi të egra, të cilët malsorët i gjuanin por edhe i ruanin nga keqbërësit.
Në kohën e zisë së bukës për të cilën po tregojmë, një nga malsorët vrau një dhi të egër dhe e vendosi mu në mes të rrugës nga do të kalonin turqit. Dhia ishte shumë e madhe, sa një pelë. Në gojë i vunë grurë me shumicë që të mendohej se kishte ngordhur nga ngrënia e grurit pa karar.
Turqit kur e panë filluan të pyenin njëri tjetrin: ”Çfarë asht kjo pelë, apo dhi ?”

-Lene çfarë asht pelë apo dhi por shife se kjo ka ngordhë nga gruri i shumtë. Ky vend paska grurë për kafshët dhe jo ma për njerzit. Të ikim sa ma parë nga ky vend, thanë turqit e ikën nga sytë kambët.

 

• Shkëputur nga libri “Ngjarje dhe figura të shquara historike të zonës së Bulqizës”, Sakip Cami

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen