Para dy javësh publikova një sondazh rreth opinionit që kanë banorët e rritur të Shqipërisë për tre politikanët tanë kryesorë.
Pyetja kyç e sondazhit ishte “Për cilin nga këta 3 politikanë keni sot opinionin MË POZITIV?” Opsionet e përgjigjeve ishin “Ramën; Berishën; Metën; Asnjë nga këta 3”. Rreth 30% e të anketuarve zgjodhën opsionin e fundit – “Asnjë nga këta 3”.
Fill pas kësaj pyetje, vinte në pytësor pyetja “Cilin nga këta 3 politikanë perceptoni si më të ndershmin?”. Tek kjo pyetje, plot 61% zgjodhën opsionin e fundit – “Asnjë nga këta 3”.
Duke i ndërthurur këto dy rezultate, mund të arrihet në përfundimin se të paktën 31% e shqiptarëve simpatizojnë njërin prej tre politikanëve kryesorë sipas parimit të së keqes më të vogël. Plot 61% i konsiderojnë ata të pandershëm, por vetëm 30% nuk simpatizojnë asnjërin prej të treve.
Dhe në fakt, kur vjen puna për të votuar, shtohet numri i atyre që zgjedhin të keqen më të vogël. Kështu, vetëm 20% e banorëve të rritur të vendit nuk morën pjesë në zgjedhjet e vjetshme parlamentare – kjo përqindje rezulton nga ndërthurja e shifrave të KQZ-së mbi zgjedhjet e vjetshme me shifrat e Eurostatit për shtetasit e rritur shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë.
Deri më sot, jo pak politikanë kanë provuar t’i ofrohen publikut si alternativa më të mira se tre politikanët kryesorë, por kanë dështuar kur janë përballur në mejdanin elektoral. I fundit ndër ta ishte Basha, kandidatët e të cilit u mundën keqazi më 6 mars, përballë kandidatëve të Ramës, Berishës e Metës.
Ndoshta duhet pritur për një brez të ri politikanësh, që shqiptarët të kenë mundësinë të zgjedhin më të mirët, e jo të keqen më të vogël…