MENU
klinika

Turist në Shqipëri!

“Për faqe të zezë hotel ‘Adriatiku”

22.04.2022 - 12:00

         Nga Sven Aurén

Përkthyer nga Adil N. Bicaku

Pjesa e pestë

Memorie.al publikon një reportazh të gazetarit të njohur suedez, Sven Aurén, të botuar në gazetën “Svenska Dagbladet” të Stokholmit, lidhur me katër vizitat e tij në Shqipëri, duke filluar nga vitet 1935-’38, kur ai erdhi për dasmën e Mbretit Zog dhe për të përfunduar në shtatorin e vitit 1968, ku ai vizitoi për herë të fundit Shqipërinë komuniste.

Vijon nga numri i kaluar

TURIST NË SHQIPËRI

Duke menduar në serinë e artikujve të kaluar, mund të duket e pakuptueshme, që unë me këmbëngulje, u kërkoj miqve dhe të njohurve, të bëjnë një udhëtim turistik në Shqipëri, nëse kjo është e mundshme, nëpërmjet ndonjë nga ato udhëtimet e grupeve të vogla, që nisen edhe pse rrallë, dhe jo rregullisht, me shumë pak pjesëmarrës, nga Parisi për në Tiranë. Në radhë të parë, natyrisht një ekspeditë të tillë u’a rekomandoj studentëve, të freskojnë mendjen se kanë merak, për të quajturin ‘maoizëm’. Në Shqipëri ata mund të bëjnë studime interesante, përsa i përket se si u duket komunizmi kinez, kur praktikohet mbi një popull evropian. Por edhe për ata, që nuk kanë nevojë për ilaç kundër romantizmit revolucionar, është ky një udhëtim me shumë interes, që të mundëson kontakt me një vend të vogël, të harruar, të çuditshëm, por vend i bukurisë madhështore, jo larg rrugëve shumë të trafikuara.

Përveç saj një udhëtim për në Shqipëri, është me më pak mundime se përpara. Kur udhëtova me veturë, para Luftës kishte pak stacione benzine dhe duhesh të ishe i kujdesshëm, se mos i kaloje pa i parë. Tani vërtetë s´ka asnjë stacion benzine, që është unike në Europë, por meqë turisti nuk lejohet të lëvizi individualisht, kjo nuk ka asnjë rëndësi. Je i detyruar të shkosh në grup dhe me autobusin, që “Albturist” të ve në dispozicion. Ky autobus, furnizohet në vendet të caktuara shtetërore, ku shoferi paraqet një shkresë zyrtare. Të duket se vendi është në luftë.

Për sa u përket rrugëve janë bërë më të mira. Shqipëria prodhon mjaft asfalt, i cili edhe eksportohet, në Paris ka rrugë, që janë shtruar me asfalt shqiptar, por në vitet tridhjetë, nuk teproi gjë për përdorim të brendshëm. Rrugët dhe xhadetë krenoheshin me gjithë ato gropa, gunga dhe fundosje, që ishin tipike në Ballkan dhe vetura tronditej, si një turjelë kompresori. Me përjashtim të rrugës bregdetare, midis Vlorës dhe Sarandës, tashmë rrugët kryesore janë të mirëmbajtura dhe shtruara me asfalt. Por ai që merr rrugën prej Vlore, për në Sarandë, duhet t’i ketë nervat nën kontroll.

Rruga shkon nëpër një vargmal të thepisur, në një serpentinë primitive e cila u ndërtua nga austriakët, gjatë Luftës Parë Botërore dhe nuk ka pësuar asnjë ndryshim që atëherë. Ajo është e ngushtë si një rrugë katundi, kthesa si karficë flokësh, kënde të çuditshme të dala, mbi rrëpirat marramendëse dhe kjo është një enigmë, se si shoferët ngasin automjetet e rënda, gjatë këtyre dridhjeve, pa u gremisur në det?! Nganjëherë ndeshesh me kamionë të mëdhenj, të markave ruse dhe natyrisht kjo, është gjithnjë më me rrezik.

Ato zmbrapsen dhe manovrojnë në milimetrin. Për të harruar tollovinë në bark dhe për t´iu shmang të shikuarit poshtë në humnerë, kërkon të shohësh shqiponja. Shqiponja është zogu krenar i Shqipërisë, të cilën e rigjen në flamurin e kuq të saj. Nganjëherë qëndron një ekzemplar madhështor, krejt i qetë sikur të ishte varur me një pe, nga retë atje sipër. Kur ul sytë përsëri, kamioni ka kaluar, pasagjerët duartrokasin shoferin e tyre të aftë dhe një zotëri prej Parisi, shpërthen me zë të çuditshëm: “Ne shpëtuam edhe këtë here”!

Por përjetimi i këtij lloji, kufizohet sikurse thash ato dhjetë miljet, midis dy qyteteve bregdetar në jug. Por edhe në përgjithësi natyrisht udhëtimi rreth Shqipërisë, është një udhëtim mbi male-masiv dhe nëpër serpentina, sepse vendi ka këtë veçori. Por nëpër rrugë të mira dhe me mure nëpër këndet e kthesave, nuk ndihesh i shqetësuar. Rrugëtimi është më i lehtë sepse ka pak trafik. Ndodh që udhëton i vetëm si mbret, dhjetëra e dhjetëra kilometra. Në asnjë rast, nuk kam parë një veturë nëpër fshatra, ato ekzemplarët e rralla, që unë munda të shoh, i kam parë në qytete.

Trafiku në rrugë, jashtë qytetesh, kryhet nga mushka të ngarkuara, ndonjë autobus dhe para së gjithash kamionë, që shpesh përdoren për të transportuar njerëz. Herë-herë, ndesh kamionë të mëdhenj të ngjeshur me burra dhe gra, të cilët qëndrojnë në këmbë, të shtrënguar në karroceri. Në majë të kabinës së shoferit, valëvitet një flamur i kuq. Janë brigadat e punës në rrugë ose prej kooperativës. Në Shqipëri nuk ka më ndonjë tokë private. As edhe një metër katrore. Prandaj nuk sheh kurrë ndonjë që punon vetëm, e cila të bën një përshtypje të tmerrshme, si euro-perëndimor! Gjithmonë punohet në grup. Mundet që krahasimi është i padrejtë, por kjo nuk ndihmon se mendja të shkon tek të burgosurit dhe të dënuarit, me punë të detyrueshme.

Edhe pse udhëtimi në Shqipëri, nënkupton një varg vështirësish por megjithatë, turisti kompensohet nga përshtypje të bollshme të bukurive natyrore. Peizazhi është i shkëlqyer. Guximtari, Lord Bajron-i, që udhëtoi në këtë vend, në fillim të shekullit të kaluar, u impresionua jashtëzakonisht shumë, nga karakteri i furishëm aventuresk i saj.

Njeriu përjeton një madhështi të hatashme. Vargmalet janë fantastike dhe panorama marramendëse. Grykat të duken si puse të thellë, që ruhen nga gjigantë, të cilët janë shkrepat. Dhe njeriu beson se e kupton, pse shqiptarët kanë mund të ruajnë veçoritë karakteristike, megjithëse ata pothuaj kanë jetuar gjithnjë, nën sundime të huaja: një vend malor si ky, kurrë nuk mund të mposhtet tamam. Njeriu edhe shpërblehet, pas këtij udhëtimi të ankthshëm, prej Vlore në Sarandë. Një rrugë e re të çon në Butrint, Buthrotumi i antikës, për të cilin flet Virgjili në veprën Eneida dhe ku Racini e zgjedh për vend ngjarje të veprës “Andromaka”.

Qindra vjet para Krishtit, ky qytet përbënte një nga qendrat më të njohura të tregtisë dhe kulturës së Epirit. Gradualisht u bë një koloni romake dhe më pas, ra nën sundimin Bizantin dhe pas kësaj nën Venedikun, mandej e morën turqit. Në vitet 1700, qyteti u braktis dhe më vonë u kthye në xhungël, e cila e mbuloi krejt. Midis dy luftërave botërore, arkeologu Italian, Ugolini, i kushtoi Butrintit, dhjetë vjet për ta ri-zbuluar dhe nuk i ndërpreu gërmimet e mëdha, deri në vitin 1939. Qe një punë e vështirë: e kishte shumë të vështirë t´ia dilte në krye, me shkurret e bimësinë e shpeshtë, trualli moçalishte kërkonte një tharje të komplikuar dhe malaria, përbënte një kërcënim të pa ndalur. Kur plasi Lufta e Dytë Botërore, qe zbuluar vetëm një copë e vogël.

Kur shëtit për rreth, në këtë qytet te ri-gjetur, menjëherë të shkon mendja: nëse gjithë kjo, që është zbuluar, përbën veç një pjesë të vogël, atëherë çfarë nuk do të ketë më, për të zbuluar! Edhe nga pikëpamja kulturo-historike, izolimi agresiv i Shqipërisë, është një tragjedi. Çfarë kërkohet, është një investim në arkeologji i përmasave krejtësisht të tjera, që shqiptarët vetë nuk mund ta bëjnë. Që tash admiroj një amfiteatër të mrekullueshëm, në mermer të bardhë prej shekullit të katër para Krishtit, një tempull Esklepi, pagëzimtari bizantin me shtylla të skulpturuara mbi dysheme të lezetshme mozaiku, një banjë romake, shumë të mirëmbajtur…!

Ato copat e zbuluara shtrihen si hapësira shumë të vogla, në këtë xhunglën e nxehtë me lagështi, ku ecim përpara nëpër shtigje dhe sheh kodrina të çuditshme, që dëshmojnë për mure dhe shtëpia, nën vegjetacionin e madh. Në një kështjellë të vjetër, që ndodhet mbi qytet, ku Ugolini e ka zmadhuar dhe mobiluar si banesë, kanë hapur edhe një muzeum, me gjërat e zbuluara: skulpturë portretesh të bukura, armë, orendi shtëpiake dhe objekte zbukurimi. Ekspertët italian shpjegojnë, se këtu bëhet fjalë, vetëm për një iluzion të vogël, për mundësitë që ka Butrinti.

Një arkeolog i ri shqiptar, që ka studiuar në Moskë dhe punon si ciceron këtu, thotë se është i të njëjtit mendim. Por ai nuk do të shpjegoj gjë, mbi programin e gërmimeve, në të ardhmen. Por përkundrazi, thekson atë që Shqipëria e quan “Krimi i madh i Ugolinit”. Midis shumë skulpturash, shkencëtari Italian, gjeti një kokë jashtëzakonisht të bukur, që nuk dihet me siguri, nëse parqet një djalë apo një vajzë. Ajo është bërë me një mjeshtëri, që të kujton Praksitelin. Në mbarim të viteve tridhjetë, ai e dërgoi atë në Romë dhe atëherë u përfol, se Zogu i’a dha Italisë, si shenjë falënderimi për gërmimet.

“Ai vodhi skulpturën tonë më të bukur”, thonë zotërinjtë e sotëm shqiptar. Kuptohet hidhërimi i tyre. Vendi ka dy thesar të çmueshëm: koka nga Butrinti dhe helmeta e Skënderbeut. Asnjëra nuk ndodhet në Shqipëri. Koka ndodhet në një muze në Romë dhe helmeta në një muze në Vjenë.

Ai, që udhëton në Shqipëri, nuk ka pse të shqetësohet për ushqimin. Në këtë aspekt, ka një përparim kur e krahason me atë më parë, kur restorantet nuk plotësonin as edhe kërkesat më minimale të higjienës.

Është vështirë të thuash se nga kanë mësuar, ndoshta italianët, kanë qenë mësuesit e tyre? – Por kuzhinierët shqiptar tashmë, zotërojnë aftësi befasuese, në profesionin e tyre. Kudo që kam shkuar gjatë këtij udhëtimi, kanë shërbyer gjellë të gatuara shumë mirë, të cilat kanë qenë shumë më të mira, se shumë vende të Europës Perëndimore, do të mund të ofronin në lokale të thjeshta të ngjashme. Kuzhina shqiptare, përveç tjerash mburret veçanërisht me një ushqim të preferuar: e cili në gjuhën e vendit quhet kos, kos të jashtëzakonshëm, që as dhe bullgarët s´mund t’i afrohen.

Ai përgatitet sipas metodave tradicionale, nëse u besohet kamerierëve, duhet të ketë zona, ku kosi merret pak nga i vjetri, për të zënë të riun, vazhdon ende që nga kohët e lashta. Në Krujë, qyteti i kështjellës, prej ku Skënderbeu i luftoi turqit me aq sukses para 450 vjetësh si të thuash, duhet të kenë pasur kos historik, d.m.th., mund të zbulohen gjurmët, me radhë në breza trashëgimie, nga ditët e Heroi Kombëtar. Le të jetë rrenë ose e vërtetë, fakti qëndron, falë kosit që mund të flasim për një gastronomi shqiptare dhe përveç kësaj, standardi i ushqimit është çuditërisht i mirë.

Përsa u përket hoteleve, ka një përmirësim bindës. Kur largohesha nga Tirana, në vitet tridhjetë, qytete tjera, kishte veç bujtina Ballkanike: shkallë të frikshme dhe dhoma të këqija, ku edhe çarçafët dukeshin historikë, në kuptimin se edhe ata, dukeshin se ishin të kohës së Skënderbeut, pa u larë që prej atëherë. Njeriu armatosej me një durim prej shenjtori. Më e keqja, ishin kacabunjtë, që në atë kohë përbënin vuajtje të veçantë, në hotelet shqiptare. Shtoi edhe anën sanitare. Gjithçka ishte fjala për durimin, që mund ta fuste edhe turistin më të kalitur, në një gjendje të thellë trishtimi.

Këtu ka ndodhur si njëra dhe tjetra. Janë ngritur mjaft hotele të rinj. Duke u bazuar në situatën e përparshme, mund të cilësohen të pranueshme. Ata natyrisht, kurrë nuk disponojnë ashensorë, ngaqë ashensorët, duhet të importohen. Ndodh edhe që tetë vizitorë, të kenë veç një banjë dhe pastërtia, është për të ardhur keq. Por dhomat janë të pastra. Përsa u përket kacabunjve, ndoshta kanë emigruar në ndonjë tjetër Demokraci Popullore, ose i kanë dehur para se të vijmë ne, kjo u tha më vonë, se dhomat ishin dezinfektuar, pak para se të vinim, por asnjë nga pjesëmarrësit e udhëtimit, nuk patën ndonjë telashe nga ai lloj.

Nuk mund të flasësh për hotele, pa shtuar disa fjalë për hotelin “Adriatik” në Durrës dhe jo vetëm se përbën krenarinë e “Albturist”, por edhe për arsye, sepse atmosfera dhe rrethanat, pasqyrojnë gjithë Shqipërinë. Durrësi është një qytet bregdetar i rëndësishëm, që para se shteti të mbyllte dritaren dhe të ulte perden, kishte një trafik të dendur detar, me Dubrovnikun, Barin, Venedikun dhe porte të tjera të Adriatikut.

Tashmë vaporët vijnë prej Kine. Por Durrësi, është edhe një dhuratë nga Enver Hoxha për popullin: një plazh i gjerë, ku pesë kilometrat e gjata të bregdetit, nëpunësit e zellshëm dhe punëtorët e të zotë, marrin si shpërblim disa javë pushimi në të. Në mes të bregdetit, “Adriatiku” ka ngritur muret e tij impresionues. Dhomat janë të shkëlqyera edhe pse, godina nuk përfiton nga uji i rrjedhshëm, në kuptimin e vërtetë, por uji duhet të vijë me cisternë dhe me pompë, të mbushin rezervuarin në çati, ai ofron një luks të madh, duke patur parasysh rrethanat shqiptare. Bari është shumë i madh dhe solemn, si një sallë vallëzimi e kohës së vjetër, mensa po ashtu. Kamerierë me mantel të bardhë dhe kamerieret me flokët topuz, pa asnjë buzëqeshje, por me një efektivitet të madh u shërbejnë kapitalistëve dhe revizionistëve.

“Adriatiku” në të vërtetë, është i rezervuar për të huajt, që do të thotë, një pakicë turistësh prej Europës Perëndimore, tek tuk ndonjë delegacion tregtar nga Jugosllavia dhe Rumunia, dy kombe veçanërisht të dyshimtë, sipas këndvështrimit shqiptar, si dhe personel i trupit diplomatik, që vijnë prej Tirane, për disa ditë si orvatje, për të harruar mërzinë vrastare në kryeqytet. Prej hyrjes së hotelit dhe deri në buzë të ujit, është një zonë e ngushtë dhe e ndaluar, ku rrinë veç mysafirët dhe prej nga sheh rroba banje me ngjyra të bukura, çadra dielli të hijshme dhe dyshekë të larmishëm gome. Në të dy anët e këtij rezervati, ri-gjen publikun shqiptar të plazhit. Herë pas here, vërshojnë në ato përmasa, që të kujton Ganges (lum në Indi).

Është një publik patetik, plazhi pa pajisje banje, aparate fotografike apo radio-transistorë, nuk kanë çadra dielli, por lidhin çarçafë në katër shkopinj dhe janë me rroba banje, që i kanë qepur vetë. Kjo është një ndarje e turpshme. Të duket vetja si në një karikaturë të “Pravdës”, ku kapitalisti, është ulur në zonën e rezervuar, nën një çadër të bukur dielli dhe përpiqet të gjej, stacione italiane lajmesh, me një radio-transistor. Ca më tutje plazhi është i bllokuar nga policë, që ruajnë një grup vilash, të cilat pronarët e pushtetit, i përdorin për fund-javët (vikend) e tyre.

Si të gjithë shtetet komuniste edhe Shqipëria, është një shoqëri klasash. Brenda në det, presin vaporë transporti kinez për vend në skele dhe kur bëhet errësirë, ndezin dritat dhe duken shumë dekorativë. Ndërkohë drejtoria e “Adriatiku”-t, fillon përgatitjen e përhershme, të argëtimit të darkës. Shfaqin film propagandistik në tarracën e madhe. Dje u kënaqëm prej ekskavatorëve, që sulmuan një vend, të ardhshëm ndërtimi dhe kamionë, që transportonin zhavorr, ndërkaq një komentator në frëngjisht, fliste për energjinë dhe vullnet e përparimit shqiptar. Sonte, dihet se do të fillojë të ngrihet një ndërtesë e re, përpara syve tonë. /Memorie.al/

Shqipëri shtator 1968

Një dhuratë e kinemasë tonë nostalgjike për të gjithë brezat

Restaurohet filmi “Kthimi i Ushtrisë së Vdekur”

Çfarë u diskutua gjatë takimit në Tiranë më 1989-ën

Refuzimi që Nexhmije Hoxha i bëri Nënë Terezës për një shtëpi bamirësie!

Në 40-të vjetorin e filmit “Proka”

Mbrëmje kinematografike me regjisorin Isa Qosja

"Kur jeni zënë për herë të fundit me gruan?"

Përgjigjet plot humor që jepte Dritëroi për Sadijen