MENU
klinika

Vizita në Gjermani

Rama: Do të ndahemi nga Maqedonia, presim negociatat në qershor!

12.04.2022 - 07:59

Gjermania angazhohet për hapjen sa më të shpejtë të negociatave dhe rigjallërimin e Procesit të Berlinit. Pas takimit kokë më kokë në Berlin, Kryeministri Rama dje mori premtimin e Kancelarit gjerman Olaf Scholz se do të angazhohet personalisht për nisjen sa më parë të negociatave mes Shqipërisë dhe BE-së.

“Ne duhet të angazhohemi çdo ditë nga e para për një jetë në një hapësirë të hapur lirie e demokracie, të sundimit të ligjit e të mirëqenies. Me këtë dije, Gjermania angazhohet me këmbëngulje për fillimin sa më shpejtë të jetë e mundur të negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë dhe me MV. Kjo është në interesin tonë të përbashkët dhe kjo ka rëndësi vendimtare për stabilitetin në rajon dhe për të gjithë Europën”, tha Scholz.

Z. Kancelar, kanë kaluar 20 vjet nga hapi i parë që u hodh për anëtarësimin e rajonit të Ballkanit Perëndimor në BE në Selanik, por deri tani asnjë nga këto vende nuk është pjesë e Unionit. Ju deklaruat që do të angazhoheni personalisht që të ketë hapa konkret. A ka një plan konkret Kancelaria juaj përveç angazhimit në formën e deklaratave? E siç e thatë, kërkoni të rigjallërohet Procesi i Berlinit. A keni diskutuar me Kryeministrin edhe për “Open Balkan” siç ai e pohoi. Ju e shikoni këtë si një mundësi, një mjet që të përshpejtohet “Procesi i Berlinit” përmes “Ballkanit të Hapur”, duke qenë se edhe ai synon katër liritë?

Kancelari gjerman, Olaf Scholz: Dëshiroj t’ju përgjigjem, ju e patë që çështjen e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian e përmenda disa herë, jo vetëm sot kur jemi takuar bashkë, por dhe në shumë raste të tjera, por dhe ajo përmendet në programin e qeverisë aktuale dhe në takimet në Europë, pasi unë besoj që tani është momenti që duhet kapur pikërisht ajo që përmendët ju në pyetjen tuaj, që ka kaluar vërtetë një kohë e gjatë e tani duhet të pasojë hapi tjetër. Unë jam krejtësisht i këtij mendimi prandaj vetëm mund t’ju siguroj që me fuqinë që kam unë dhe me gjithë mbështetjen e qeverisë federale dhe të Bundestagut, do të japim atë kontribut që kjo të ndodhë vërtetë.

Përshtypja ime është që jetojmë në kohë të reja dhe ka të bëjë dhe me agresionin rus dhe ndaj tek shumë njerëz në Europë është rritur vëmendja në Europë që duhet ta mbështesim njëri-tjetrin në këtë situatë. Unë në çdo rast do të angazhohem dhe do angazhohem për gjithçka që e mbështet Projektin e Berlinit. Ka shumë aktivitete që janë të dobishme, por e rëndësishme është që këndvështrimi të ruhet që bashkëpunimi të përmirësohet, që hapat e lirive bazë të mundësohen në mënyrë që prej kësaj të arrihet diçka që të çojë në një anëtarësim në Bashkimin Europian dhe një zhvillim paqësor për Ballkanin Perëndimor dhe të përfundojë në zhvillim ekonomik për Ballkanin Perëndimor.

Z. Rama, në Tiranë deklaruat që pas Këshillimit Kombëtar do të trokisni në të gjitha kancelaritë e Bashkimit Europian, në Bruksel e të kërkonit ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në procesin e integrimit. Ndodhi kjo? Kush ishte përgjigja?

Kryeministri Edi Rama: Sikundër ishte dhe e shprehur në pyetësorin që ne kemi bërë për Këshillimin Kombëtar, të cilit në rastin ndarjes së Shqipërisë nga Maqedonia, iu përgjigjën pozitivisht 66% e qytetarëve shqiptarë, kjo do të ndodhë nga ana jonë, nëse në qershor nuk do të hapen përsëri negociatat formalisht për Shqipërinë për shkak të Maqedonisë. Deri në qershor, siç e kemi shtruar edhe në Këshillimin me popullin shqiptar, ne do të vazhdojmë të jemi në një linjë me Maqedoninë e Veriut që të dyja vendet duhet të marrin dritën jeshile. Nëse në qershor, Bullgaria do të bllokojë përsëri Maqedoninë e Veriut, ne do të ndryshojmë qasjen tonë dhe do të kërkojmë nga Gjermania, Franca dhe të gjithë që të na ndajnë, sepse është diçka e pamundur të përballohet gjatë që ti të mos dalësh dot nga shtëpia për shkak se duhet të zgjidhim problemin me njëri-tjetrin dy fqinj. Kjo është ideja.

Zoti Kancelar, ju theksuat që shtetet e “Ballanit Perëndimor” e mbështesin edhe politikën e sanksioneve të Bashkimit Europian. Ka një vend që nuk e bën këtë, që është Serbia. Serbia tani mori edhe një sistem të mbrojtjes raketore kineze. Cilat janë pasojat për këtë, sepse Serbia konsiderohet si e avancuar në këto bisedime për anëtarësim e ndërkohë, shtete të tjera të Ballkanit Perëndimor duhet të presin që të ngadalësohet politika, meqenëse Serbia nuk i përmbahet sanksioneve?.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz: Ne kemi parë një dënim të agresionit rus nga të gjitha vendet. Mund t’i shikosh gjërat shumë ndryshe, por ne kemi parë një dënim të agresionit rus.

Z. Rama, cili është ndikimi i shteteve të treta në Ballkanin Perëndimor. Nëse mund të më thoni nëse për mendimin tuaj, ndikimi i i vendeve si Kina, Rusia, Shtetet Arabe, a është rritur apo është ndikim që ka mbetur konstant?

Kryeministri Edi Rama: Sa i përket aktorëve apo palëve të treta me ndikim në Ballkanin Perëndimor, unë do thosha që nuk janë njësoj dhe nuk duhet të kemi shqetësime nga ndikimi i vendeve të treta në të njëjtën mënyrë. Sigurisht që ndikimi i Rusisë në rajonin tonë përbën një problem, për më tepër në kushtet e sotme, çka e bën shumë më të nevojshme aktivizimin më intensiv të Bashkimit Europian dhe përpjekjen nga ana e Bashkimit Europian për t’i afruar shumë më pranë të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor pa përjashtim. Ndërkohë, Kina është një vend, i cili ka synimin e vet të deklaruar në të gjithë Europën ose më saktë, në ish-Europën Lindore, ka dhe një format special të Kinës, të quajtur formati 17 plus 1 në të gjitha vendet ish-komuniste, që është një projekt investimesh.

Shqipëria nuk ka ndonjë marrëdhënie të posaçme as me njërën, as me tjetrën dhe niveli i investimeve të Rusisë në Shqipëri është zero, ai i Kinës është minimal dhe i papërfillshëm krahasuar me të gjithë vendet e tjera. Sa i përket Turqisë, Turqia nuk është një aktor i tretë, Turqia është një partner strategjik i Shqipërisë dhe në këndvështrimin tim, Turqia është një valvul shumë e rëndësishme për gjithë Europën. Në ndërkohë, me vendet e gjirit, ne kemi një marrëdhënie miqësore prej shumë e shumë vitesh, i kultivojmë ato, nuk kemi asnjë arsye të shohim tek ato vende, asgjë tjetër veçse miqve dhe sigurisht janë të mirëpritur në Shqipëri për të bërë investimet e tyre, por dua të them që prezenca e tyre në vendin tone, por edhe në përgjithësi, është shumë më e ulët në aspektin e investimeve nga sa ndonjëherë zmadhohet nëpër artikuj apo vëzhgime sensacionale të medias.

Z. Kancelar. Çfarë është e rëndësishme të bëhet që Ballkani Perëndimor të mos lihet nën ndikimin rus dhe çfarë do bëjë qeveria federale që këto vende të mos e lëkundin besimin e tyre në integrimin europian.

Kancelari gjerman Olaf Scholz: Sa i përket sigurisë së Europës dhe sigurisë së Ballkanit Perëndimor, Bashkimi Europian i bashkuar është kusht i domosdoshëm. Ne e treguam dhe javët e fundit që të bashkuar ne mund të veprojmë. Kjo doli në pah edhe gjatë pandemisë. Atje gjithë Europa vuri në rrugë një program kundër krizës që nuk ishte parashikuar më parë. Ndaj, si luftimi ndaj Covid-19 dhe raporti me Rusinë dhe sa i përket agresionit kundër Ukrainës, kjo është një pjesë që prodhon sovranitet europian. Është e rëndësishme që Ballkani Perëndimor ta mbështesë njëri-tjetrin. Unë jua thashë, unë besoj që gjithçka ne duhet ta avancojmë dhe unë do angazhohem personalisht për këtë.

Veç kësaj, do jetë e nevojshme që të kujdesemi, që të jemi të fortë ndaj bashkëpunimi në NATO ka rëndësi të madhe dhe për Republikën Federale të Gjermanisë, unë kam deklaruar në mënyrë të qartë që duhet të japim kontributin tonë. Në Europën kontinentale, ne jemi shteti që kemi numrin më të madh të trupave dhe e pasqyrojmë këtë gjë në buxhetin tonë dhe këtë do ta ndjekim me një fond special për mbrojtjen, që ka të bëjë me financimin e Forcave të Armatosura Gjermane, duke dhënë kontributin tonë për gjithë Europën. Ky është detyrimi ynë dhe ne do t’i përmbahemi kësaj.

Sa i përket bashkëpunimit në Europë, sepse ky bashkëpunim është vënë në rrezik nga Putin me aktin bazë NATORusi, dhe kishim lidhur marrëveshje me OSBE-në që sigurinë ta krijojmë së bashku, por njëri nga kushtet është deklarimi që kufijtë janë të paprekshëm, prekja e kufijve të mos diskutohet dhe që të njohim sovranitetin e vendeve. Putin me agresionin e tij e shkeli këtë e ndaj është në interesin e tij, por është në interesin edhe të gjithëve ne që të vendoset një armëpushim, që Rusia të tërheqë trupat e saj nga Ukraina dhe të kemi një marrëveshje mes Ukrainës dhe Rusisë që të garantojmë një zhvillim paqësor afatgjatë. Nuk mundem ta parashikoj këtë gjë, por kjo do jetë kërkesa jonë këmbëngulëse.

Z. Rama, procesi i integrimit bazohet në merita. Shqipëria gjatë këtyre viteve i ka përmbushur detyrimet e saj, ajo po luan një rol aktiv në Këshillin e Sigurimit, gjithashtu politika e jashtme është 100% në përputhje me linjën e Bashkimit Europian. A prisni ju që Konferenca e Parë Ndërqeveritare të mbahet gjatë presidencës franceze në muajin qershor?

Kryeministri Edi Rama: Sikundër ju e dini, unë e kam thënë në mënyrë të përsëritur që ne nuk presim asgjë, në sensin që cilido të jetë konkluzioni i Këshillit Europian në qershor, kjo lidhet, jo me çfarë ne kemi bërë apo nuk kemi bërë, por sa Bashkimi Europian do jetë në gjendje të marrë një vendim siç na takon. Jemi zhgënjyer në mënyrë të përsëritur për disa vjet, Komisioni Europian për disa vjet na ka dhënë të drejtë që ne të vazhdojmë me fazën tjetër, gjë që për ne ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme sepse Komisioni Europian është e vetmja strukturë që ka kapacitetin që të vlerësojë objektivisht dhe teknikisht ecurinë e vendeve pasi janë dhjetëra njerëz që punojnë 24/7 në Shqipëri, ndërsa Këshilli Europian merr vendime të një natyre politike. Të mësuar nga zhgënjimet dhe duke mos dëshiruar të mos zhgënjehemi më, ne nuk presim asgjë përveç asaj që na takon. Nëse nuk do e marrim, nuk do jetë hera e parë, nuk do mërzitemi kështu që do vazhdojmë të bëjmë punën tonë pasi nuk e bëjmë për Brukselin, e bëjmë për fëmijët tanë.

Një pyetje për ju, zoti Kryeministër, Ukraina kërkon një procedurë të përshpejtuar për hyrjen në Bashkim Europian. Ajo ka dhe disa mbështetës. Si e ndjeni ju një kërkesë të tillë, si do ndiheshit nëse ata do kishin sukses në këtë kërkesë, pasi ju prisni prej kohësh për të hyrë në Bashkim Europian?

Kryeministri Edi Rama: Pyetja se a ndjehem unë i shqetësuar që Ukraina mund të hyjë më shpejt në Bashkimin Europian sesa ne që kemi kaq vite që presim, më vë në pozitë sepse duhet të them të vërtetën, apo jo? Unë më shumë jam i shqetësuar se mos Ukraina mendon vërtetë se mund të hyjë më shpejt në Bashkimin Europian, jo se do hyjë më shpejt. Do i thosha edhe atyre që e ushqejnë këtë iluzion për Ukrainën që të mos përdorë Ukrainën për të shprehur entuziazmin e tyre revolucionar nëpër instanca të ndryshme sepse nuk duhet shumë shkencë për të kuptuar se si funksionon Bashkimi Europian dhe kjo nuk mund të ndodhë, sipas meje. Megjithatë, nëse do të ndodhte, nuk do të bëheshim absolutisht xhelozë që Ukraina do të hynte përpara.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


“Ballkani i Hapur, rivitalizim i Procesit të Berlinit”

Rama lobon për Kosovën: Gjermania të përmbushë kërkesën për liberalizimin e vizave