Sven Aurén, në gazetën “Svenska Dagbladet” të Stockholmit, shkruan rreth vizitës së katërt në Shqipëri, shtatorin e vitit 1968 – Përkthyer nga Adil N. Bicaku
Motorët ushtojnë, rrezet e diellit vallëzojnë mbi fletët e aeroplanit dhe poshtë në Adriatik, shkëlqejnë patat e bardha. Pas nesh, është zhdukur bregdeti italian. Por në lindje, lart mbi horizont ngrihen vargmalet blu. Kjo që kemi përpara është Shqipëria: sateliti i Kinës në Europë, Republika Popullore staliniste e fundit në pjesën e botës sonë. Cilën ditë javë? Qartë, një të martë, sepse vetëm të martat, mundesh të udhëtosh për në Shqipëri. Ende në vitin 1968, ka një shtet në Europë – sa Belgjika me sipërfaqe – që është shumë larg posedimit të një agjencie të veten fluturimi dhe që nuk disponon as edhe një aeroplan pasagjerësh.
Janë italianët, që vendosin mbi frekuencën e trafikut. Një herë në javë, fluturon një firmë italiane në linjën Romë-Tiranë dhe gjithmonë me një aeroplan gjysmë të mbushur. Çdo të martë, ndodh e njëjta gjë në aeroportin e Tiranës, sapo ulet prej fluturimit, menjëherë duhet të shpejtoj për t’u kthyer sërish, kështu që qëndrimi në aeroport nuk shkon as gjysmë ore. Ky aeroplan, pra një herë në shtatë ditë, drejtohet për rrugë drejt Shqipërisë, sikur të ishte në shërbim transporti për furnizim me ushqim, të ndonjë ekspeditë të izoluar në polin e veriut, përbën të vetmen lidhje me Europën Perëndimore. Por që është edhe shumë e largët. Edhe pse distanca midis bregdetit italian dhe atij shqiptar, përbën veç disa milje. Ta matësh me një matëse tjetër, është pa mbarim. Qartë Shqipëria e sotme, është një nga shtetet më të largëta të rruzullit.
Jam në aeroplanin e Tiranës, kur shkruaj, si parathënie, këto shënime udhëtimi. Stjuardesat, të kënaqura se e dinë, se së shpejti do të kthehen sërish në Romë, janë bujare si me buzëqeshjen, ashtu dhe pijen. Ndërkaq ato nuk kanë nevojë të stërmundohen. Pasagjerët janë pak: një palë diplomatë italian, njëri nga të cilët, shtrëngon një thes poste në gjoks, sikurse një prind përqafon fëmijën e vet, një zotëri mjekrosh nga Sorbona, për të cilin thuhet se ka shkruar një artikull të veçantë, entuziast mbi Heroin Kombëtar, Skënderbeun dhe për këtë arsye, është ftuar zyrtarisht nga shteti shqiptar, si dhe disa shqiptarë që është vështirë të përcaktosh statusin e tyre. Së fundi lista e pasagjerëve, përmban një udhëtim kolektiv në të cilin bëj pjesë edhe unë, si turist midis tjerësh.
Po ç’ka të bëj një gazetar, me një grup udhëtimi? Nuk është kollaj të hysh në kufijtë shqiptar. Ata janë më të mbyllurit në Europë, ndoshta në të gjithë botën. Ka shumë vite që shefa dashamirës të ambasadës, janë përpjekur të më nxjerrin një vizë individuale. Aplikime, telefonata dhe në biseda private, pa përjashtim, të gjitha kanë rezultuar, në përgjigjen e zakonshme të Shqipërisë, kur bëhet fjalë për viza, për gazetarë të uritur perëndimor: kërkesa është nën shqyrtim. Muaj dhe vite kalojnë dhe nuk ndodh asgjë dhe me kalimin e kohës edhe kjo mungesë reagimi, merr një karakter pothuaj normal.
Vetëm në Ambasadën e Parisit, tashmë janë stivë kërkesat pa përgjigje, të qindra gazetarëve. Por kur të kujtohen këto ngjarje, s’është zor të kuptosh, që unë u habita, kur rastësisht, pashë në një vitrinë të një agjencie të thjeshtë udhëtimesh, në Bulevardin Opera (Avenue de L’Opera), që ishte për shtetet e lindjes. Në një qosh të fshehtë, sikur nuk ishte qëllimi që të shihej, ndodhej një afishe, që lajmëronte mbi një udhëtim, për në Shqipëri. Udhëtimi ishte dy javë me autobus, vizitë në të gjithë qytetet dhe komunitetet e mëdha…!
Një pyetje me vend, me të vërtetë veçse të regjistrohesh, por nuk bëhej fjalë për nisje, para se lista e pjesëmarrësve të miratohej nga ambasada shqiptare. Që ky institucion, që tashmë ishte bërë objekt i aq përpjekjeve pa rezultat, do të pranonte emrin tim, në këtë rastin e ri duket natyrisht e pamundur. Por ndoshta një pasaportë të re, me të dhëna të një profesioni tjetër, se sa këtë xhyben e kuqe të theksuar ”gazetar”, p.sh., “shkrimtar”, nuk do të binte aq në sy?
Kjo ndodhi. Dhe megjithatë, ky është shpjegimi që unë jam në rrugë për në një shtet komunist, i cili aq gjatë ka refuzuar të më pranoje. Unë shkoj me etiketën, si grup turistik dhe kjo tingëllon ca vulgare. Por bashkë udhëtuesit e mi, nuk mund të konsiderohen si turistë të rëndomtë. Njerëz që kërkojnë atë normalen, pothuajse nuk shkojnë në Shqipëri. Përveç kësaj, grupi është i jashtëzakonshëm edhe në një tjetër këndvështrim. Shqiptarët janë i vetmi popull në Europë, që kanë mbi komodinë libërthin e kuq të Maos. Do të kishte qenë më e arsyeshme, që studentët revolucionar të Sorbonës, të shfrytëzonin këtë shans dhe të merrnin kontakt, me një komb të inspiruar nga Kina.
Mjaft e çuditshme, që nuk ka asnjë të ri të atij tipi në grupin tonë. Mos vallë kanë frikë, se mos u shuhen iluzionet? Nuk ka as komunistë dhe as nga ata, me prirje simpatizuese komuniste, që apriori kanë vendosur të gjejnë atë, më të mrekullueshmen. Këta janë mësues dhe mësuese shkollash, një çift i ri jurist, që është specializuar për kërkesë patentash, në shtetet e lindjes, një 78 vjeçar inxhinier më bashkëshorten, që bëjnë udhëtime të çuditshme gjatë jetës, që u ka mbetur dhe një ish gjykatës nga Orleans, i cili është krejt i verbër dhe udhëhiqet nga bashkëshortja e kujdesshme e tij, e cila sheh për të dy dhe i tregon për çdo gjë.
Është gjithashtu një burrë në moshën mesatare, postier me interesa të përgjithshme, nga lagja e trembëdhjetë e Parisit, i cili ka një kohë të gjatë, që është i inatosur, sepse kurrë nuk gjente diçka për të lexuar për Shqipërinë, në buletinin e mëngjesit, ai vendosi ta marrë çështjen vetë në dorë. Kryesisht është një grup simpatik francez, kur janë për së mbari. Por edhe pse ende edhe në të ardhmen, dukej e pamundur që një gazetar, të kryente një vizitë individuale dhe një grup udhëtarësh, ofron shansin e vetëm, të hedhësh një sy përbrenda kufijve, natyrisht mund të këmbëngulësh, se gazetari dhe udhëtim kolektiv, s’kanë gjë të përbashkët. Në një diktaturë komuniste te këtij modeli ekstrem, duket që një rrugëtim i tillë, do të thotë se autoritetet dëftejnë atë, që duan të dëftejnë dhe fshehin të tjerat.
Që të shfrytëzoj plotësisht të paktën atë, që lejohet të shoh, ndërkaq, kam ndërmarrë një numër masash përgatitore. Ka diplomatë të shteteve të ndryshëm, që kohët e fundit kanë qenë të stacionuar në Tiranë, po ashtu edhe specialistë, të cilët kanë pasur shërbime të ndryshme, në Shqipëri. Falë informatorëve të këtij tipi, që jam armatosur me dijeni paraprake, mbi situatën aktuale. Në këtë mes, ka disa mundësi të krahasohet, midis të tanishmes dhe të dikurshmes. Ky është udhëtimi im i katërt, në Shqipëri. ‘On revienz toujours’.
Në moshën e rinisë, u njoha me një student shqiptar në Paris dhe më pas, kalova një javë në shtëpinë e tij në Tiranë. Vizita më la aq përshtypje të forta, sa që unë disa vjet më vonë, shkova prapë për të shkruar një libër mbi vendin. Vizitën e tretë, e bëra pak para luftës, kur unë udhëtova me veturë, prej Stokholmi për të marrë pjesë, në dasmën piktoreske të Mbretit Zog, me princeshën Hungareze Apony (Apponyi). Kjo qe në prill 1938. Menjëherë pas një viti u zhduk shteti shqiptar, prej valëve të luftës, u shkretua, u copëtua dhe më në fund, u kthye në formën e tanishme.
Kësaj Shqipërisë së djeshme, që unë i kushtova aq shumë interes, qe një komb ballkanik i panjohur dhe primitive, me një milion banorë, që gjithnjë e quan veten, Shqiptar: bijtë e shqiponjave. Me mbi dy të tretat male, jo pjellorë dhe gati një të tretën pjesë kultivuese, në lugina dhe rripa bregdetare, qe gjithashtu një vend shumë i varfër. Gjatë gjithë historisë së tij, ndodhej në rrugën e konflikteve të mëdha të interesave të fuqive të mëdha. Që shqiptarët, të cilët janë pasardhësit e ilirëve, mundën të ruajnë si gjuhën e vet, ashtu edhe veçoritë kombëtare p.sh., zakonet e jetesës, bile edhe fizionomia është një mrekulli! Direkt apo indirekt, ata kanë qene gjithnjë të kolonizuar.
Ata janë sunduar nga grekët, romakët dhe Bizanti. Në pesë shekuj me radhë, deri më 1912-ën, vendi ishte pronësi turke. Gjatë luftës parë botërore, shërbeu si fushë beteje e ushtrive të superfuqive. Në vitet 1920, për të parën herë fitoi, të paktën në dukje, një si formë pavarësie politike. Struktura sociale, ishte feudale me një numër prijësish të pasur malësorë, si figura dominuese. Më 1928-ën, prijësi malësor Ahmed Zogu, mundi t’i bindë prijësit tjerë të fortë, të pranonin formimin e një Monarkie, ku ai shpallet Mbret me emrin, Zogu I.
Tragjedia e përhershme e vendit, është se kurrë nuk ka mundur të mbijetojë, pa një financim të huaj. Zogu qeveriste, por Mussolini paguante, që e shndërroi Mbretin e parë të vendit, në vasal italian. Më 1939-ën, vasali nuk u tregua aq i bindur, prandaj e dëbuan dhe vendi u kthye në një koloni italiane. Por gjatë vizitë sime, në vitet tridhjetë, pati ende fronin të pa prekur të vendosur në një sallon në Pallatin Mbretëror në Tiranë, që dukej si një vilë mesatare e Djurs’holmit.
Kur je ulur kështu, në një kolltuk të aeroplanit, në rrugë drejt një Shqipërie të re, që njohuritë për të janë veç të karakterit teorik, është e natyrshme, që të kaluarat të dalin parasysh si shfaqje. A ka mbetur më diçka nga shteti magjepsës, Ballkanik? Por peizazhi madhështor i vendit, duhet të ketë mbetur po ashtu:
1-Edhe një udhëtim tjetër (frëngjisht).
2-Lagje me vila në periferi të Stokholmit. Banon klasa e pasur.
Malet aventuriere, rrugët me serpentina, ata liqenet blu të thellë, në Shkodër dhe Pogradec, urat e gurit të përkulura, si mace zemërake, në rrëpirën e grykave, shqiponjat, që fluturojnë rreth kreshtave të maleve masive, ato luginat e gjelbëruara, me fushat e tyre me lule dielli, duhan dhe misër…
Por njerëzit, atmosfera? Para lufte, udhëtarët që shkonin në Shqipëri, përbënin një numër mjaft të vogël dhe në vendet e tyre, ata konsideroheshin si ekstravagantë, romantikë ose aventurier. Në Shqipëri ata ishin mbretër. Ata priteshin si miq të nderuar. Të pasur dhe të varfër, konkurronin për t´u hapur dyert, shkëlqenin nga kënaqësia, gatishmëria ishte totale. Bujaria, qe ngritur në dogmë fetare. Nga njëherë, ndodhte që edhe gjakmarrja, lihej me një anë e cila ishte e dhimbshme dhe që e shkretonte vendin, si kolerë dhe çonte në zhdukje, si familje ashtu edhe fise. Nëse viktima, që duhej të vritej, arrinte të hynte brenda në shtëpinë e hasmit, para se ai të arrinte ta qëllonte, përfitonte nga zakoni i mikpritjes, sa kohë që të qëndronte aty.
Shqiptarëve u pëlqente t´i fotografosh dhe dëshironin të jepnin dhurata. Na jepnin peshqeshe, kudo që shkonim. Njerëz fukarenj, shumica ishin pothuaj aq fukarenj, sa s´ta merrte mendja që silleshin me një krenari të denjë, madhështore. Zhelamanët shëtisnin në rrugën e katundit, si princa. Përsa i përket ngjyrave të dukej se tabloja ishte sublime. Mua më kujtohet tregu i Shkodrës, një mëngjes të prillit: Malësorët me tesha të bardha leshi deleje, xhamadanë të zi, pa mëngë dhe qeleshe vezake në kokë, gra me balluke të drejta, katran të zeza dhe rrobe të mundimshme, që të çonte mendjen tek eskimezët e Greonlandës. Gra nga Malësia, me flokët të lyer me vaj dhe me thekë në ballë dhe një brez të çuditshëm me pafte, çapraze, nizamçe serme dhe thumba kallaje…!
Ky karnavali shqiptar, që s´ishte ndonjë karnaval, përveç se një ditë e zakonshme shumëngjyrëshe, do të magjepste një historian të veshjeve. Kësi pamjesh sheh edhe në vende tjera në Ballkan, por në asnjë vend ishin aq intensive dhe fantastik, si në Shkodër. Kjo varej nga izolimi i një shteti të vogël, që Evropa e kishte harruar fare.
Edhe Mbreti Zog, i cili kurrë nuk deshi të quhej “Mbreti i Shqipërisë”, pasi insistonte të quhej “Mbreti i Shqiptarëve” duke menduar për minoritetet shqiptare, në Greqi dhe Jugosllavi. Unë e shoh atë, natën e dasmës, në pallat në Tiranë: një Buster Keaton, shqiptar me një fytyrë të ngurtë, pa emocione dhe i mbuluar me dekorata, sa që ylli shkëlqyes, varet deri poshtë cepit të kapotës, së uniformës. Pranë këtij kalorësi, me pamje serioze, një vajzë e gjatë, bukuroshe shtathedhur, që duket jashtëzakonisht e ngazëlluar, se është bërë mbretëreshë edhe pse në një Monarki, operete.
Mbrapa çiftit, një italian i fryrë me uniformë fashiste, me gjoks përpara dhe me një buzëqeshje vetëkënaqësie, në fytyrën e tij të shëndoshë: dhëndëri i Mussolinit, Konti Ciano. Konti ishte kumbarë i martesës. Asnjë nuk mund t´a imagjinonte, ç´farë fati i priste. Ky kumbara do të rikthehej së bashku me një ushtri pushtuese dhe do t´a detyronte çiftin mbretëror, në mërgim dhe ai vetë pas disa vitesh, do të ulej në karrige, në një vend ekzekutimi, në Italinë e Veriut dhe të pushkatohej pas shpine si tradhtar.
Atmosfera qe madhështore edhe pse pati ndonjë kukuvajkë, si p.sh., ministri francez, i cili nuk mundi t´a përmbante veten dhe u gajas, me zë të lartë, kur pa dhuratat e dasmës: gjashtë kuaj shale, nga shteti Hungarez, një anije më motor, nga Duçja (Il Duçe) dhe një ‘Mercedez’, nga Hitleri. “Dhuruesit duket se kanë pasur të njëjtin mendim në kokë: Më mirë t´u japim diçka, që t´u shërbej në rast se, detyrohen të lënë vendin”. Vallëzimi filloi me tonet e orkestrës së Oborrit Mbretëror dhe një orkestre arixhinjsh, të cilët i kishte sjellë, nusja nga Budapesti.
Përfaqësuesit diplomatik nga njëzet kombe, kërcenin vals me zonjat e aristokracisë shqiptare, ndërsa muret rrethoheshin nga prijës malësorë, të veshur me kostume kombëtare, të qëndisura më flori dhe me pistoleta brez. Disa nga ata kompletonin pistoletat me një stilograf floriri, që në atë kohë do të thoshte se personi në fjalë, dinte të shkruante. Maja e minareve, ishin dekoruar me prozhektorë dhe vargje zbukurues. Balona të mëdha, me portretin e çiftit mbretëror, silleshin mbi çatitë e shtëpive dhe në aeroportin e Tiranës, hodhën fishekë zjarre të shkëlqyer të markës më të mirë italiane.
Aeroporti i Tiranës
Ne jemi tashmë aty. Lidhni rripin e sigurisë, fikni cigaret, signores et signorinas. Kryeqyteti i Shqipërisë, shtrihen brenda një kazani malesh. Aeroplani, zhytet poshtë deri në fund dhe prek tokën. Ka qenë në mbrëmjen e dasmës së Zogut, kur unë pashë këtë aeroport, herën e kaluar. Atëherë ishin një mori njerëzish të gëzuar, që admironin raketa e fishekzjarrë në qiell. Atëherë nuk shihej ndonjë aeroport, përveç se vetëm njerëz. Po tani?
Unë shikoj përreth nga dera e hapur. Tani është i shkretë, si një shesh i braktisur, për zbritje emergjente. Asnjë aeroplan tjetër, përveç tonit. Asnjë njeri, përveç se një ushtar melankolik, që është mbështetur në pushkën e tij. Asnjë ndërtesë me përjashtim të një shtëpie, si kioskë të kurorëzuar, me një yll të kuq. Memorie.al