MENU
klinika

Giovanni Battista Lombardi

NIMFA e kthen mermerin në ujë…

11.04.2022 - 20:09

        Ka vepra arti të panjohura mirë, por me bukuri të mahnitshme, një prej të cilave është edhe “Nimfa” e Giovanni Battista Lombardit. Statuja, një përzierje e mrekullueshme e klasicizmit dhe natyralizmit, u krijua në vitin 1858, si porosi e zonjës Camilla Facchi Fe d’Ostiani, më pas u vendos në banjat termale të “Palazzo Facchi” në Breshia, i famshëm për praninë e veprave të artit të krijuara midis shekullit të shtatëmbëdhjetë dhe të tetëmbëdhjetë./Konica.al

“Nimfa”, e skalitur mjeshtërisht nga autori, është gjysmë e zhveshur, duke mbajtur një çarçaf që i prek lehtë këmbën teksa provon temperaturën e ujit me majën e këmbës. Sipërfaqja e lëmuar e skulpturës, simetritë dhe çarçafi të sjellin ndërmend statujën heleni, kryesisht Venusin modest mbuluar me një vel. Gjithë revolucioni i kësaj statuje përmblidhet në gjestin e këmbës, që i shpëton modeleve helene dhe prezanton një lëvizje dhe pikë të re kontakti midis gishtit dhe ujit me një fuqi të rëndësishme mermeri. Perfeksioni i floknajës dhe pëlhurës zbulojnë aftësitë teknike të skulptorit, tiparet e fytyrës, jo vetëm shkathtësinë delikate të artistit, por edhe një ndjenjë moderniteti në tipare. “Nimfa” e Giovanni Battista Lombardi është po aq eterike, sa nga një epokë tjetër, por disi më pak seksuale dhe më magjepsëse, megjithëse është një skulpturë me elegancë të madhe dhe një lakuriqësi të ëmbël dhe të përmbajtur. Frymëzimi klasik i Giovanni Battista Lombardi shpjegohet lehtësisht, nëse kemi parasysh faktin që studioi në Akademi me Pietro Teneranin, një ndjekës i zjarrtë i Thorvaldsen dhe rishtarit të tij. “Nimfa” e Giovanni Battista Lombardi është e aftë të ngjallë ekstazë dhe të transmetojë paqe. Format e vashës janë harmonike, delikate dhe mbi të gjitha të kuruara në detaje, për këtë arsye skulptura, përveç artit klasik, përfshin edhe natyralizmin. Anatomia e trupit është e përsosur, ndërsa detaji i hijshëm shihet në paraqitjen e flokëve, mbledhur në dy gërsheta në krye të një diademe elegante perle me një guaskë në qendër. Perlat dhe guaskat janë dy simbole të rëndësishme, që i referohen mitologjisë greke. Perlat lidhen me perëndeshën Afërditë, të krijuara, sipas mitit, nga shkuma e detit që kishte krijuar perëndeshën e dashurisë. Edhe guaska të çon në lindjen e Afërditës/Venusit: pretendohet se shkuma nga e cila u krijua perëndesha, doli në breg në një guaskë. /Konica.al

Mermeri rrjedh si uji në gishtat e Nimfës

Megjithatë, elementi më novator dhe më realist, ai që mund të zgjojë habinë dhe kureshtjen e madhe te shikuesi është interpretimi i ujit që rrjedh në gishtat e Nimfës së Giovanni Battista Lombardit. Fillimisht shihen thonjtë dhe gishtat e riprodhuar në mënyrë realiste, mandej mjeshtëria e skulptorit në modelimin e mermerit të fortë deri në shndërrimin e tij në ujë të rrjedhshëm është mahnitëse. Një efekt i mrekullueshëm optik i aftë për të lëvizur të gjithë ata që kanë privilegjin të admirojnë veprën nga afër. Për më tepër, ky detaj mund të simbolizojë lidhjen midis nimfave dhe ujit. Nimfat janë hyjnitë e natyrës, ka mes tyre nga ato të lidhura me detin (të quajtura Neraida) dhe ato që lidhen me burimet e ndryshme të ujit (të quajtura Najada), në çdo rast edhe kur jetojnë në tokë, varësia e tyre nga uji mbetet parësore.

E veçanta e skulptorit Lombardi, ka qenë gjithmonë trajtimi i mermerit me art. Pjesa më e madhe e trajnimit të tij zhvillohet në Romë, qyteti kryesor ku motivet mbizotëruese të klasicizmit greko-romak janë marrë në bazë të rrymës artistike neoklasike. Në qytetin e përjetshëm, ai punoi në studion e Pietro Teneranit, një nga skulptorët më të mëdhenj të purizmit italian. Në një moment të caktuar të karrierës, Tenerani i afrohet natyralizmit duke ndikuar tek nxënësi. Më vonë, Lombardi hapi një studio së bashku me vëllanë, Giovita, por vetëm ai pati aftësinë të krijonte buste dhe monumente përkujtimore të një niveli të caktuar. Shumë shpejt iu përkushtua temave biblike dhe profane, në të dyja herët duke favorizuar figurat femërore. Vlen të përmendet skulptura “Ruth”, ku vërehet edhe një herë përsosja e pëlhurës së veshjes dhe prerogativa kryesore e artit të saj: shkrirja në harmoni e klasicizmit dhe natyralizmit. Bukuroshja Nimfa është pa dyshim, vepra më e këndshme, nga e cila mund të fillojmë të rizbulojmë një artist të shkëlqyer të artit italian, për të cilin sot flitet ende shumë pak./Konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Degas: realiteti i tmerrshëm

“Piktori i balerinave” që shkroi sonete


U shfaq në Teatrin e Operas dhe Baletit

“La Boheme” e Puccinit, një opera për rritjen

Dita e lindjes dhe e vdekjes së William Shakespeare

Shkrimtari që ngriti artin poetik në majat më të larta

Vdekja e dy kolosëve të letërsisë botërore

Sot shënohet Dita Ndërkombëtare e Librit