MENU
klinika

The Economist

Si Ukraina po përdor kriptovalutat për të financuar luftën?

09.04.2022 - 13:25

The Economist

Më 24 shkurt, ditën kur Rusia filloi “operacionin e saj special ushtarak”, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, shpalli mobilizimin ushtarak. Banka qendrore pezulloi tregtimin e monedhave dhe ngriu kursin e këmbimit për hryvnia (monedhën vendase).

Vendi gjithashtu ndaloi transferimet digjitale të parave. Ukrainasit u përpoqën të tërhiqnin para ndërsa vlera e hryvnia shënoi rënie të madhe. Wise, një kompani pagesash ndërkufitare, uli kufirin e saj për transfertat në Ukrainë nga 14,000 dollarë në 200 dollarë. Por, ndërsa nevoja për fonde të shpejta u rrit, Ukraina përdori kriptomonedhat për të financuar luftën.

Si Ukraina po arrin të financojë luftën falë kriptomonedhave?

Dy ditë pas fillimit të pushtimit, qeveria ukrainase postoi në mediat sociale adresat për përdorimin e kriptove si bitcoin, ethereum dhe tether. Ministria e Transformimit Dixhital të Ukrainës tani pranon donacione në 14 monedha, raporton abcnews.al.

“Kripto me të vërtetë ndihmoi gjatë ditëve të para, pasi ne arritëm të mbulonim nevojat thelbësore,” tha Alex Bornyakov, një nga zëvendësministrat e Ukrainës për transformimin dixhital.

Qeveria ka mbledhur deri tani ekuivalentin e 100 milionë dollarëve. Edhe organizatat joqeveritare po mbledhin fonde. Come Back Alive, një OJQ ukrainase që nga viti 2014 ka mbledhur para për pajisje ushtarake dhe trajnime.

UkraineDAO, një kolektiv kriptosh, nxori në ankand një token të pandryshueshëm (NFT) të një flamuri ukrainas për 6.5 milionë dollarë Ethereum. Është NFT-ja e dhjetë më e shtrenjtë e shitur ndonjëherë sipas Elliptic, një firmë analitike. Të ardhurat do të përdoren për ndihma humanitare.

Qeveritë dhe institucionet si FMN-ja kanë dhënë ndërmjet tyre miliarda dollarë ndihmë për Ukrainën. Vetëm Amerika miratoi 13.6 miliardë dollarë financime emergjente në mars. Por dhurimet përmes kriptove kanë disa avantazhe, pasi transfertat mund të bëhen menjëherë, individët mund të dhurojnë lehtësisht dhe kriptovalutat nuk kontrollohen nga qeveritë ose bizneset.

Nga fillimi i marsit, qeveria e Ukrainës kishte shpenzuar tashmë mbi gjysmën e kriptomonedhave që kishte mbledhur në pajisje ushtarake, ilaçe, jelekë antiplumb, imazhe termike dhe helmeta. Në vitin 2021, vendi u rendit i katërti në botë për adoptimin e kriptomonedhave, sipas një indeksi të krijuar nga Chainalysis, raporton abcnews.al.

Që kur shpërtheu lufta, qeveria ukrainase ka kërkuar të përmirësojë infrastrukturën e saj të kriptove. Më 16 mars, Zelensky nënshkroi një sërë rregullash të reja në lidhje me kriptomonedhat. Bankat tani do të mund të hapin llogari për kompanitë e kriptove dhe ka ligje që i mbrojnë kundër mashtrimit.

Megjithatë, përdorimi në rritje i kriptomonedhave për transfertat ndërkufitare bart rreziqe. Ligjvënësit amerikanë dhe europianë janë të shqetësuar se rusët po përdorin monedha të tilla për t’iu shmangur sanksioneve.

UkraineDAO dhe faqja e internetit e qeverisë ukrainase për dhurimet e kriptove ofrojnë mënyra për të verifikuar legjitimitetin e tyre. Por kjo nuk i ka ndaluar mashtruesit, pasi ndërmjetësuesit mund të jetë më të prirur ndaj sulmeve kibernetike.

Dhe gjetja e furnitorëve që do të pranojnë kriptomonedha është e ndërlikuar, kjo pasi vlerat e shumë kriptomonedhave janë të paqëndrueshme, duke i bërë ato më pak të dobishme për pagesa dhe transaksione, raporton abcnews.al.

Qeveria e Ukrainës e di se donacionet e kriptomonedhave kanë vlera, sidomos pas ndërtimit të infrasktuturës. Kriptomonedhat mund të jetë vetëm një pjesë e vogël e fondeve, por Ukraina sigurisht nuk mund të varet vetem nga kriptomonedhat pasi ka nevojë edhe për ndihmën e vendeve të tjera.