Zemërimi i Perëndimit, sanksionet e reja dhe armët moderne të premtuara erdhën shumë vonë për të shpëtuar njeriun që u gjet i vrarë pranë biçikletës së tij jashtë një lokali në afërsi të Kievit. Fotoja e tij bëri xhiron e rrjetit gjatë fundjavës që lamë pas.
Ai ishte një nga shumë civilët e pafajshëm fati i të cilëve u has rastësisht me rusët. Skenat që zbulohen teksa trupat ruse tërhiqen nga Kievi po shkaktojnë rikthim të ashpër të mizorive të luftës së dytë botërore.
Ky është çmimi që po paguajnë civilët ukrainas për fiksimin e Vladimir Putin. Ndjenja e neverisë për atë që po ndodh në Ukrainë ka prodhuar një aksion për ta vënë Rusinë para përgjegjësisë.
BE dhe Ukraina kanë nisur një hetim të ri për krimet e luftës në periferi të Kievit, në Bucha ku u gjetën trupat të shpërndara në mes të rrugës.
Anëtarët e kongresit i bënë thirrje presidentit amerikan Joe Biden të përshpejtojë dërgimin e armëve në Ukrainë për të mposhtur pushtuesin. BE po përballet me një presion në rritje për të pranuar atë që do ishte goditje e dhimbshme ekonomike duke ndërprerë totalisht eksportet ruse të naftës dhe qymyrit.
Biden reagoi duke bërë thirrje për më shumë sanksione dhe për gjyq në lidhje me krimet e luftës të kryera nga Vladimir Putin.
“Ju mund të kujtoni që unë u kritikova për shkak se quajta Putin kriminel lufte. Ai është një kriminel lufte. Ai është brutal”, deklaroi Biden.
Por tragjedia e tmerrshme që po zbulohet në Ukrainë është se të gjitha masat që Perëndimi është i përgatitur të mendojë për të ndëshkuar Moskën dhe për të ndikuar në rrjedhën afatgjatë të luftës nuk mund të bëjnë shumë për të shpëtuar civilët që janë tani në shënjestër.
Por Perëndimi nuk ka gjasa të ndalojë fushatën e mizorive të Putinit në një afat të shkurtër, veçanërisht pasi udhëheqësi rus është treguar imun ndaj zemërimit moral. Dhe duke pasur parasysh shkallën e masakrës së kryer deri tani, duke përfshirë sulmet në blloqe apartamentesh, spitale dhe strehimore për bomba, ai gjithashtu duket se ka kaluar prej kohësh çdo kufi.
Putini i njeh kufijtë e Perëndimit
Sanksionet më të ashpra ndonjëherë, statusi i ri i Rusisë dhe izolimi i saj kulturor, diplomatik, ekonomik dhe sportiv nuk e kanë ndalur ende njeriun e fortë të Kremlinit. Duke pasur parasysh pozicionin politik në dukje të sigurt të Putinit, ai nuk tregon shqetësim për etiketimin si kriminel lufte dhe shanset që ai të dalë në gjyq janë të largëta duke përjashtuar ndryshimet tërësore politike në Rusi.
Putin e kupton se Perëndimi nuk është i gatshëm të ndërhyjë drejtpërdrejt në Ukrainë dhe të rrezikojë një përplasje katastrofike me Rusinë me masa të tilla si një zonë ndalim-fluturimi për të shpëtuar civilët.
Lloji i ndërhyrjeve perëndimore për të shpëtuar civilët në vende si Kosova apo Libia janë të ndaluara në Ukrainë, për shkak të fuqisë së arsenalit të liderit rus dhe goditjes së tij në fillim të luftës.