MENU
klinika

Analiza e Project Syndicate

Pse humbja e Rusisë do të ishte ngjarje epokale?

26.04.2022 - 15:26

Lufta e presidentit rus Vladimir Putin kundër Ukrainës është kaq brutale, pikërisht sepse ai beson se rusët dhe ukrainasit janë një popull i vetëm. Për të kuptuar vendimin e tij për të pushtuar vendin fqinj, duhet të dëgjojmë justifikimin që jep ai vetë. Dhe duhet të dëgjojmë edhe me më shumë vëmendje kur arsyetimi që bën na duket kaq absurd.

Dy nga justifikimet e Putinit janë veçanërisht të habitshme. E para, që Ukraina është një “anti-Rusi”, është dukshëm e çuditshme. E dyta, që “rusët dhe ukrainasit janë një popull”, duket e palogjikshm e në kontekstin e të parit, dhe aq më tepër duke pasur parasysh mizoritë e ushtrisë ruse në Ukrainë.

Megjithatë në politikë, absurdi është shpeshherë ai që i zbulon më së miri gjërat. Të dyja këto pretendime kanë rrënjë të thella historike, dhe një logjikë psikologjike i lidh dhe i shpjegon ato. Historia ka të bëjë me ngritjen e Principatës së Moskovit, midis principatave të tjera të Rusisë mesjetare.

Kjo principatë e vendosi fuqinë e saj duke vepruar si një mbledhëse taksash për mbretin e madh mongol. Pasi e mësuan despotizmin e pamëshirshëm nga padronët e tyre mongolë, dhe më pas zgjeruan territorin e e tyre me ndihmën e mongolëve, princat moskovitë u kthyen kundër mongolëve, i dëbuan ata dhe konsoliduan “territoret e Rusisë” nën dukatin e madh Moskovit, dhe pasardhësve të tyre, “Carëve rusë”

Por autokracia nuk ishte forma e vetme e qeverisjes në territoret ruse. Republika tregtare e Novgorodit në veriperëndim të Rusisë, është shembulli më i njohur i konstitucionalizmit mesjetar rus, por jo i vetmi. Dukati i Madh i Lituanisë, që pavarësisht emrit të tij përfshinte Bjellorusinë dhe Ukrainën e sotme, kishte institucione përfaqësuese të zhvilluara mirë sipas standardeve të Evropës mesjetare.

What's Behind The Russia-Ukraine War Fears -- And What Might Actually  Happen?

Në shekullin XVI, “Seimat” e Lituanisë dhe asambletë lokale, kishin më shumë pushtet se sa homologët e tyre iberikë dhe britanikë. Lituania ishte kryesisht një shtet sllav. Gjuha e saj zyrtare ishte bjellorusishtja e vjetër, dhe jo lituanishtja, dhe pjesa më e madhe e aristokracisë së saj ishte ortodokse dhe etnikisht ruse.

Së fundi, ekziston tradita politike e Kozakëve të Dnipros. Fillimisht të përbërë kryesisht nga fshatarë që i ikën skllavërisë dhe u ngulën në territoret e zbrazëta kufitare të Komonuelthit Polako-Lituanez, Kozakët e konsideronin me të drejtë veten “një popull kalorësish”, duke e fituar lirinë e tyre përmes fushatave ushtarake kundër tatarëve të Krimesë, turqve osmanë, princërve moskovitë dhe polakëve.

Ata zgjodhën për gati 200 vjet “hetman”-in e tyre , ose kreun e shtetit, dhe një këshill qeverisës derisa Katerina e Madhe i shpërndau këto institucione në vitin 1764. Shkatërrimi i përgjakshëm i Republikës së Novgorodit nga Ivani i Tmerrshëm është i njohur, siç janë të njohura edhe ndarjet e Polonisë.

Më pak i përmendur është shkatërrimi i shtetit të Kozakëve në vitin 1775, dhe masakrimi i mbi 20.000 njerëzve. Secili prej këtyre episodeve kontribuoi në vendosjen e autokracisë në të gjitha territoret e Rusisë.

Ideologjia cariste ruse që u shfaq gjatë këtyre betejave të përgjakshme, për të justifikuar sundimin despotik, është thelbësore për të kuptuar konfliktin e sotëm në Ukrainë. Një ideologji e tillë ishte thelbësore, pasi kufizimet e pushtetit ekzekutiv arbitrar ishin po aq tërheqëse për fisnikërinë e Moskovës sa ishin për fisnikët lituanezë, banorët e Novgorodit, kozakët, baronët anglezë apo kolonët amerikanë.

Narrativa cariste thuri së bashku dy tematike kryesore: Cari është “babai i vogël i të gjithë njerëzve”, duke mbrojtur një fshatarësi të skllavëruar kundër padronëve të tyre fisnikë, ndërsa populli rus është veçanërisht i papërshtatshëm për të pasur liritë kushtetuese si të tjerët.

Nga konstitucionalizmi rus supozohet se do të përfitonte vetëm një fisnikëri egoiste, e cila mund ta përdorte fuqinë e saj për ta shfrytëzuar akoma më shumë fshatarësinë. Për më tepër, duke qenë se rusët – në dallim nga perëndimorët – nuk ishin në thelb të aftë të vetë-qeverisin në mënyrë efektive, por kishin nevojë për një “dorë të fortë”, konfliktet fraksionale do ta dobësonin shtetin, do ta ekspozonin ndaj kërcënimeve të huaja, dhe do të çonin ndoshta në shpërbërjen e tij.

A Russia army’s military engineer in an explosive suit. Russia has deployed at least 100,000 troops along Ukraine border amid mounting tension in the Eastern Europe. (Photo by EyePress News / EyePress via AFP)

Tani mund të shohim pse Putini ka të drejtë kur thotë se Ukraina është një “anti-Rusi”. Nëse shtetësia ruse përkufizohet nga despotizmi, dhe nëse rusët dhe ukrainasit janë një popull, atëherë duke qeverisur me sukses veten e tyre, ukrainasit kanë vërtetuar se miti themelues i Rusisë Moskovite ka qenë një gabim i madh historik.

Ashtu si evropianët e tjerë, edhe rusët mund të kenë lirinë personale dhe një shtet efektiv. Dhe duke qenë se një shtet efektiv rus ka shumë të ngjarë të jetë i fuqishëm ushtarakisht, ata mund të mos kenë nevojë për autokracinë për të siguruar një ndikim gjeopolitik global.

Kjo është arsyeja pse siç u shpreh së fundmi një analist televiziv rus “duhet të çrrënjoset plotësisht vetë ideja e të qenit ukrainas”.

Për Putinin dhe elitën përreth tij, lufta kundër Ukrainës është një luftë civile, një luftë për vetë idenë e Rusisë, dhe për drejtësinë e historisë së saj siç e përcaktojnë ata. Dhe si në të gjitha luftërat civile, është afërsia e kundërshtarëve ajo që nxit mizoritë që po ndodhin tani mbi popullin e Ukrainës.

Ata rusë që e përqafojnë këtë lloj manikeizmi të përmbysur, në të cilin diktatura është e mirë dhe liria është e keqe, pranojnë gjithashtu një lloj pazari psikologjik tinëzar. Ata heqin dorë nga liria personale për t’iu nënshtruar një shteti të fuqishëm që të tjerët i frikësohen.

“Unë kam frikë nga shteti im, por gjithsesi ai është shteti im”- u thonë shumë rusë të huajve dhe vetes. “Ju i frikësoheni shtetit tim, por ai nuk është shteti juaj”. Por çfarë ndodh me këtë pazar, nëse të huajt nuk e kanë më frikë Rusinë? Kjo është arsyeja pse humbja përballë Ukrainës, nëse do të ndodhë, do të ishte një ngjarje epokale për Rusinë.

Edhe fitorja e Perëndimit në Luftën e Ftohtë, nuk shënoi fundin e ideologjisë autoritare të Rusisë. Demokracia perëndimore mund të jetë dëshmuar se është më e fuqishme sesa despotizmi sovjetik. Por kjo nuk do të thotë se një Rusi demokratike mund të qeveriset mirë, dhe do të jetë më pak e fuqishme. Por humbja në Ukrainës do të ishte një çështje krejtësisht tjetër.

Jacek Rostowski, ish-ministër i Financave dhe zëvendëskryeministër i Polonisë.

Burimi: Project Syndicate