MENU
klinika

Çfarë thuhet në rekursin ndaj ish-ministrit

SPAK “pendohet” për Tahirin: Të dënohet edhe për trafik!

15.04.2022 - 11:15

Pas një hetimi disavjeçar dhe përpilimit të një dosjeje të mbushur me të dhëna, fakte, dëshmi, shkresa dhe akuza që lidheshin me trafikun e drogës dhe kanabizimin e vendit për një periudhë jo të shkurtër kohe, SPAK çoi para gjykatës ish-ministrin e Brendshëm.

Ndaj tij SPAK ngriti disa akuza ku, ndër të tjera, ishte edhe ajo e trafikut të drogës dhe grupit kriminal. Por gjykata, në vendimin e saj të zbardhur, javë pas dhënies së dënimit, habiti jo pak me përjashtimin e dy të bashkakuzuarve nga këto dy akuza. Ata u dënuan për shpërdorim të detyrës, ndërkohë që Jaled Çela mundi të fitonte lirinë me kusht menjëherë pas dhënies së vendimit, pasi ishte në përfundim të kohës së dënimit, ndërkohë që Saimir Tahiri po përgatitej për të bërë rekurs për shkak se ai pretendonte se “Shpërdorimi i detyrës” nuk ishte në kompetencë të GJKKO-së. Por gjërat ndryshuan.

REKURSI

Kështu Prokuroria e Posaçme kërkon në Gjykatën e Lartë rikthimin e akuzave për trafik droge dhe pjesëmarrje në grupin kriminal të Habilajve për Saimir Tahirin. SPAK ka dorëzuar rekursin ku kërkon dënimin me 12 vjet heqje lirie për ish-zyrtarin e lartë. Ndërkohë, edhe avokatët e Tahirit kanë paralajmëruar ankim në Gjykatën e Lartë kundër dënimit me 3.4 vjet, të cilin po e vuan ish-ministri me pretendimin se Prokuroria nuk ka prova për akuzat që ka ngritur.

Prokuroria e Posaçme nuk tërhiqet nga akuzat e saj ndaj ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, duke kërkuar rëndimin e akuzave dhe të dënimit ndaj tij në Gjykatën e Lartë. Ky institucion ka dorëzuar rekursin ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit, duke kërkuar dënimin me 12 vjet heqje lirie për ish-zyrtarin e lartë të dikasterit blu. Organi i akuzës i është drejtuar Gjykatës së Lartë me kërkesën për prishjen e vendimit të Apelit dhe lënien në fuqi të akuzave ndaj ish-Ministrit për trafik narkotikësh dhe pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal. Për këto akuza, Prokuroria e Posaçme ka kërkuar edhe gjatë gjykimit në Apel, shpalljen fajtor të Saimir Tahirit dhe dënimin e tij me 12 vjet heqje lirie. Prokuroria ka akuzuar në mënyrë direkte ish-ministrin se ka favorizuar grupin e kushërinjve të tij të drejtuar nga Moisi Habilaj në aktivitetin e kultivimit dhe mbledhjes së kanabisit në Vlorë dhe trafikimin e saj në Itali.

REAGIMI ZYRTAR

E njëjta masë dënimi është kërkuar edhe për ish-drejtorin e Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, që sipas SPAK, ka garantuar mbrojtje dhe paprekshmëri për anëtarët e grupit Habilaj që kultivonin e trafikonin drogë gjatë kohës që Tahiri ishte ministër i Brendshëm.

“Komunikohet në mënyrë të përmbledhur se, më datë 14.04.2022, në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, u depozitua dhe u regjistrua rekursi nr. 69, datë 14.04.2022, paraqitur nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj vendimit nr. 03, datë 04.02.2022 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me të cilin u deklaruan fajtorë të pandehurit S.T. dhe J.Ç. për veprat penale të parashikuara nga nenet 283/a/1, 28/4, 333/ a/2 dhe 334/1 të Kodit Penal”, konfirmoi GJKKO.

DËNIMI

Në fillim të shkurtit të këtij viti, pas një procesi disavjeçar, Saimir Tahiri u dënua me 3 vjet e 4 muaj heqje lirie për akuzën “Shpërdorim detyre”, pasi gjykata vlerësoi se me veprime dhe mosveprime, kishte lejuar kanabizimin e vendit gjatë kohës që ishte ministër i Brendshëm.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Kërkon dënim dhe për trafik droge

SPAK dorëzon rekursin për ish-ministrin Saimir Tahiri