MENU
klinika

ANALIZË EKONOMIKE

Tkurrja e popullsisë shqiptare, pasojat ekonomike

19.04.2022 - 18:38

Igli TOLA 

Fenomeni i plakjes së popullsisë është një dukuri që është kthyer në një “epidemi demografike”, që ka përfshirë sidomos vendet e zhvilluara, europiane dhe më gjerë. E nqs ka një kriter (variabël) që e bën edhe Shqipërinë të listohet krahë vendeve të zhvilluara, është ai I lidhur me plakjen e popullsisë.

Pak vite më parë mbureshim se ishim popullsia më e re dhe vitale europiane, me një medianë demografike 27 vjeç, ndërsa ky tregues sot shënon nivelin 38.2 vjeç (sipas shifrave të INSTAT). Kësisoj, plakja me ritme kaq të shpejta e popullsisë në vendin tonë nuk është vetëm një shqetësim demografik, por është me pasoja edhe për zhvillimin ekonomik e social.

Tkurrja drastike e popullsisë shihet në 2 drejtime kryesore: lindshmëria dhe emigrimi. Të dhënat flasin për një ulje të ndjeshme të lindjeve në vend, saqë për një gjysëm dekade kemi arritur nga 5 fëmijë për grua që kishte shoqëria jonë në vitin 1970, sot ajo ka zbritur në nivelet 1.3. Ndërkohë që dihet se për të mbajtur konstant këtë numër të popullsisë që kemi, do të duhej të kishim 2.1 fëmijë për grua; pra ndodhemi nën normën e zëvendësimit aritmetik të popullsisë. Për të pasur një jetesë më të mirë 42.048 persona janë larguar nga vendi në 2021, ndërsa në 2020 numri i emigrantëve ishte 23.854 persona; pa llogaritur këtu personat e larguar në mënyrë klandestine, që ende figurojnë rezidentë në Shqipëri.

Shkaqet janë të shumta, me natyrë materiale dhe kulturore, që lidhen me ndryshimin e konceptit për jetën, ndryshimin e tipologjisë së martesës, strukturës së familjes, kontrollin e lindjeve, etj; por që të gjitha dukshëm zënë fill në kushtet dhe rrethanat ekonomike dhe politike të shoqërisë. E ndërsa për shkaqet është folur masivisht gjithë këto vite, pak syresh kanë shkuar të analizojnë pasojat që do të rëndojnë Shqipërinë teksa vijon të thelojë negativisht bilancin moshor.

Plakja e popullsisë, që shoqërohet me emigrim të lartë dhe humbje të fuqisë punëtore ndikojnë ekonomitë në shumë mënyra – rritja e PBB-së ngadalësohet, njerëzit në moshë pune paguajnë më shumë për të mbështetur të moshuarit dhe buxhetet publike sforcohen nën barrën e kostos totale më të lartë të programeve shëndetësore dhe të pensioneve.

Në afatgjatë, investitorët vendas dhe të huaj mund të zgjedhin të ulin ndjeshëm investimet në ekonominë, pavarësisht edhe se normat e interesit bien, pasi deduktojnë se rritja e prodhimit dhe konsumit do të ngadalësohet si përgjigje ndaj rënies së popullsisë, dhe ndoshta uljes së produktivitetit total të faktorëve. Në kushtet e një skenari të tillë pesimist, edhe nëse bankat qendrore ulin normat e interesit nën zero, ekonomia mund të mbetet në stanjacion, me papunësi të lartë për shumë vite – secular stagnation.

Njerëzit e moshës 60 vjeç e lart priren të kenë nevoja dhe sjellje të ndryshme. Individët e moshuar, për shembull, priren të punojnë dhe të kursejnë më pak, që do të thotë se më pak punë dhe kapitali do të jetë në dispozicion të ekonomisë. Ata gjithashtu kërkojnë më shumë kujdes shëndetësor dhe në vende si i yni, burim kryesor të ardhurash kanë pensionet e skemave të kontributeve publike. Siç cekëm më sipër, nëse sjellja specifike e moshës në lidhje me ofertën e punës dhe kursimet do të ishte fikse, oferta e punës dhe kursimet për frymë – dhe rrjedhimisht rritja e të ardhurave – do të priren të bien me thellimin e plakjes së popullsisë. Bazuar në këtë pikëpamje, korelacioni ndërmjet plakjes së popullsisë dhe rritjes ekonomike, shpjegon potencialin që nxit një reduktim e thellë të inputeve dhe outputeve ekonomike.

Kjo kornizë referuese qëndron në themel të tezave mjaft alarmiste të studiuesve, si Peter Peterson, që argumentojnë se, “plakja demgrafike mund të shkaktojë një krizë që përfshin

ekonomia botërore (dhe) madje mund të kërcënojë vetë demokracinë. Kuptohet lidhja që ekonmia dhe politika kanë si ‘2 enë komunikuese’, ku cënimi i balancës në njërin kah të ekuacionit, prek rezultatin dhe sjell mosbarazim të shprehjes.

Ish-kryetari i Rezervës Federale të SHBA-së, Alan Greenspan, paralajmëron se ky fenomen i bën programet e sigurimeve shoqërore dhe kujdesit shëndetësor të paqëndrueshme në afatgjatë, që imponon vlerësim të herë-pas-hershëm të masës së mundshme të ndikimit të rritjes së përqindjes së të moshuarve, në angazhimin e fondeve buxhetore në favor.

Ndërsa, në afat-shkurtër dhe afat-mesëm përfshirja në fazën e avancuar të plakjes do të shterojë mundësitë apo edhe falimentojë një pjesë të bizneseve që u kushtohen moshave të reja. Sipërmarrjet e pajisjeve për fëmijë, si kancelaritë, lodrat, shkollat private, bizneset e teknologjisë së lartë dhe industria ushqimore do të vihen në vështirësi. Do të lulëzojnë bizneset e logjistikës për të moshuarit, si azilet, pastrimi në shtëpi, mjekësia në shtëpi, tregtia e barnave, kujdestarë specifikë. Tendencat kanë nisur.

Një rritje e shpejtë e plakjes së popullsisë mund të përbëjë një sfidë serioze strukturore për qëndrueshmërinë fiskale të shtetit, referuar dy drejtimeve kryesore: (1) zvogëlimi i popullsisë aktive në punë që janë edhe taksapagues-kontributor, dhe (2) rritja e shpenzimeve qeveritare për programet e lidhura me të moshuarit. Natyra plotësuese e këtyre dy faktorëve do të krijojë barrë serioze në financat publike. Me fjalë të tjera, aftësia e qeverisë për të mbledhur të ardhura tatimore zvogëlohet për shkak të një baze më të vogël të taksapaguesve, ndërsa shpenzimet e qeverisë, veçanërisht për shpenzimet publike në këtë drejtim, vetëm sa rriten vazhdimisht.

Efekti anësor vjen edhe nga ulja e rritjes ekonomike në përputhje me zvogëlimin e produktivitetit. Me këtë rrethanë do të rrezikohej mbledhja e taksave. Si bazë e zhvillimit ekonomik dhe social dhe burimi themelor i të ardhurave fiskale, rritja e ulët ekonomike do të shkonte drejt një reduktimi të madh të të ardhurave dhe kursimeve kombëtare, gjë që gjeneron ndikime negative në qëndrueshmërinë makroekonomike.

Nqs do të vijojmë më tej në analizë më të hollësishme ekonomike, shkak-pasojë, implikimet do të shihnim që do të preknin si ‘efekt domino’ çdo aktor e sektor në një mënyrë ose një tjetër. Me rëndësi është që shqetësimi të adresohet në kohë, duke marrë incentiva për zbutjen e fenomenit dhe përmes politikave fiskale dhe moentare, e kryesisht duke rimodeluar skemën publike të sigurimeve tu paraprihet goditjeve që mund ti vijnë ekonomisë në të ardhmen e afërt.

PhD (c). Ll.M. Igli TOLA

Pedagog, ekspert ekonomie

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


ANALIZË EKONOMIKE

Paketa e duhur për Krizën