MENU
klinika

“Shqiptarët dhe turqit menaxhojnë trafikun e heroinës”

Raporti i Antimafies italiane: Si veprojnë grupet kriminale

08.04.2022 - 19:20

Drejtoria Hetimore e Antimafies Italiane ka publikuar një raport që fokusohet tek krimet që lidhen me trafikun e drogës. Sipas këtij raporti, i cili përfshin periudhën e gjashtëmujorit të parë të vitit të kaluar, kokaina është në duart e peruanëve, ndërsa heroina menaxhohet nga turqit dhe shqiptarët.


Raporti thekson se importi i heroinës menaxhohet nga turqit, “të cilët e eksportojnë atë në tregun evropian nëpërmjet kanaleve shqiptare”.

Për sa i përket kokainës, “peruanët kanë një pozicion me rëndësi absolute në importimin e drogës. Me kalimin e viteve, ata kanë përsosur një kapacitet të caktuar në transferimin e drogës nga vendet e prodhimit në Lombardi dhe Milano në veçanti”.

Më pas janë shqiptarët, të cilët transportojnë kokainë nga portat e Evropës Veriore në Lombardi, nëpërmjet rrjetit të tyre të trafikantëve.

Krimi shqiptar është ndër shprehjet më komplekse dhe më të artikuluara në skenarin e krimit të huaj në Itali, thekson raporti.

“Kriminelët shqiptarë të pranishëm në pjesën më të madhe të territorit kombëtar shfaqin tipologji të ndryshme organizative dhe operacionale. Disa ndërveprojnë brenda grupeve të vogla, duke përfshirë grupet multietnike. Në raste të tjera ato janë konsoliduar në organizata kriminale të strukturuara dhe të qëndrueshme të rrënjosura në zonë dhe që veprojnë në një mënyrë të ngjashme me ato të “mafiasve tipike”, thuhet ndër të tjera në raport.


Pjese nga raporti per krimin shqiptar
Një karakteristikë e veçantë e organizatave shqiptare më pas ka të bëjë me “përkatësitë” shpesh të bazuara në lidhjet familjare ose në çdo rast midis subjekteve që vijnë nga i njëjti qytet ose nga e njëjta zonë gjeografike e vendit të origjinës dhe janë themeluar mbi kodet specifike të sjelljes.

Raporti vë në dukej se sektori kryesor me interes për krimin shqiptar është ai i trafikut të drogës, megjithatë nuk ngelen prapa as trafiku i armëve, ai i qenieve njerëzore apo shfrytëzim prostitucioni.